Nisma braktis PAN-in shkaku i LDK-së dhe Vetëvendosjes?

Politika

Nisma braktis PAN-in shkaku i LDK-së dhe Vetëvendosjes?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 24 qershor 2017 Në ora: 11:23

Nisma për Kosovën, e cila në zgjedhjet e 11 qershorit në kuadër të koalicionit PAN, ka fituar së paku 8 ulëse në Kuvend, ka bërë të ditur që në legjislaturën e re do të funksionojnë si grup i vetëm parlamentar, pra ndaras nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas Nisma-së, grupi i tyre parlamentar do të ketë qëndrim si parti për çështje të ndryshme.

“Kjo është e natyrshme ne do ta kemi grupin tonë parlamentar siç do ta ketë PDK-ja dhe AAK-ja. Ne vazhdojmë të funksionojmë si koalicion, por që do ta kemi grupin tonë parlamentar”, kishte thënë sekretari i kësaj partie, Bilall Sherifi duke sqaruar vendimin e marrë.

Ndërsa nga analistët ky vendim i Nisma-së po shihet si  veprim me taktikë politike, në mënyrë që të bëjë një ngritje të pazarit politik në raport me PAN-in dhe LAA-në. Sipas tyre ndarja Nisma-s nga PAN-i është edhe një sinjal që kjo parti nuk ka qenë pro koalicionit me PDK-në, dhe dëshmi që koalicioni me PDK-në ka qenë një koalicion në të vërtet i AAK-së me PDK-në.

“Nuk largohemi nga koalicioni”

Image
Enver Hoti

Lidhur me funksionimin si grup i vetëm parlamentar, ndaras nga PDK e AAK, ish deputeti dhe anëtari i NISMA-së, Enver Hoti, thotë kjo është krejt legjitime, pasi ata kanë një marrëveshje për koalicion me dy parterët tjerë, dhe se do t’i qëndrojnë prapa Ramush Hardinajt.

“Kjo është krejt normale. Ne kemi vendosur që të funksionojmë si grup i vetëm parlamentar, gjë që është e realizueshme dhe legjitime. Ne kemi pas një marrëveshje për koalicion me PAN, që të shkojmë së bashku në zgjedhje, ndërsa që si grupe parlamentare mund të funksionojmë edhe si grupe të ndara. Por ne do të qëndrojmë prapa Ramush Haradnajt kur të formohet Qeveria, pasi nuk jemi larguar nga koalicioni por vetëm do të funksionojmë si grup i vetëm parlamentar. Pra koalicioni PDK, AAK, NISMA vazhdon të funksionojë”, është shprehur Hoti për gazetën “Bota sot”.

Partitë vendosin se si funksionojnë në Kuvend

Image
Muharrem Nitaj

Ndërsa, Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së, ka thënë se është në diskrecionin e partive politike të koalicionit PAN se si vendosin të funksionojnë.

“Është në diskrecionin e partive politike, aleate të koalicionit PAN, nëse do të vazhdojnë me grupe të ndara parlamentare, apo do të vendosin të jenë një grup i vetëm parlamentar. Kjo vendoset pas certifikimit të rezultateve. Nuk ka asnjë lidhje nëse grupet parlamentare funksionojnë si të vetme në parlament, me largimin e ndonjë partie nga koalicioni PAN”, ka thënë Nitaj.

Sipas Nitajt, funksionimi i Nisma-së si grup i vetëm parlamentar nuk ka të bëjë fare me largimin e tyre nga koalicioni, duke shtuar se atyre iu takon që ta bëjnë qeverinë.

Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë dashur të prononcohen lidhur me veprimin e Nisma-së.

Ngritje e pazarit politik

Image
Fadil Maloku

Kurse, sipas profesorit universitar dhe njohësit të zhvillimeve politike, Fadil Maloku, veprimi i NISMA-së, shihet si tentim të saj për rritje të pazarit politik, në raport me LAA-në dhe PAN-in.

“Veprimin e Nismës, e shoh si një taktizim politik të vendimmarrëseve të saj! As më shume e as më pak. Kjo u bie; ngritje e pazarit politik (si në raport me PAN-in, ashtu edhe me LAA-në) dhe fuqizim i saj me gjithë ata që janë me afër formimit të qeverisë! Pra, një interesim meskin e makiavelist për të qenë në pushtet”, është shprehur Maloku për gazetën “Bota sot”.

Nisma drejt largimit nga PAN dhe afrimit me LDK e VV-në?

Ndërsa, Politologu dhe njëherit edhe drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, Gurakuç Kuçi, për gazetën “Bota sot, thotë se Nisma asnjëherë nuk ka qenë pro koalicionit me PDK-në, por që ky koalicion ishte kryekëput koalicion i AAK-së me PDK-së.

Image
Gurakuç Kuçi

“NISMA asnjëherë nuk ka qenë pro koalicionit me PDK-në, madje këta sikur të kishin pas rrugë tjetër dhe ta ndjenin vetën të fortë do të hynin të vetme në zgjedhje, por sidoqoftë koalicioni PAN, Nismën e sjelli para një akti të kryer në orët e vona. Vendimi i Nisma-së është hapi i parë që t’i tregojnë votuesve të tyre dhe kritikëve, se koalicioni me PDK-në ka qenë një koalicion në të vërtet i AAK-së me PDK-në, por që përkrahja e tyre për një qeveri Haradinaj nuk vihet në dilemë, kjo është ajo qa mund ta kemi deklarativisht”, thekson Kuçi.

Sipas tij, duke pasur parasysh që Nisma ishte partia që mori iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, atëherë Nisma mund të jetë një nismëtare e një afrimi të AAK-së me Vetëvendosjen.

“Nisma ishte partia e cila mori iniciativën për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë Mustafa, edhe tani Nisma mund të jetë një “nismëtare” e një rrethane të re në skenën politik, ku kjo parti ideologjikisht ka afërsi me Vetëvendosjen, dhe duke e shpallur tani grupin e saj parlamentar si jashtë koalicionit PAN, do të mund të ishte balanca dhe lidhja për afrimin e AAK-së me Vetëvendosjen dhe potencialisht edhe LDK-në, ku të paktën nga kjo e fundit do të merrnin vetëm votën pro për krijimin e qeverisë VV-AAK-Nisma, pasi edhe LDK-ja dhe VV-ja janë të gatshëm të ofrojnë lëshime vetëm e vetëm që PDK-në ta lënë në opozitë”, thotë Kuçi.

Qeverisja nga PAN, serbët i bën faktorë në Kosovë?

Kuçi shton se një qeveri më PAN-in, do të jetë jo stabile kur serbët do të bëheshin faktorë në  vendimmarrje.

“Haradinaj shpresoj ta ketë kuptuar se një qeveri e PAN-it me disa deputetë të kontrabanduar dhe minoritetet, është jostabile dhe do të rriste pazarin për serbët, pasi ata do të bëheshin faktor dhe kjo do të kishte ndikim të keq në imazhin dhe punën e tij. Në fund të fundit, PDK-ja është ajo parti e cila asnjëherë më parë nuk e ka dashur Ramushin për kryeministër kur gjithë të tjerët kanë luftuar që ai të jetë kryeministër, dhe Haradinaj nuk ka asnjë obligim as moral e as elektoral ndaj PDK-së, pasi nga kjo parti Haradinaj nuk ka mbledhur asnjë votë dhe nuk është votuar aspak”, është shprehur Gurakuç Kuçi.

Ai ka thënë se koalicioni me AAK-në dhe Nisma-në e ka lënë ende në lojë PDK-në, përndryshe do të ishte Partia e tretë apo e katërt në vend.

“Koalicioni PAN ia ka mundësuar PDK-së të mbetet akoma në lojë përndryshe do të ishte e treta ose e katërta, ndërsa PDK-ja ka marrë vota nga elektorati i AAK-së dhe Nismas. Andaj besoj që ky veprim i NISMA-së paralajmëron ndryshime etiketash në skenën e tanishme politike, që mund të kenë ndikime afatgjata”, ka përfunduar Kuçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat