Flasin aderuesit e rinj, tregojnë sa vota ia sollën partive të tyre

Politika

Flasin aderuesit e rinj, tregojnë sa vota ia sollën partive të tyre

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 qershor 2017 Në ora: 08:44
Driton Selmanaj nga LDK

Zgjedhjet e 11 qershorit sollën mjaft fytyra të reja që iu futën politikës.

Në listat zgjedhore pati kandidatë të rinj që u futën në këtë fushë, për të garuar për postin e deputetit.

Por, a mund të konsiderohen ato si dështim apo sukses për partitë në këto zgjedhje dhe sa janë të kënaqur me mënyrën se si ata u votuan nga qytetarët.

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili u fut në politikë dhe garoi për herë të parë për deputet, është shprehur i kënaqur për sa është votuar, pasi ka marrë numër të madh të votave e po ashtu tregon edhe se është përgjegjësi e madhe, pasi përfaqëson popullin.

“Normalisht se ndihem mirë, sepse njeriu hyn në garë për të fituar, nuk hyn në garë për të humb. Por, me thënë të drejtën nuk kam pritur mbështetje kaq të madhe prej elektoratit të LDK-së, përkundër që i shihja edhe në terren gjatë kohës që isha pjesë e emisioneve dhe debateve televizive në Kosovë, e shihja që kisha një përkrahje me theks të veçantë elektoratit të LDK-së, por jo vetëm për shaka të qasjes sime ndaj mbrojtjes së institucioneve, ndaj denoncimeve publike që unë i bëja ndaj shkatërruesve të institucioneve që për mua kanë adresën e saktë. Si i tillë, njerëzit besoj e kanë vlerësuar sinqeritetin tim, objektivitetin tim dhe çka është më e rëndësishmja mbrojtja e institucioneve tona të cilat i kemi ndërtuar me aq mund, djers e gjak. Prandaj kjo sa më bën të ndihem mirë, më bën edhe përgjegjës, më është vendosur një barrë për të cilën uroj që ta kryej  me sukses, sepse unë postin e deputetit e kuptoj si një përgjegjësi të madhe, e kuptoj jo si një privilegj, por si një përgjegjësi që njerëzit të besojnë që ti të flasësh në emrin e tyre, të përfaqësosh interesin e tyre dhe unë do të provoj maksimalisht që këtë barrë, këtë përgjegjësi ta kryej me nder dhe me vullnet të madh”, ka thënë Selmanaj në një intervistë për gazetën “Bota sot” ditë më parë.

Selmanaj: Kontribuam në ruajtjen e votës së LDK-së

Se a kanë ndikuar prurjet e reja në rezultatin e zgjedhjeve në partinë të cilës i takon, ai është shprehur se secila parti politike ka nevojë për angazhim të mirë, të njerëzve të rinj, të cilët nuk kanë qenë të angazhuar në ndonjë parti politike më herët.

“Unë mendoj që ne nëse kemi arritur të kontribuojmë në ruajtjen e votës së LDK-së, atëherë do të ishte privilegj edhe për neve. Ndërkohë, unë e shoh të domosdoshme që LDK-ja të merret me vetën në kontekstin goxha të gjerë edhe të organizimit strukturor edhe në nivel të degëve edhe të nëndegëve e kështu me radhë, të ndryshimit të qasjes eventualisht të ndërrimit të statusoreve që definitivisht të kthehet të një parti perëndimore që LDK-ja është në rrugën e vet të zhvillimit shumë pozitiv, ku edhe është pjesë e familjes së Partive Popullore Evropiane, është e vetmja parti politike e cila është anëtare e tyre dhe e vetmja parti që ka demokraci të mbrëmshme dhe si e tillë mendojë që ka nevojë për disa elemente që të reformohen, organizimi strukturore që nga nëndegët deri të niveli më i lartë i partisë për shkak që t’i përshtatemi kohës dhe rrethanave të reja të cilat gjithmonë paraqiten. Nëse ne si njerëz të cilët jemi angazhuar rishtas në këtë parti politike, jemi vlerë e shtuar për ta, atëherë do të ishte nder i madh për neve çka është për ne e rëndësishme hapësira që na është krijuar që në ditët e para që unë jam angazhuar aty dhe besoj që edhe zoti Lumir Abdixhiku dhe të tjerët, kemi gjetur hapësirë më tepër se që kemi menduar për të vepruar deri në këtë fazë”, ka deklaruar Selmanaj.

Zeka: Jam në nivel të Kosovës më i votuari nga Nisma

Në anën tjetër, Milaim Zeka ka qenë një emër tjetër që i është futur politikës dhe garës për deputet nga Nisma për Kosovën.

Image
Milaim Zeka

Duke thënë se nuk e di nëse ka ndikuar në rezultatin e partisë, Zeka ka thënë se është më i votuari nga këto zgjedhje.

“Jam në nivel të Kosovës më i votuari. Pa 35 mijë vota me kusht dhe pa votat e diasporës e kam kaluar 11-shin. Nuk ka qytet dhe fshat të Kosovës që nuk kam vota. Nuk e kam pritur që dal kaq fuqishëm i votuar në Pejë, Gjakovë, Prizren, Suharekë, Mitrovicë, Vushtrri, Gjilan, Kaçanik, Hani i Elezit, Ferizaj, Kamenicë, Viti, Lipjan e Shtime. Nuk e di a i kam ndihmuar partisë, por në qoftë se shkojmë në bazë të votave të deputetëve, Nisma ka rritje”, ka deklaruar Zeka për gazetën “Bota sot”.

“Po të mos ishte Vetëvendosje, elektorati do të votonte Listën serbe”

Ai ka komentuar edhe rezultatin e zgjedhjeve në përgjithësi, duke thënë se LDK-ja dhe PDK-ja e kanë marrë goditjen më të madhe nga elektorati.

“Kjo ka ndodhur për shkak të punës të tyre të keqe në të kaluarën dhe elektorati ka ardhur në atë gjendje që ka thënë se ka zgjedhur mes Listës serbe dhe Vetëvendosjes, duke thënë se më mirë po votojnë për Vetëvendosjen. Aq shumë e kanë lodhur popullin PDK-ja dhe LDK-ja sa që mos të ishte Vetëvendosje, ndoshta do të votonin për Listën Srpska”, është shprehur ai.

Zogaj: Zgjedhjet thelluan krizën, aderimet e reja ishin pozitive

Image
Skender Zogaj

Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve, analisti politik Skënder Zogaj, ka thënë se Kosova gjendet edhe në krizë.

“Zgjedhjet e 11 qershorit e dëshmuan prapambetjen e thellë dhe krizën e thellë politike dhe morale në të cilën ndodhet Kosova, e cila, edhe pas daljes nga robëria po vazhdon të sillet si e robëruar, duke mos arritur të zotërojë përgjegjësitë elementare të një populli të lirë dhe të një shteti të shpallur të pavarur. Kjo më së miri po shihet nga zgjedhjet që janë mjeti kryesor dhe mënyra më efikase për realizimin e aspiratave të lirisë dhe të pavarësisë, e të funksionalizimit të idealeve të shqiptarëve të Kosovës, qe 18 vjet nuk po përdoret, në fakt po keqpërdoret, sepse, të gjitha zgjedhjet e deritashme kanë lënë shumë për t'u dëshiruar. Edhe zgjedhjet e 11 qershorit nuk e realizuan kriterin përfitues për funksionim të sigurt të shtetit, duke qenë se, kemi një rezultat krejtësisht jofunksional, që, e nuk e ndihmon zgjidhjen e krizës 17 vjeçare, por, përkundrazi e thellon krizën. Rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit është i parealizueshëm, sepse, nuk ofrojnë mundësi për qeverisje sado pak stabile”, është shprehur Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, sa i përket aderimeve dhe ndikimit të tyre në rezultatin e zgjedhjeve tek partitë e tyre, ai i konsideron pozitive.

“Mendoj se kanë qenë të dobishme sa i përket inkuadrimit të një numri më të madh të të rinjve, mirëpo, mendoj se, aderimet kryesisht janë infiltrime të diktuara nga qarqet udhëheqëse të partive politike e jo rezultat i vlerave të dëshmuara politike në mozaikun partiak, kështu që, aderimet e reja janë "prishje e gjumit të pleqve partiakë" por jo ngritje e duhur e vlerave profilizuese të koncepteve të partive politike. Aderimet e reja, nëse nuk janë edhe vlera të verifikuara, duket sikur ndikojnë në suksesin e partive, por në fakt suksesi i tyre është tepër relativ. Rezultati i zgjedhjeve të sivjetshme do të duhej të ishin më adekuat me atë që ka nevojë Kosova dhe populli i Kosovës në çastin aktual, gjithnjë në kuptimin e daljes nga kriza e thelle politike në të cilën ndodhemi”, ka deklaruar analisti Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat