Paralajmëron Vetëvendosje, tregon hapat që do të ndërmarrë për të hetuar SHIK-un

Politika

Paralajmëron Vetëvendosje, tregon hapat që do të ndërmarrë për të hetuar SHIK-un

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 qershor 2017 Në ora: 15:39
Sipas Vetëvendosjes edhe nëse do të jenë në qeveri, edhe nëse do të jenë në opozitë do të kërkojnë hetimin e SHIK-ut.

Shërbimi Informativ i Kosovës, ishte një organizatë që kishte vepruar në mënyrë ilegale dhe hetimet për këtë organizatë ende nuk janë bërë nga organet e drejtësisë. SHIK-u, e cila ishte udhëhequr nga kryetari aktual i PDK-së, Kadri Veseli,  shumë herë në raporte të ndryshme ndërkombëtare, por edhe nga familjarë dhe viktima të sulmeve politike, ishte akuzuar për vrasje, shantazhe e kërcënime të ndryshme, e ku nga këto më së shumti kishin pësuar zyrtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ishte viti 2015, kur ishte organizuar një iniciativë për formimin e Komisionit Hetimor për këtë shërbim, mirëpo kjo iniciativë kishte dështuar për shkak të mos mbledhjes së nënshkrimeve nga ana e deputetëve të Kosovës.

Çështja e Shërbimit Informativ të Kosovës ende nuk është hetuar, ndërsa qeveria e ardhshme në rast se formohet nga Lëvizja Vetëvendosje zotohet se do të  iniciojnë përsëri një iniciativë për hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut, kurse zyrtarë nga koalicioni PAN thonë se kjo çështje është bërë politike, mirëpo krimet duhet të hetohen.

Sipas Vetëvendosjes edhe nëse do të jenë në qeveri, edhe nëse do të jenë në opozitë do të kërkojnë hetimin e SHIK-ut.

Image
Shkodran Hoti

Hoti: Do ta hetojmë SHIK-un

Zëdhënësi për medie nga Lëvizja Vetëvendosje, Shkodran Hoti, thotë se ata konsiderojnë që veprimtaria e kësaj organizate duhet të hetohet për shkak të të gjithave që janë përfolur për këtë organizatë dhe veprimtarinë e njerëzve që kanë qenë pjesë e nëntokës.

“Po realisht ne edhe si opozitë e kemi filluar një iniciativë për formimin e një komisioni hetimor për hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut e fatkeqësisht ky komision nuk ka arritur të formohet për shkak se nuk kemi arritur t’i mbledhim nënshkrimet e nevojshme për ta formuar këtë komision. Pra, kemi qenë grup më i vogël parlamentar dhe nuk kemi arritur që ta bëjmë këtë, por edhe nëse do të jemi në qeveri edhe nëse do të jemi në opozitë për shkak se grupi tani do të jemi grupi më i madh parlamentar sigurisht se do të iniciojmë prapë një gjë të tillë dhe normalisht që do ta bëjmë hetojmë veprimtarinë e SHIK-ut , sepse konsiderojmë që veprimtaria e kësaj organizate duke e ditur gjithçka që është përfolur në të dhe duke e ditur biografinë dhe veprimtarinë e njerëzve që veç kanë qenë pjesë e nëntokës së SHIK-ut është shumë e domosdoshme që të zbardhet veprimtaria e tyre dhe të hetonen ata”, shprehet Hoti.

Kurse, në rast se formohet qeveria nga koalicioni PAN në krye me Ramush Haradinajn, Vetëvendosje thotë se nuk do të hetohet SHIK-u.

“Ramush Haradinaj shkoi me SHIK-un e Kadri Veselin”

Sipas Vetëvendosjes, ata nuk presin nga Ramush Haradinaj që ta hetojë SHIK-un për shkak se ai ka shkuar nën SHIK dhe me të.

“Nuk mund të presim nga Ramush Haradinaj që të hetojë SHIK-un për shkak se ai ka shkuar nën SHIK dhe me SHIK-un. Ramush Haradinaj ka shkuar tek Kadri Veseli, pra tek njeriu i SHIK-ut. Ne nuk presim që këtë ta bëjë Haradinaj, këtë mund ta bëjë vetëm Vetëvendosja  dhe do të ishte mirë që ta bëjë nga pozicioni i qeverisë për shkak se ka mekanizma që mundësojnë  hetimin më të lehtë, por ne në asnjë mënyrë nuk do të heqim dorë që ta inciojmë këtë çështje”, pohon Hoti.

Image
Anton Berisha

PAN: Hetimi i SHIK-ut, çështje politike

Kurse, zyrtarë nga koalicioni PAN pohojnë se tema e SHIK-ut ka humbur kuptimin sa i përket sigurisë dhe është shndërruar në politike.

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Anton Berisha, thotë se ajo çka duhet bërë është që çdo person, grup personash që ka bërë krime duhet të hetohen dhe të dënohen.

“Kjo mbajtja gjallë e temës se SHIK-ut tash e ka humbur kuptimin sa i përket sigurisë  dhe është shndërruar në politike. Ajo çka duhet bërë, është që  çdo person,  grup personash që  ka bërë krime, duhet të  hetohen dhe të dënohen. SHIK-u në vetvete  s’ mund të fajësojë  as shfajësojë, as amnistojë askënd, as ata që pretendojnë  se kanë  qenë pjesë e tij, as ata që nuk kanë qenë pjesë  e tij e që pretendohet se kanë bërë vrasje”, shprehet Berisha.

Sipas tij, krimi nuk vjetërsohet dhe autorët duhet të dënohen.

“ Ligjet në shtetet demokratike janë  të  përcaktuara qartë- krimi nuk vjetërohet, ndërsa autorët duhet të dënohen. Autorët janë njerëz e jo emra apstrakt. Nuk ka rëndësi që personi mbulohet me SHIK, PDK, LDK, AAK apo anëtar i asnjë partie apo organizatë” përfundon Berisha.

Image
Naim Miftari

“Ramush Haradinaj nuk do të merret me vrasjet e pasluftës”

Ndërsa, ish luftëtari i UÇK-së dhe ish anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se SHIK-u do të hetohet vetëm nëse do të formohet qeveria nga Vetëvendosje sepse në rast se qeveria udhëhiqet nga kryeministri i mundshëm Ramush Haradinaj, ai nuk do të merret me vrasjet e pas luftës.

“Në rast se qeveria udhëheqet nga PAN me kryeministër të mundshëm Ramush Haradinaj, ai nuk do mund të merret me vrasjet e pas luftës siç nuk është marrë LDK-ja e Isa Mustafës tri vitet e fundit e cila qeveriste në koalicion me ndihëm e SHIK-ut- PDK-së. Është e pamundur që një qeveri e cila varet prapë nga njerëzit e nëntokës politike të merret me zbulimin apo tentimin e zbardhjes së vrasjeve të pas luftës. Dhe, mos të harrojmë se edhe Ramush Haradinaj është akuzuar disa herë indirekt edhe direkt për disa vrasje të pas luftës në Dukagjin”, tregon Miftari.

Mirëpo, sipas Miftarit,  SHIK-u  do të hetohej bukur shumë dhe së paku disa vrasje do të zbardheshin në rast formohet qeveria nga Vetëvendosja.

Miftari thotë se ata kanë guxim  dhe kurajo që t’i hetojnë, t’i ndjekin dhe t’i dënojnë ata që kanë thyer ligjin.

“ Ndërsa, në anën tjetër qeveria në rast se krijohet nga Vetëvendosja jam shumë i bindur se SHIK-u do të hetohej bukur shumë dhe besoj që së paku disa vrasje do të zbardheshin pasi edhe nuk ka rrugë tjetër nëse dëshirojmë shtet, ligj dhe drejtësi të pavarur. Këto vrasje dhe shumë vepra tjera kriminale do duhej të ndiqen pareshtur e jo të mbesin gjer sot kur drejtësia, policia, AKI janë kapur pikërisht nga mafia politike  e cila edhe i kanë kryer shumicën e vrasjeve dhe veprave tjera penale që nga tradhtia ndaj vendit, vrasjet, vjedhjet, uzurpimet, falsifikimet, korrupsioni, tjetërsimi i problemeve shoqërore nga politika të infiltuar me krimin e organizuar e deri edhe tek shtimi i 40.000 veternaëve të rrejshëm, shumica edhe i kanë blerë certifikatat me mijëra euro”, nënvizon Miftari.

Vetëvendosje ka kurajo dhe guxim

Sipas tij,  duhet të dënohen të gjithë ata që kanë thyer ligjin pavarësisht nëse është president, kryeministër apo ministër.

“Pra, besoj fuqishëm që Vetëvendosje ka guxim dhe kurajo t’i hetoj, t’i ndjek, por edhe t’i dënojë ata që kanë thyer ligjin pavarësisht nëse është President, Kryeministër, apo ministra apo kushdo qoftë. Nëse dëshirojmë të kemi shtet funksional duhet ligji të funksionojë për të gjithë dhe njëjtë për të gjithë, sepse sot që nga pas lufta ligji është vetëm t’i ndjek e t’i dënojë fukarenjt ata që kanë përkrahje politike apo ekonomike. Sot duhet të ndjeken ata politiqarë që dalin jashtë interesit të klaneve politike- mafioze”, përfundon Miftari.

Lëvizja Vetëvendosje edhe gjatë fushatës zgjedhore kishte thënë se  do ta hetojnë SHIK-un, financimin e saj, dosjet, strukturën dhe rrjetin e veprimit.

 “Hetimi parlamentar i organizatës SHIK, mbi financimin e saj, dosjet dhe strukturën dhe rrjetin e veprimit. Shumica parlamentare e drejtuar nga VV, në legjislaturën e ardhshme do ta zhvilloj dhe përmbyll hetimin e plotë parlamentar mbi burimin e financimit të organizatës ilegale SHIK , dosjet e prodhuara prej saj, përfshirjen e personave dhe rolet e tyre në të” kishte thënë gjatë fushatës zgjedhore, kandidatja për deputete nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena  Haxhiu.

 Përfaqësues nga koalicioni PAN nuk ishin deklaruar lidhur me këtë temë.

Mirëpo, gjatë viteve të kaluara kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, kishte thënë se hetimet për SHIK-un duhet të bëhen, përderisa kjo organizatë kishte vepruar në mënyrë ilegale.

Haradinaj kishte thënë  se ai personalisht asnjëherë nuk kishte qenë i rrezikuar fizikisht nga njerëz të kësaj organizate, por sipas tij kishte pasur tentime për dëmtim të imazhit të partisë së tij.

“Organizata SHIK nuk është një organizatë kombëtare. Nuk i ka shërbyer gjithë kombit, por një grupacioni të njerëzve. Si e tillë ka qenë joligjore dhe gjithsesi që duhet të zbardhen të bëmat e kësaj organizate. Ky është qëndrim i yni i vazhdueshëm dhe ndihmesë për Kosovën”, kishte thënë  Ramush Haradinaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat