Ja pse Ramush Haradinaj nuk mund ta hetojë SHIK-un e Kadri Veselin

Politika

Ja pse Ramush Haradinaj nuk mund ta hetojë SHIK-un e Kadri Veselin

Nga: B.S Më: 28 qershor 2017 Në ora: 20:16
Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj

SHIK-u, e cila ishte udhëhequr nga Kadri Veseli, kryetar aktual i PDK-ë nga shumë raporte ndërkombëtare dhe vendore ishte akuzuar për shumë vrasje të oponentëve politikë në Kosovë.

Po ashtu, akuza ndaj SHIK-ut ishin drejtuar edhe nga familjarë të viktimave, dhe nga vetë personat që kishin pësuar nga kjo organizatë. Por, deri më tani ende nuk është bërë asnjë hap për hetimin e veprimtarisë së kësaj organizate.

Duke, folur në lidhje me hetimin e SHIK-ut, zëdhënësi për medie nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se vetëm Vetëvendosje mund ta hetojë dhe do ta hetojë SHIK-un.

Hoti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Ramush Haradinaj nuk mund ta hetojë  SHIK-un dhe Kadri Veselin, pasi ai ka shkuar bashkë me SHIK-un.

 “Nuk mund të presim nga Ramush Haradinaj që të hetojë SHIK-un për shkak se ai ka shkuar nën SHIK dhe me SHIK-un. Ramush Haradinaj ka shkuar tek Kadri Veseli, pra tek njeriu i SHIK-ut. Ne nuk presim që këtë ta bëjë Haradinaj, këtë mund ta bëjë vetëm Vetëvendosja  dhe do të ishte mirë që ta bëjë nga pozicioni i qeverisë për shkak se ka mekanizma që mundësojnë  hetimin më të lehtë, por ne në asnjë mënyrë nuk do të heqim dorë që ta inciojmë këtë çështje”, pohon Hoti.

Ndërsa, ish luftëtari i UÇK-së dhe ish anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se SHIK-u do të hetohet vetëm nëse do të formohet qeveria nga Vetëvendosje sepse në rast se qeveria udhëhiqet nga kryeministri i mundshëm Ramush Haradinaj, ai nuk do të merret me vrasjet e pas luftës.

“Në rast se qeveria udhëheqet nga PAN me kryeministër të mundshëm Ramush Haradinaj, ai nuk do mund të merret me vrasjet e pas luftës siç nuk është marrë LDK-ja e Isa Mustafës tri vitet e fundit e cila qeveriste në koalicion me ndihëm e SHIK-ut- PDK-së. Është e pamundur që një qeveri e cila varet prapë nga njerëzit e nëntokës politike të merret me zbulimin apo tentimin e zbardhjes së vrasjeve të pas luftës. Dhe, mos të harrojmë se edhe Ramush Haradinaj është akuzuar disa herë indirekt edhe direkt për disa vrasje të pas luftës në Dukagjin”, tregon Miftari.

Mirëpo, sipas Miftarit,  SHIK-u  do të hetohej bukur shumë dhe së paku disa vrasje do të zbardheshin në rast formohet qeveria nga Vetëvendosja.

Sipas tij,  duhet të dënohen të gjithë ata që kanë thyer ligjin pavarësisht nëse është president, kryeministër apo ministër.

“Pra, besoj fuqishëm që Vetëvendosje ka guxim dhe kurajo t’i hetoj, t’i ndjek, por edhe t’i dënojë ata që kanë thyer ligjin pavarësisht nëse është President, Kryeministër, apo ministra apo kushdo qoftë. Nëse dëshirojmë të kemi shtet funksional duhet ligji të funksionojë për të gjithë dhe njëjtë për të gjithë, sepse sot që nga pas lufta ligji është vetëm t’i ndjek e t’i dënojë fukarenjt ata që kanë përkrahje politike apo ekonomike. Sot duhet të ndjeken ata politiqarë që dalin jashtë interesit të klaneve politike- mafioze”, përfundon Miftari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat