Haradinaj “shantazhohet” nga Lista serbe për koalicion?

Politika

Haradinaj “shantazhohet” nga Lista serbe për koalicion?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 2 korrik 2017 Në ora: 11:21
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë sinjale për formimin e Qeverisë në ditët e para të muajit korrik, por koalicioni i cili ka më shumë vota PDK-AAK-NISMA, ende nuk i ka numrat për të bërë një gjë të tillë.

Është folur se për të formuar Qeverinë duhen edhe numrat e pakicave, ndër to edhe votat e Listës serbe. Një gjë të tillë, analistët politikë po e konsiderojnë si të dëmshme për vendin, pasi që kjo parti ka lidhje me Beogradin. Sipas tyre, formimi i qeverisë së Kosovës me këtë parti do të ishte do ta bënte qeverinë e Kosovës, peng të Qeverisë së Serbisë.

Selimi: PAN s'i ka të sigurta as votat e minoriteteve

Image
Rexhep Selimi

Duke komentuar në lidhje me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se edhe sikur eventualisht në një situatë hipotetike t`i gjente 2-3 numra, prapë se prapë koalicioni PAN do ta kishte të pamundur të krijojë Qeverinë për shkak se do t`i duhen numrat e gjithë minoriteteve, duke përfshirë edhe 10 numrat e minoritetit serb, shumicën prej të cilëve i ka Lista serbe.

“Duke mos i pasur numrat e nevojshëm, koalicioni PAN do të duhet që të ulet me Listën serbe dhe t`i nënshtrohet kushteve të saj. Një ndër kushtet e saj është bërë e ditur, ata kërkuan një nga postet kyçe të udhëheqjes në Kosovë, qoftë kryetarin e parlamentit, presidentin ose kryeministrin, gjë që nuk besoj që do t`i jep PAN-i”, ka thënë Selimi për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se përveç këtyre kushteve, me Listën serbe në koalicion duhet të heqësh dorë nga ushtria e Kosovës dhe duhesh të garantosh shtyrjen përpara të “Zajednicës”.

“Sipas marrëveshjes në Bruksel, jo sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe shumë e shumë kushteve tjera, ata i kanë gati që t`i parashtrojnë secilës qeveri që ka nevojë për ta”, ka thënë Selimi.

Po ashtu, ai ka shtuar se VV-ja është kundër formimit të ndonjë qeverie që formohet me Listën Serbe, pasi do të ishte një qeveri e ngelur peng i interesave të Serbisë në Kosovë.

“Lëvizja Vetëvendosje mendon se asnjë qeveri nuk duhet që të formohet në bisedime me Vuçiqin ose në bisedime me Listën serbe, sepse cilado qeveri që do të ketë votat e saj dhe do të formohet me Serbinë përkatësisht me Listën serbe, do të jetë një qeveri e hendikuar dhe gjithsesi një qeveri e ngelur peng i interesave të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Selimi për “Bota sot”.

Për më tepër, ai e ka ritheksuar se as PAN-i, as cilido koalicion sot e as cilado qeveri nesër e në të ardhmen, nuk duhet të formohet me bisedime dhe në varësi të Listës serbe.

Serbia, përmes Listës serbe hisedare në Qeverinë e Kosovës

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri, ka thënë se Serbia ka penguar Kosovën në procese të rëndësishme ndërkombëtare dhe se një koalicion i tillë do të vështirësonte më shumë funksionimin e shtetit të  Kosovës.

“Nëse merren parasysh raportet me Serbinë, dhe orvatjet e kësaj të fundit për ta penguar Kosovën në procese të anëtarësimit në organizmat ndërkombëtar, por edhe përmes minoritetit serb, ta vështirësojë  sa më shumë  funksionimin e shtetit të Kosovës, një  koalicion në mes të PAN dhe Listës serbe, do të ishte i dëmshëm për Kosovën,  në funksionimin e saj si shtet, por edhe për proceset integruese të  aj, dhe po ashtu edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës, në bazë të  Kushtetutës”, ka thënë Haziri për “Bota sot” .

Ai ka theksuar se në këtë mënyrë Serbia përmes Listës serbe do të bëhej “hisedare” e Qeverisë së Kosovës dhe se ky shtet po tenton të  jetë sa më prezent në Kosovë.

“Me anë të këtij koalicioni, Serbia përmes Listës serbe, sikur do të bëhej hisedarë në Qeverinë  e Republikës së Kosovës, dhe kjo mund të  parashikohet shumë  lehtë se cilat do të ishin dëmet për Kosovën. Ne jemi dëshmitarë të asaj se Lista serbe, nuk mbron interesat e qytetarëve serb të  Kosovës, por thjeshtë është si Kali i Trojës për Serbinë në Kosovë, përmes së  cilës Serbia po tenton të jetë sa më prezente në Kosovë dhe jo vetëm për shitjen e minoritetit serb në  Kosovë”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Haziri: PAN dhe Haradinaj do të shantazhohen nga Srpska

Ai i ka sugjeruar koalicionit PAN dhe kandidatit për kryeministër Haradinaj që të mendojnë para se të hyjnë në koalicion.

“PAN dhe Ramush Haradinaj, duhet të mendojnë mirë para se hyjnë në koalicion me Listën serbe, se çfarë stabiliteti politik dhe çfarë qeverie të qëndrueshme  do të  bënin në rast se kjo qeveri mbahet në  saje të votave të Listës serbe, e cila gjithnjë  do ta mbante nën shantazhim vet pretendentin për kryeministër Haradinaj dhe qeverinë  e Kosovës. Kujtojmë se Lista serbe, edhe gjatë fushatës zgjedhore, jo vetëm që u mbështet nga Beogradi zyrtar, por thjeshtë tregoi hapur se ky formacion politik serb nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe me ngulm kërkon realizimin e Asociacionit të  Komunave serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit, duke i përjashtuar vërejtjet që i janë bërë kësaj marrëveshje nga Gjykata Kushtetuese, dhe synimi i tyre tjetër kryesor është pengimi i transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës”, ka thënë ai.

Po ashtu, Haziri ka thënë se një shumicë e thjeshtë brenda saj edhe Lista Serbe, do të jetë një qeveri shumë fragjile dhe që ndryshueshmëria e saj do të matej me javë apo edhe më muaj, por do të ishte shumë e dëmshme për vendin, pasi Kosova nuk e ka komoditetin që të organizojë zgjedhje çdo 6 muaj apo çdo një vit.

Ajeti: Me Listën serbe e shkarkuan Qeverinë, tash e bëjnë faktor në Kosovë

Image
Ajet Avdyli

Ndërsa, analisti tjetër, Ajet Avdyli ka thënë se Kosova është gjendur në një situatë, e cila kërkon zgjidhje dhe reflektim prej partive politike.

“Pas rrëzimit të Qeverisë së Isa Mustafës dhe organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, Kosova ka hyrë në një fazë por edhe një krizë pa shtegdalje, urojmë që të gjenden forma që të ecet tutje, por do të jetë goxha e vështirë. Tani e kemi një situatë e cila ka krijuar kriza, pikërisht me veprimet e atyre që janë mësuar të shkaktojnë gjithmonë kriza të tilla. U rrëzua një Qeveri pa kurrfarë arsyetimi, por që ishte apetit i PDK-së, e kryetarit të saj Kadri Veselit”, ka thënë Avdyli.

Po ashtu, ai ka theksuar se në shikim të parë, duket shumë e paqartë, një njërën anë fitues është koalicioni PAN, ndërsa në anën tjetër, është një shumicë e cila i ka fituar mandatet e nevojshme për ta bërë Qeverinë dhe për t’i krijuar institucionet e shtetit, por që problem kryesor, sipas tij, do të jetë Gjykata Kushtetuese.

“Në këtë kohë, kur po presim certifikimin e rezultateve përfundimtare të dala nga zgjedhjet e 11 Qershorit, sikur kanë filluar presionet, gënjeshtrat e shantazhet e PAN-it, se ne i kemi votat, se ne do t’i bëjmë institucionet, se tani është punë e kryer. Por po harrojnë një gjë, se votat e mjaftueshme nuk i kanë, kjo i bie se i kanë fituar gjithsejtë 39 mandate, që nuk janë të mjaftueshme, për krijimin e institucioneve të Kosovës. Tendenca për ta bërë Qeverinë dhe për  t’i krijuar institucionet e Kosovës me Listën Serbe, e cila dihet se është vazale e Beogradit dhe e Vuçiqit, nuk është asgjë tjetër pos, ta bëjë Listën Serbe hisedar me votë në Parlamentin e Kosovës, kjo i bie, që Lista Serbe të jetë faktor, e të faktorizohet si parti politike, e cila e kërkon hisen e vet, por rreziku qëndron në atë se, me Listën Serbe po duan t’i japin legjitimet Beogradit në Kosovë, por po duan që Listën Serbe ta faktorizojnë para faktorit ndërkombëtar, si pjesë përbërëse e institucioneve të Kosovës, por edhe si faktor me votë, për krijimin e institucioneve në Kosovë”, ka thënë Avdyli për “Bota sot”.

Në fund, ai ka shtuar se me Listën Serbe e kanë shkarkuar Qeverinë, “e tani po del që paraprakisht ata qenkan marrë vesh që Listën Serbe ta bëjnë faktor në Kosovë”.

“Mendoj se një tendencë e tillë nuk i shkon për shtati Kosovës. Mendoj se institucionet e Kosovës duhet t’i krijojë ai subjekt apo ai koalicion që i ka 61 vota, pa Listën Serbe, e assesi nuk guxon të sprovohemi me Listën Serbe, kur kemi parasysh problemet që i kemi me Serbinë, por edhe me serbët e Kosovës, të cilët as një hap nuk e qesin pa marr vesh me Vuçiqi”, ka thënë Avdyli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat