Dyshja që dështuan diplomacinë e Kosovës

Politika

Dyshja që dështuan diplomacinë e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 7 korrik 2017 Në ora: 11:08
Hashim Thaçi dhe Enver Hoxhaj

Diplomacia e Kosovës sikur ka filluar të çalojë kohët fundit, si në çështjen e njohjeve të reja, ashtu edhe në  çështjen e anëtarësimeve në organizatat qoftë rajonale apo ato ndërkombëtare.  Deri më tash, Kosovën e kanë njohur vetëm 114 shtete.

Njohësit e çështjeve politike kanë pohuar se diplomacia e Kosovës më shumë njihet për deklarata politike dhe bombastike, se sa për punë të dukshme dhe rezultate diplomatike. Sipas tyre, bllokimi i procesit të njohjeve për Kosovën është rezultat i mos punës së institucioneve, pasi gjatë kohës sa Hashim Thaçi ishte Ministër i Jashtëm, nuk bëri asgjë në këtë drejtim, përveçse shërbeu si trampolinë për t'u bërë president.

Ndërkohë edhe përkundër insistimit nga “Bota Sot” për të marrë ndonjë deklaratë në lidhje me këtë çështje Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka kthyer asnjë përgjigje në lidhje me këtë rast.

Mungesa e strategjisë

Image
Albinot Maloku

Politologu Albinot Maloku ka pohuar se subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit, asnjëra nga ato nuk prezantuan strategji e plan se si do ti qaset qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës çështjes së njohjeve nga ato vende që ende nuk e kanë pranuar ende ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Sipas tij, kjo pa dyshim është një fatkeqësi, nisur nga nevoja e madhe e Kosovës për tu pranuar në ato gjeografi shtetesh që ende nuk e njohin si të pavarur.

“Nëse nuk ka një mundësi që të binden sa më parë e ta njohin Republikën e Kosovës pesë shtetet e BE-së, jam i bindur se në hapësirat tjera gjeografike ka mundësi të ndodhin njohje të reja për vendin. Ministria e Jashtme e Kosovës nën drejtimin e Enver Hoxhajt në të dy mandatet e tija është dominuar më së shumti nga skandalet. Ajo që po e rrënon dikasterin e diplomacisë së vendit tonë prej ministrit të parë të jashtëm e deri tek ky i fundit është nepotizmi politik e familjar, mbytja e profesionalizmit si pasojë e këtij nepotizmi, por edhe situata politike e vendit, që në politikën e jashtme është reflektuar shumë”, është shprehur Maloku.

Ai ka theksuar se ngritja dhe përparimi i këtij dikasteri qeveritar, që domosdoshmërish i nevojitet shtetit të Kosovës, nuk e besoj se do të ndodhë, përderisa ajo ministri vazhdon të konsiderohet rehatuese për argatët politikë si të ministrit Hoxhaj, si të politikave të cilat mund të drejtohen sipas “rregullave” të ndërtuara nga ky ministër.

“Ministri Enver Hoxhaj e edhe qeveria e kaluar nën drejtimin e Isa Mustafës nuk sollën asnjë dinamik kur flasim për njohjet dhe angazhimin e diplomatëve aktual në njohjet e reja për Kosovën. Veç kësaj, diplomatët aktual asnjëri nuk që adresa e cila ka orientuar vëmendjen e investitorëve të huaj në vendin tonë. Kur flasim për diplomacinë e Kosovës prioritet parësor i Qeverisë së re, e posaçërisht i Ministrisë së Punëve të Jashtme të shtetit të Kosovës vazhdon të ngelet gjetja e të gjitha metodave për rritjen e numrit të njohjeve nga shtete të ndryshme të botës. Për Republikën e Kosovës nuk ka njohje kualitative e kuantitative, por të gjitha janë kualitative. Momentet dhe rastet nuk duhet të ikin, e të cilat ndodhin në diplomacinë botërore e të mos shfrytëzohen me mençuri në avantazh për Kosovën”, ka thënë politologu Maloku.

Nënshtrimi nuk e ndihmon raportet e shëndosha

Image
Hidajet Ahmeti

Ndryshe, analisti politik Hidajet Ahemti ka deklaruar se politika e jashtme duhet të punojë e veproj brenda kornizës së reciprocitet, por jo nënshtrimit e servilizmit, të cilat nuk ndihmojnë të ndërtohen raporte të shëndosha bilaterale e multilaterale në mes shteteve.

“Ministria e jashtme më shumë prinë për shpenzime enorme nga zyrtarët e kësaj ministrie, me vizitat e tyre të luksit,  e të cilat nuk sjellën as suksesin me të vogël për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në raport ndërkombëtar , të cilat  shpenzime do të ishin përkthyer në njohje. Pa marr parasysh grumbullit të institucioneve apo aktorëve shtetërorë që ndikojnë në diplomacinë shtetërore, barra për dështimin e kësaj bie mbi ministrin i cila ka udhëhequr me Ministrinë e punëve të jashtme, pasi që nuk ka pasur një strategji afatgjate për konsolidimin  e shtetësisë së Kosovës në raport ndërkombëtar”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, organizatat ndërkombëtare funksionojnë brenda kornizës institucionale e me misione të caktuara ndërkombëtare, të cilave politika duhet të  ju përshtaten shtetet pretendonte, por jo misionet ndërkombëtare të tjetërsohen duke ju përshtatur politikave të brendshme të shteteve .

“Kosova si shtet nuk ka vepruar e punuar brenda kornizave institucionale e politikave të caktuara të organizatave ndërkombëtare, por brenda politikave ditore të cilat nuk na dërgojnë në adresën e caktuar. Logjika e funksionimi të mekanizmave institucional shtetëror ka vepruar pa strategji afatgjate, e cila është përkthyer në stagnim të proceseve integruese, dhe me kontinuitetin e politikave të njëjta kemi të njëjtin skenar të përfundimit”, është shprehur Ahmeti.

Njohësi i çështjeve politike dhe kandidati për deputet në VV, Sadri Ramabaja ka thënë se Republika e Kosovës është degraduar në pothuajse kauzishtet.

Dështimet

Image
Sadri Ramabaja

Sipas tij, investimi i Serbisë për ta mbajtur Kosovën në stadin e shtetit në dështim, tashmë po jep frutat e tij.

“Kjo ka ndodhur meqë të ashtuquajturat parti politike janë kuaziparti. Hiq VV dhe ndonjë parti tjetër pa peshë, të tjerat janë pjesë e mafias politike. Si të tilla ato nuk kanë plane për ngritjen e Republikës, rrjedhimisht as të politikave të jashtme. Prandaj gjendja është alarmante. Nuk ishte dështim vetëm Ministria e Punëve ët jashtme e legjislaturës së kaluar, por ishte dështim komplet qeveria. Ndërkaq MPJ për rrjedhojë, meqë është pasqyra më reale e këtij dështimi, reflektoj ndjeshëm. Fillimi i bisedimeve që kanë për bazë interesat serbe në Kosovë, që qenë promovuar me Marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe vazhduan e u thelluan me atë të 25 gushtit 2015, definitivisht e bënë Beogradin bashkëqeverisjes në Kosovë. Prandaj dështimi i MPJ ishte produkt i këtyre politikave që kanë promovuar Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, dy marionetat e shërbimeve antishqiptare”, është shprehur Ramabaja.

Magjistri i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj, ka thënë se diplomacia e Kosovës për fatin e saj, më shumë njihet për deklarata politike dhe bombastike, se sa për punë të dukshme dhe rezultate diplomatike.

Image
Sami Blakaj

“Diplomacia jonë është akoma në fazën e saj të „rinisë“ dhe si e tillë vuan nga protagonizmi dhe bajraktarizmi. Dhe kjo është e rrezikshme për Kosovën dhe konceptin e saj diplomatik. Në marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi dhe veçmas në diplomaci, asnjëherë deklaratat dhe premtimet nuk guxojnë t’u paraprijnë rezultateve, por e kundërta, rezultatet janë ato që duhet paraprirë deklaratave. Dhe kjo për faktin e thjeshtë, sepse çdo deklaratë e ngutur dhe e pamatur, mund të dëmtoj seriozisht marrëdhëniet diplomatike ndërshtetërore që në rastin e Kosovës ndër të tjera i dëmton edhe njohjet”, ka thënë Blakaj.

Njohjet u ndërprenë që nga koha e Pacollit

Ndërsa analisti politik Imer Mushkolaj, ka deklaruar se bllokimi i procesit të njohjeve për Kosovën është rezultat i mos punës së institucioneve. 

Image
Imer Mushkolaj

Sipas tij, gjatë kohës sa Hashim Thaçi ishte Ministër i Jashtëm, nuk bëri asgjë në këtë drejtim.

“Ai post atij i shërbeu vetëm si trampolinë për t'u bërë president. Hoxhaj po përpiqet që të punojë në këtë drejtim, por është shumë e vështirë, pasi që do të duhej të kishte angazhim të vazhdueshëm. Çështja e njohjeve nuk duhet të jetë punë sezonale, por përveç ministrit të Jashtëm, përgjegjës për njohjet është edhe presidenti, i cili është izoluar nga bota demokratike dhe mundësitë e vetme i ka të vizitojë qytete e fshatra brenda Kosovës”, ka thënë analisti politik Mushkolaj.

Politologu Kushtrim Kadriu, ka thënë se Ministri ka pohuar, se që nga koha kur ishte në qeveri Bexhet Pacolli disi është ndërprerë dhe është ndaluar procesi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.

Image
Kushtrim Kadriu

“Këtu duhet ndërruar qasje e duhet gjetur personat që kanë ndikim në kanalet diplomatike. Qeveria e këtij e vendi duhet të caktojë një limit të realizimeve të punëve dhe objektivave në rast mos realizimi të detyrave. Pra duhet zëvendësuar, degraduar apo nëse kanë merita duhet graduar më lartë. Ministri Hoxha edhe më herët kur ka bërë vizata jashtë vendit, i njëjti ka dalë me deklarime pompoze, por njohjen e Kosovës, por në realitet nuk ka siguruar asgjë, prandaj nuk mundet një kategori e tillë e nivelit të Hoxhaj të sjellë njohje”, ka thënë Kadriu.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi, ka pohuar se njohja e shtetësisë së Kosovës është interes kombëtar të cilit i nevojitet mbështetja e të gjitha subjekteve politike. 

Image
Arbër Gashi

“Dihet tash që ngecjet në këtë drejtim kanë ardhur si rezultat i situatës së gjithmbarshme në Republikën e Kosovës, ku rolin e vet negativ e ka lozur Partia Demokratike e Kosovës. Dështimi në UNESCO i ka dhënë një ‘shuplakë’ tjetër Kosovës. Dihet tashmë që ngecjet në këtë drejtim kanë ardhur si rezultat i situatës së gjithëmbarshëm në Republikën e Kosovës, ku rolin e vet negativ e ka lozur Partia Demokratike”, ka thënë Gashi.

Dështimi në UNESCO

Sipas tij, dështimi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO i ka dhënë një shuplakë të nxehtë diplomacisë shqiptare në përgjithësi.

“Premtime bosh për Kosovën në njërën anë dhe marrëveshje e fitore diplomatike për Serbinë në anën tjetër”, ka thënë Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat