“Ramush Haradinaj shembull i keq, nuk mund t’i besohet qeverisja”

Politika

“Ramush Haradinaj shembull i keq, nuk mund t’i besohet qeverisja”

Nga Më 16 korrik 2017 Në ora: 08:21
Ramush Haradinaj

Koalicioni PDK-AAK-Nisma, vazhdon të këmbëngulë se i ka siguruar numrat për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kandidati për Kryeministër i këtij koalicioni Ramush Haradinaj, ka deklaruar se PAN i ka siguruar numrat dhe se nuk bëhet fjalë për kontrabandim të deputetëve, por për vullnet të lirë të bazuar në respekt.

“Ajo që mundem me konfirmuar është që ne votë kemi për Qeverinë, 61 + e kemi me votë të dakorduar e të konfirmuar me pakicat dhe deputetë të tjerë të zgjedhur. Duhet të gjithëve me ju thanë: Bëhuni gati për një Qeveri Haradinaj. 4 vjet keni me e pas në Kosovë. Bëhuni gati me i pranuar rezultatet e kësaj Qeverie se ka me qenë e mirë për fëmijët tuaj”, ka thënë Haradinaj.

Por, në Lëvizjen Vetëvendosje, që doli parti fituese e zgjedhjeve të mbajtura më 11 qershor, kanë thënë se këmbëngulësia e Haradinajt për t’u bërë kryeministër i Kosovës, është e pakuptueshme, madje, sipas tyre, është një “lloj çmendurie”.

Zëdhënësi për media nga Vetëvendosje Shkodran Hoti, përmes një postimi në Facebook ditë më parë, ka deklaruar se Haradinaj duhet ta kuptojë se historia e lavdishme e tij ka mbaruar gjatë kohës kur njihej me nofkën "Smajli".

Image
Shkodran Hoti

“Sinqerisht është rast për studim ky insistimi i Haradinajt për postin e kryeministrit tash e sa vite. Disi sikur ka filluar të besojë se i takon gjithsesi ai post, në çdo variant. Këmbëngulësia e tij është e pakuptueshme dhe një lloj çmendurie. Haradinaj duhet ta kuptojë se historia e lavdishme e tij ka mbaruar gjatë kohës kur njihej me nofkën "Smajli". Në politikë, figura e tij secilën herë po bëhet më tragjikomike”, ka shkruar Shkodran Hoti në Facebook.

Hoti: Ramushi iu nënshtrua PDK-së, nuk është person i duhur për qeverisje

I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, Hoti ka shpjeguar se pse sipas tij “epoka e lavdishme e Haradinajt ka përfunduar”.

Ai ka thënë se kreu i AAK-së, duke mos pasur qëndrime jokonsistente e duke iu nënshtruar edhe PDK-së, nuk ka dhënë shembull të mirë, me të cilin, sipas tij, mund të krenohet qytetarët e Kosovës.

Zëdhënësi i VV-së, ka theksuar se me konsistencë të tillë, Haradinaj nuk është person i duhur për t’ia besuar qeverisjen në nivel vendi.

”E kam thënë në atë kuptimin që Haradinaj ka qenë jo konsistent në veprimet e tij politike, që iu ka nënshtruar PDK-së, duke hyrë në koalicion. Nuk ka pasur qëndrime konsistente për gjatë gjithë kësaj kohe. Mendoj se ai personalisht, por edhe subjekti i tij politik, në kohën sa ka qenë kryeministër, nuk ka dhënë shembull të mirë apo shembull më ndryshe se sa dy partitë e tjera. Përveç kësaj, mendoj që ata edhe në qeverisjen lokale nuk kanë dhënë ndonjë model, me të cilin ia vlen që të krenohen.  Me konsistencë të tillë, mendoj se Ramushi nuk është person i duhur për t’ia besuar qeverisjen në nivel vendi a nivele tjera”, ka deklaruar për “Bota sot” Shkodran Hoti.

Miftari: Koalicioni me Klanin “Pronto”, gabimi jetësor i Haradinajt

Duke komentuar në lidhje me këtë deklaratë të Hotit, ish-eprori i UÇK-së dhe ish-anëtari i SHIK-ut Naim Miftari, ka thënë se me koalicionin e klanit “Pronto”, Haradinaj ka dhënë vetëm zhgënjim.

Image
Naim Miftari

Sipas tij, bashkimi me PDK është gabimi jetësor i Ramush Haradinajt.

“Ramush Haradinaj ka mundur t’i jepte shumë Kosovës, pasi edhe ka dhënë gjak dhe djersë, por ai tani s’mund t’i jap asgjë tjetër pos zhgënjim me Hashim Thaçin dhe klanin “Pronto” bashkë. Ramushi kësaj radhe u rreshtua bashkë më ata që kanë shkelur amanetin e dëshmorëve, me ata që e kanë gjakos Kosovën dhe kanë mbjell vëllavrasje në Kosovë (edhe Ramushit i kanë mbjellë vëllavrasje). Ai nuk mund të qeveris me ata që e kanë shkelur gjakun dhe djersën e popullit, duke i materializuar në pasuri marramendëse. Gabimi jetësor i Ramushit është rreshtimi me “Al Kapo bosat”, që e kanë shitur Kosovën, e kanë izoluar, e kanë varfëruar, e kanë etiketuar si çerdhe të ISIS-it, ata që nuk e dënuan asnjë kriminel serb gjerë më sot për krimet dhe gjenocidin që i bëri Serbia vendit tonë”, është shprehur Miftari.

Ai ka thënë se Haradinaj është rreshtuar me ata, të cilët sipas tij, kanë dashur ta vrisnin në Klinë gjatë zgjedhjeve lokale vite më parë.

“Ramushi është rreshtuar me ata që deshën ta vrasin në Klinë gjatë zgjedhjeve lokale më parë, kur dhjetëra kallashnikov ia zunë priten, por e parandaloi atë masakaër një komandant, sot deputet i VV-së. Ramushi u rreshtuar me ata njerëz që janë të zënë nga dosjet e UDB-së si bashkëpunëtor të tyre dikur dhe sot. Ramushi u rreshtua me njerëz që e kanë shitur dhe e kanë falur pasurinë e Kosovës biznesmenëve serb. Ramushi mund të bëhet kryeministër, por me këtë formulë, që e ka tani për tani, s’ka çka i duhet as posti i kryeministrit, pasi do ta nënvlerësoi dhe devalvoi vetveten”, ka thënë më tutje Naim Miftari.

Ai ka shtuar se me “Klanin Pronto” në Qeveri, timonin e ka presidenti Hashim Thaçidhe Kadri Veseli prapë.

Sa i përket deklaratës së zëdhënësit të VV-së Shkodran Hoti për storien “Smajli”, sips Miftarit nuk është mirë të flitet nga askush pa verifikim.

“Sa i përket deklaratës së zëdhënësit të VV-së Shkodran Hoti për storien “Smajli”, sipas Miftarit nuk është mirë të flitet nga askush pa verifikim. Partitë politike shqiptare në Kosovës duhet t’i ulin tonet fyese dhe të bashkëpunojnë ndër vete e të mos e sjellin punën deri aty që kryeministri qeverinë të na formoi Beogradi. Kosova nuk e ka luksin t’i ketë partitë shqiptare të armiqësuara, pasi kjo armiqësi është e mbjellur nga armiqtë tan, pasi nëse kryeministri vjen me ndihmën e votave të Beogradit, Haradinaj duhet të ketë shumë kujdes. I kisha lutur partitë politike të bashkohen, lini interesat personale sot o kurrë ju duhet unitet e pse të mos t’i kemi 100 vota shqiptare në një vend kur e do atdheu”, ka përfunduar Naim Miftari për “Bota sot”.

Ndonëse gazeta ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga partia e Haradinajt, ata nuk kanë dashur të prononcohen për këtë çështje. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat