Përafrimi i qëndrimeve të LDK-së dhe VV-së, shumica shqiptare ta formojë Qeverinë

Politika

Përafrimi i qëndrimeve të LDK-së dhe VV-së, shumica shqiptare ta formojë Qeverinë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 korrik 2017 Në ora: 14:13
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Përafrimi i qëndrimeve të VV-së dhe LDK-se sa i përket një programi qeveritar që do ti garantonte Kosovës një zhvillim të qëndrueshëm dhe fillimin e një stabiliteti politik dhe ekonomik të Kosovës. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke thënë se një mundësi të tillë për ti dhënë Kosovës një qeveri kredibile e kanë vetëm këto dy subjekte politike të cilat mund edhe të arrijnë dakordim për koalicion për të qeverisur vendin.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, ka treguar për “Bota sot”,  se çfarë është diskutuar në takimin e mbajtur ditë më parë.

“Takimi është mbajtur sot. Diskutimi ka qenë mbi rrugën që do ta ndjekin përpara dhe mbi çështjet programore që mundësojnë këtë ndryshim për të cilin jemi të interesuar”, ka thënë Hoti për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Shumica shqiptare duhet ta formojë Qeverinë

Politologu Faik Krasniqi ka pohuar se sipas deklaratave për media nga zyrtarët e të dyja partive, është diskutuar mbi rrugën përpara dhe disa çështje programore, por ende të dyja partitë janë larg pajtimit se kush do të udhëhiqte një qeveri të mundshme të përbashkët.

“Albin Kurti, kandidat për kryeministër i Vetëvendosjes pati thënë në Zona e Debatit në Klan Kosova se në takim kanë folur për çështje madhore e jo për ndarje pozitash në një qeveri eventuale mes tyre. Por, konsideroj që edhe VV-ja edhe LDK-ja duhet ti harmonizojnë sa më shpejt programet e tyre, në mënyrë që këto dy parti ta udhëheqin Qeverinë. Kam thënë shumë herë që shumica shqiptare duhet ta formojë Qeverinë, që mos të lihet vendi në duart e Listës Serbe. Dhe një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm VV-ja dhe koalicion LAA, sepse kanë 61 deputetë shqiptarë, por njëkohësisht nxjerrin nga loja edhe “Klanin Pronto”, ka thënë politologu Krasniqi.

Image
Nexhat Haziri

Përafrimi i qëndrimeve të VV-së dhe LDK-së

Opinionisti Nexhat Haziri ka pohuar se është shumë me rëndësi përafrimi i qëndrimeve të VV-së dhe LDK-se sa i përket një programi qeveritar që do ti garantonte Kosovës një zhvillim të qëndrueshëm dhe fillimin e një stabiliteti politik dhe ekonomik të Kosovës.

Ai ka vlerësuar se ky program kërkon një ekip qeveritar profesional dhe një menagjer të mirë, pra një kryeministër që është i aftë për tu përballur me sfidat që kërkon vendi.

“Një mundësi të tillë për ti dhënë Kosovës një qeveri kredibile e kanë këto dy subjekte politike nëse arrijnë dakordim për koalicion për të qeverisur vendin. Takimet e shpeshta te këtyre dy subjekteve japin shpresë për një dakordancë mes tyre për qeverisjen e vendit, gjithnjë nëse nuk i vejnë interesat e tyre të ngushta partiake, dhe i vejnë në rend të parë interesin e Kosovës. Ky koalicion do të ishte edhe një shpëtim që vendi mos të hyjë në një situatë të paqëndrueshme politike që do të kishte pasoja të mëdha për zhvillimin ekonomik, integrimet euro-atlantike, mos formimin e ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, kjo paqëndrueshmëri politike e institucionale do të jetë si rezultat nëse evetualisht PAN formon qeverinë duke u varure nga votat e Listës serbe e cila sipas urdhrave të Beogradit do ti bllokonte të gjitha vendimet madhore për vendin.

“Prandaj është në interes të Kosovës dhe perspektives së sajë që qeveria të formohet nga LV dhe LDK, të cilat do të përbënin një shumicë shqiptare që nuk do të mund të shantazhohej dhe të bllokohej nga Beogradi përmes Listës serbe”, është shprehur opinionisti Haziri.

Image
Skender Zogaj

 

Harmonizimi i programit i vështirë

Ndryshe analisti politik Skender Zogaj ka thënë se pikëpamjet dhe programet e LDK-s dhe të Lëvizjes Vetëvendosja janë diametralisht të kundërta, prandaj edhe vështirë mund të harmonizohen përmbajtësisht.

Sipas tij, në politikë, sidomos në kushte e rrethana të veçanta, gjithçka është e mundshme, gjë që nuk mund të përjashtohet edhe mundësia e marrëveshjeve bashkëpunuese, nëse partitë politike e tejkalojnë interesat partiake për t’u shërbyer interesave të vendit dhe të popullit, sidomos kur ndodhen para krizash që mund të rrezikojnë fatin historik të shtetit.

“Duke qenë se në një kësi situatë ndodhet Kosova, është krejtësisht normale që LDK-ja dhe LVV-ja të bisedojnë dhe të shprehin dëshirat e tyre të mira për marrëveshje bashkë qeverisëse, për të mos e lejuar gremisjen e vendit. Në rastin konkret të LDK-s dhe LVV-s dëshira e mirë është e kushtëzuar nga qëllimi kryesor partiak për marrjen e qeverisjes së vendit, atëherë harmonizimi i pikëpamjeve është shumë i vështirë, gadi-gadi i pamundur, sepse, kërkesat partiake janë fiktive, dhe kanë të bëjnë me postin e kryeministrit, dhe kjo e pamundëson marrëveshjen. Këto janë tema e bisedimeve ndërmjet LDK-s dhe LVV-s, që krahas vullnetit për përafrimin e qëndrimeve, kanë edhe këmbëngulje në disa kërkesa që kanë të bëjnë me primatin qeverisës. Deri më tani qartë dhe fuqishëm dy partitë janë deklaruar se pajtohen plotësisht për mposhtjen e PAN-it, qëndrim ky që, në saje të deklaratave të deritashme është definitiv”, është shprehur Zogaj.

Numrat e PAN-it i konvenojnë LDK-së dhe LVV-së

Ai ka pohuar se nëse ky qëndrim mbahet, atëherë zgjidhja është e përcaktuar, PAN-i nuk i ka numrat dhe LDK e LVV, e kanë shansin e formimit të qeverisë.

“Kjo mund të ndodh, mirëpo, kjo zgjidhje le shumë për t’u dëshiruar sepse, edhe LDK-ja edhe LVV sakrifikohen shumë, sepse, qartë tregojnë se, idealet partiake i sheshin për marrjes të pushtetit! Kjo do të ishte shumë zhgënjyese për elektoratin e tyre, kështu që, të dy partitë do të përjetojnë lëkundje të forta në radhët partiake. Në këtë situatë, dy partitë duhet të mendojnë shumë, sidomos LDK-ja, së cilës kësaj radhe më së shumti i konvenon mbetja në opozitë, sepse është mënyra më e mirë e rikthimit të forcës partiake në elektorat. Edhe Vetëvendosja duhet të llogarisë mirë me kapitalin e fituar në zgjedhjet e fundit, sepse, nuk duhet të tentoj që me çdo kusht të merr pushtetin. Bile-bile, edhe LDK-s edhe LVV-s u konvenon shumë nëse PAN-i i bën numrat për qeverisje me Listën Serbe, sepse, kjo do të ishte një vetëvrasje e rëndë për të gjithë partnerët e koalicionit, e sidomos për AAK-n dhe NISME-n, që do të njolloseshin tepër keq dhe përjetësisht!” ka thënë analisti politik Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat