Shtëpia e Presidentit Rugova “faltore” për faljen e mëkateve të Ramush Haradinajt

Politika

Shtëpia e Presidentit Rugova “faltore” për faljen e mëkateve të Ramush Haradinajt

Nga: Bota sot Më: 21 korrik 2017 Në ora: 21:57
Foto majtas, Ramush Haradinaj duke shtrënguar duart “ngrohtësisht”, personin e arrestuar i cili është i burgosur për dërgimin e granatës ruse në adresë të gazetës “Bota sot” në Zvicër, në vitin 2002. Foto djathtas: Ramush Haradinaj gjatë ditës së premte duke dalë nga rezidenca e Presidentit Rugova në Velani.

Thonë se e vërteta vonon por nuk harron asnjëherë. Të enjten në mbrëmje gazeta “Bota sot”, publikoi detaje të rëndësishme nga rasti i atentatit me granatë ruse në redaksinë e saj, më 27 shtator 2002 në Zvicër.  Ai po mbahet i arrestuar në burgun e Aeroportit të Cyrihut në Zvicër. Si për çudi, lajmi që do të duhej të ishte më i rëndësishmi i këtyre ditëve në Kosovë, u hesht. Heshtën mediet e dirigjuara nga SHIK-u, të cilat jo pak herë bëjnë thirrje për mbrojtje të lirisë së shtypit. E si mund të flitet për fjalën e lirë, kur të njëjtat media nuk reagojnë për jetën e të paktën 12 gazetarëve të gazetës “Bota sot”,  që vetëm mrekullia i ka shpëtuar. Atyre nuk u bëri përshtypje vendimi i Gjykatës Federale të Zvicrës për të mos u mbajtur sekret çështja e atentatit me granatë ruse ndaj gazetës “Bota sot”.

Dërguesi i granatës ruse është bashkëpunëtor i kandidatit për Kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj. Në fotografitë që i ka gazeta “Bota sot”, Leši (Lleshi), shihet teksa shtrëngon duart miqësisht me Ramush Haradinajn e AAK-së.

Si për ta lënë në hije rastin granatës dhe dërguesit të saj në redaksinë e gazetës “Bota sot”, mëngjesin e së premtes media të ndryshme, publikuan lajmin se Ramush Haradinaj i koalicionit PAN, bëri homazhe tek varri i Presidentit Rugova. Një inskenim i menduar brenda natës, u bë realitet qysh në orët e hershme të mëngjesit.

Haradinaj, shkoi tek varri i Presidentit Rugova, për të vazhduar pastaj vizitën tek familja e Presidentit. Nëpërmjet tellallëve të tij, Haradinaj dha lajmin se e bija e Presidentit Rugova, deputetja Tetua nga LDK do ta mbështetë atë për kryeministër.

Ky rast na kujton kohën kur, kur Ramush Haradinaj, nëpërmjet  “sejmenëve” të tij, Astrit Haraqija ish ministër dhe Ramë Maraj ish -udhëheqës i Sigurimit të Atdheut,  ishte shfajësuar sa i përket vrasjes së Kolonel Tahir Zemajt, pikërisht me anë të një vizite në shtëpinë e Presidentit Ibrahim Rugova.

Ata i ishin “betuar”, Presidentit Rugova se Haradinaj nuk ka gisht në vrasjen e kolonel Tahir Zemajt.  Duke ditur lidhjet e ngushta të z. Astrit Haraqija, me familjen Rugova konkretisht me Ukë Rugovën, nuk ka se si të mos na shkoj mendja se është pikërisht Haraqija “shkuesi”, i Familjes Rugova tek Haradinaj.

Haraqija, pas takimit të Haradinajt me familjen Rugova ka deklaruar:

“Po shpresojmë që ditë të mira do t’i vijnë Kosovës (Dardanisë)”. E çfarë e mire mund të pritet për Kosovën me njerëz si Haradinaj e Veseli që vetëm shantazhe kanë ditur të bëjnë për vite me radhë. Të njëjtit janë akuzuar edhe për vrasje... Tani, u publikua fakti se ishte pikërisht bashkëpunëtori i Ramush Haradinajt ai që dërgoi granatën ruse në adresën e redaksisë së gazetës “Bota sot”

Kujtojmë, se granata ruse, ishte dërguar në adresë të gazetës “Bota sot”, nga Oerlikoni i Cyrihut të Zvicrës, ku me zyre ishte Kadri Veseli, tani kryetar i PDK-së e në atë kohë shef i Shërbimit Informativ të Kosovës.

E rasti i vizitës së Haradinajt në shtëpinë e Presidentit Rugova nuk mund të quhet ndryshe përveçse shantazh ndaj familjes Rugova dhe mbulesë e lajmit me emrin e dërguesit të granatës ruse nga Oerlikoni që u publikua një natë më parë.

Por, fotografia me të akuzuarin për terrorizëm, nuk është e vetmja e Haradinajt me persona të dyshuar për krime. Në një foto që ka qarkulluar në rrjetet sociale, kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, njëherit edhe lider i AAK-së, Ramush Haradinaj me shihet me Alban Dizdarin, i akuzuar për vrasje të pasluftës si dhe si i përfshirë në trazirat e Marsit të vitit 2004 në Kosovë.

Këto fotografi nuk po u bëjnë përshtypje asnjërit prej zyrtarëve të AAK-së, pasi ata nuk e kanë pohuar as nuk i kanë mohuar e komentuar fotografitë e kreut të tyre me të dyshuar për krime. A mos vallë, kjo po i bie se ata po e pranojnë në heshtje se për bashkëpunëtorë kanë njerëz të përfshirë në raste kriminale, apo edhe po i marrin mbi supe gjithë veprat e tyre?

Foto me këshilltarin e Thaçit, ja si u zbulua i akuzuari për terrorizëm që dërgoi granatën ruse në adresë të gazetës “Bota sot”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat