Rrëfimi për vrasjen e avokatit Manaj dhe dëshmitarit kryesor për këtë vrasje

Politika

Rrëfimi për vrasjen e avokatit Manaj dhe dëshmitarit kryesor për këtë vrasje

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 22 korrik 2017 Në ora: 22:16
Shaban Manaj

Më 23 korrik bëhen plotë 17 vite nga vrasja tinëzare e veprimtarit të shquar të LDK-së  Shaban Manaj.

Vrasja e tij ende ka mbetur enigmë dhe nuk është zbardhur nga institucionet përkatëse.

 Ky rast bëhet edhe më i dhimbshëm për familjarët të cilët kërkojnë zbardhjen e vrasjes së të dashurit të tyre.

Manaj: Besojmë tek Gjykata Speciale

Tani shpresë për ta ka mbetur vetëm Gjykata Speciale, e cila me gjasë do të merret edhe me vrasjet e pasluftës. Shpresat në këtë gjykatë i mbështet edhe djali i veprimtarit të LDK-së, Shkëmb Manaj. Ai thotë për “Bota sot” se besojnë që kjo gjykatë do të trajtoj vrasjen e babit të tij dhe vrasjet tjera me motive politike.

“Unë mendoj se Dhomat e Specializuara kanë mandat lëndor dhe kohor për të trajtuar vrasjen e babait dhe kam bindjen që kjo dhe disa vrasje tjera me motive politike do të jenë pjesë e trajtimit në këtë Gjykatë. Në këto rrethana, konsiderojmë se kjo Gjykatë ka mundësitë që t’i trajtoj dhe t’i zbardh këto vrasje. Ne kemi shpresën e fundit të Dhomat e Specializuara. Përndryshe, do të mbesin enigamtike edhe për shumë vite tjera”, thekson Manaj.

Image
Shkëmb Manaj

Por duke u nisur në atë se çfarë kanë bërë institucionet e vendit për të zbardhur këtë vrasje, Manaj thotë se drejtësia nuk e ka kryer punën e saj.

“Tash jemi në vigjile të 17 vjetorit të vrasjes së babait dhe ende drejtësia nuk e ka kryer punën e saj që të zbardh këtë vrasje makabre me motive politike”, thekson ai.

Dëshimtarët të tregojnë të vërtetën

Por duke u lidhur me ngjarjet e fundit ku ka pasur arrestime për disa të dyshuar për vrasjet e pasluftës, Manaj thotë se mirëpresin secilën përpjekje për zbardhjen e këtyre vrasjeve dhe çmon vullnetin dhe guximin e dëshmitarëve.

“Çdo përpjekje për zbardhjen e vrasjeve me motive politike duhet të përshëndetet si e tillë. Unë çmoj vullnetin dhe guximin e dëshmitarëve që ofrojnë dëshmitë e tyre, duke e kryer kështu një obligim qytetar por edhe ligjor. Njerëzit që kanë qenë të përfshirë në vepra kriminale dhe të cilët janë penduar për veprimet e tyre, barrën e përgjegjësisë së tyre për aktet e kryera, mund ta lirojnë duke treguar të vërtetën, para se gjithash duke dhënë dëshmi për urdhërdhënësit dhe nxitësit e vrasjeve me motive politke”, thekson ai.

Ai thotë se sa i përket arrestimeve të fundit, nuk ka informacion se ndonjëri prej tyre mund të jetë i implikuar në vrsajen e babait të tij.

“Por, çdo hap para drejt zbardhjes së ndonjërës nga vrasjet politike, është pozitive në kuptimin e zbardhjes edhe të vrasjeve tjera sepse skuadrat që kanë kryer aktet kriminale mund të jenë të ndryshme, por ato kanë pasur lidhshmëri njëra me tjetrën dhe kanë qenë të detyruara, urdhëruara dhe nxitura nga një qendër e krimit e cila është përbërë nga njerëz me ndikim në skenën aktuale politike dhe publike të Kosovës, duke mos përjashtuar në asnjë rast lidhjet e tyre me shërbime të ndryshme që kanë punuar dhe punojnë kundër Republikës së Kosovës dhe anëtarësimit të saj dhe rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, thotë Manaj për “Bota sot”.

Prokuroria po merret me rastin

Ndërkaq duke iu referuar rastit të veprimtarit të LDK-së, Shaban Manaj, nga prokuroria thonë se janë marr me këtë çështje në prill të këtij viti. Zëdhënësi i prokurorisë, Ekrem Lutfiu thotë se tani janë në fazën e mbledhjes së dosjeve dhe të dhënave nga UNMIKU dhe po merren me ecurinë e kësaj çështje.

“Prokurorja e çështjes në Prill të vitit 2017 ka marrë në punë rastin e vrasjes së Sh.M. nga Istogu, i cili është gjetur i vrarë me datë 23.07.2000, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës. Lidhur me këtë çështje jemi në fazën e mbledhjes së dosjeve dhe të gjitha të dhënave që kanë të bëjnë me hetimin e kryer nga hetuesit e policisë së atëhershme të UNMIK-ut, prokurorëve të saj por edhe të të gjitha të dhënave nga gjykatat lidhur me ecurinë e kësaj çështje. Pas sigurimit të dhënave më pas do të vendoset për veprimet e mëtejme të kësaj prokurorie”, thotë Lutfiu për “Bota sot”.

Vrasja si kjo e Manajt dhe veprimtarëve, burrave e grave të Kosovës, analisti Skender Zogaj thotë se nuk po zbulohen as tash e sa vite.

“Vrasje politike të burrave dhe grave më të mira të popullit të Kosovës, që edhe 17 vjet pas luftës nuk dihet cila dorë e zezë e tradhtisë i ka vra, janë plaga më e hidhur në zemrat e në ndërgjegjen tonë dhe gur i rëndë në qafën e popullit dhe të shtetit të brishtë kosovar, që po vazhdon të mbetet peng nën kthetrat e kriminelëve”, thekson Zogaj.

Zogaj kritikon heshtjen e deritashme të institucioneve

Sipas tij institucionet e drejtësisë heshtin përballë krimeve të tilla ku janë vrarë personalitete si Shaban Manaj, nga dora gjakatare e antikombëtare.

“Janë qindra vrasje politike që i ka shkaktu  dora gjakatare anti kombëtare, por shteti dhe institucionet e drejtësise heshtin, duke mos guxuar që të zbardhin vrasjet dhe të ua japin dënimin e merituar vrasësve të mallëkuar, që kanë vra personalitetet si Shaban Manaj, një figurë e madhe atdhetare, themelies i LDK-s dhe veprimtar i palodhshëm i kultivimit dhe i përhapjes së frymës rugoviane për çlirimin dhe krijimin e shtetit te lirë e të pavarur të Kosovës”, thekson ai.

Zogaj thotë se shteti nuk duhet të heshtë por të zbardhjet vrasjet edhe të Xhemajl Mustafës, ismet Rrascit, Smajl Hajdaraj, Sebahate Tolaj, Ukë Bytyqit,Ahmet Krasniqi, Tahir Zemajt, ndërsa qytetarët duhet ta ndihmojnë Gjykatën Speciale për të ofruar dëshmi.

“Ky ishte "faji" i Shaban Manajt që u vra tinzisht, nga korbat gjakpirës që qëlluan edhe shokët e tjerë të Shabanit: Xhemajl Mustafën, Ismet Racin, Smajl Hajdarajn, Sebahate Tolajn, Ukë Bytyqin, kolonel Ahmet Krasniqin, Tahir Zemajn..., e rë tjerë, vetëm e vetëm pse e deshën dhe i shërbyen seriozisht vendit dhe popullit të vet. Kjo është një gjëmë e rëndë, sepse këto vrasje janë mallkim që mban peng fatin historik, e lirinë dhe pavarësinë të fituar me sakrifica të jashtëzakonshme. Prandaj institucionet e Kosovës nuk duhet të heshtin, por të angazhohen më seriozisht që të zbardhin vrasjet dhe të nxjerrin para drejtësisë kriminelët. Shteti, por edhe shtetasit kosovar duhet të aktivizohen dhe të ndihmojnë Gjykatën speciale duke ofruar dëshmitë që i kanë sepse kjo është e vetmja mënyrë e luftimit të krimit”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Versioni i Naim Miftarit

Nga ana tjetër, ish anëtari i SHIK-ut dhe eprori i TMK-së, Naim Miftari tregon rrethanat në të cilat është vrarë avokati dhe veprimtari i LDK-së, Shaban Manaj. Ai thotë se qëllimi për vrasjen e Manajt ishte të nxirrt ndonjë informacion me vlerë, pasi Manaj para se të vritej ishte torturuar shumë.

“Sot mbushën 17 vite nga vrasja barbare e Shaban Manajt, i cili u rrëmbye më 23 korrik 2000 dhe u gjet i vdekur më pas në rrethana ene të pandriçuara. I ndjeri ishte ndër themeluesit dhe aktivist i pa lodhshëm i Lidhjes Demokratike Kosovës-Dega në Istog. I ndjeri Shaban Manaj ishte kidnapuar  nga disa persona që sipas  gjitha  gjasash e kanë  torturuar shumë rëndë sikur donin të nxirrnin me çdo kusht ndonjë informacion me vlerë për vrasësit dhe  pastaj për t’i zhduk provat e mundshme, kontaktet sidomos  provat  e AND, ata vrasësit e kishin djegur kufomën  edhe për të mbjellë frikë dhe panik”, rrëfen Miftari.

Image
Naim Miftari

Ai thotë se sipas disa dëshmive në atë kohë dy burra parkuan veturën e tyre  BMË me ngjyrë të kuqe afër shtepisë së Shaban Manajt në Burim. Adresat e kidnapuesve, mbase të ditur por të kamufluar nga mafia politike e Rognerit edhe sot e këtë ditë mbetën prapa perdes.

“Kur  organet e sigurisë kishin  disa  gjurmë  të  besushme ndodhi si  skenar  i frikshëm  kur  e vërteta për vrasjen e Shaban Manajt kishte filluar të dalë sheshazi, ishte përgaditur nga Mafia Politike, vrasja e Mark Oroshit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e avokatit, i cili ishte penduar për këtë krim dhe kishte vendosur të bashkpunonte me gjykatën dhe të tregoj të vërtetën e kësaj vrasje, në të cilën ishin të implikuar njerëz të lartë të politikës. Kjo kishte ndodhur pasi që prokurori ndërkombëtar pistën e dyshimeve e kishte drejtuar, duke e cilësuar vrasjen e Shaban Manajt si viktimë të SHIK-ut”, thekson ai.

Vinte nga hierarkia më e lartë e politikës

Miftari tregon se si ishte organizuar edhe vrasja e dëshmitarit kryesor për vrasjen e Shaban Manajt, Mark Oroshit. Sipas tij, me vrasjen e këtij dëshmitari kanë humbur edhe gjurmët për vrasjen e avokatit Manaj.

“Pas kësaj Mark Oroshi rrezikohet, pati tentim - vrasje ndaj tij, për ta vrarë përfundimisht, më vonë në oborrin e shtëpisë së tij kur u qëlluan  me breshëri armësh automatike për ta vrarë përfundimisht një dëshmitar shumë të rrezikshëm  për disa  politikanë dhe  pushtetarë politik por edhe  dëshmitar  i rrezikshëm edhe për pjesëtarët tjerë të ekipit vrastarë. Më vrasjen e Mark Oroshit u humbën gjurmët e vrasësve të avokatit Shaban Manaj”, thekson ai.

Miftari thotë se përderisa dëshmitari Mark Oroshi nuk u mor në mbrojtje, kjo nënkupton se vrasja vinte nga hierarkia më e lartë e politikës.

“Interesant se organet vendore të sigurisë por as ato ndërkombëtare  nuk e mbrojtën këtë dëshmitar të akuzuar  për  vrasjen  pikërisht  të Shaban Manajt, që nënkuptonin se vrasja  vinte  nga  politika, hierarkia e lartë dhe me këtë donin ta mbyllnin rastin e Sahaban Manjat  përjetësisht”, thotë Miftari për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat