Dosjet që do ta tronditin Kosovën, ligji që po pengohet nga bandat mafioze

Politika

Dosjet që do ta tronditin Kosovën, ligji që po pengohet nga bandat mafioze

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 24 korrik 2017 Në ora: 07:04
Ilustrim

Kritikat dhe akuzat, ndaj personazheve politike, publike, intelektuale apo akademike, se kanë qenë edhe janë bashkëpunëtorë të sigurimit shtetëror serb, apo sigurimeve të tjera, janë bërë përditshmëri në opinionin tonë. Madje, fjalori i tyre është bërë rutinë denigruese dhe fyese, sa që kultura politike ka kaluar në politikë pa kulturë!

Për t’i dhënë fund një praktike së akuzave, do të duhet të iniciohet dhe të miratohet Ligji i Lustracionit (Pastrimit të Figurave), i cili do të hapte një perspektivë të re për vendin tonë, sepse Kosova tash e shtatëmbëdhjetë vite, merret me diskutimin dhe temat, retorikën dhe akuzat, se kush ishte apo është, pjesë e sigurimeve sekrete, civile, shtetërore, apo ushtarake të agjenturave anti- shqiptare. Të tillët që ishin kanë vepruar me tërë potencialin kundër nesh, ata që janë edhe sot, veprojnë pa ndalur duke goditur çdo qelizë të shtetit tonë.

Image
Besa Gaxherri

Ligji i vonuar

Besa Gaxherri, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) ka thënë se në secilin shtet që ka pas regjim, diktaturë si në rastin e Kosovës ku pas një regjimi komunist, ka përfunduar më një luftë të tmerrshme natyrisht se Kosova duhet të ketë Ligjin e Lustracionit i cili sipas saj tashmë është i vonuar.

“Rasti i Kosovës ka specifikat e veçanta, ne kemi pasur dhe kemi problem me pas qasje në arkiva, ne dokumente dhe fakte, ky realitet e benë situatën të komplikuar. Prandaj jemi shumë të vonuar në këtë drejtim ani pse unë mendoj se duhet të fillojmë të merremi më këtë çështje” ka thënë Gaxherri.

Haki Abazi njohës i çështjeve politike në vend ka thënë për “Bota sot” se hapja e arkivave në periudhën komuniste dhe sqarimi i vrasjeve e shqiptareve gjatë dhe pas luftës se dytë botërore janë procese të rëndësishme për Kosovën. Masakrën e Tivarit  dhe masakrat në Drenicë, vrasjen e Shaban Polluzhes dhe të gjitha vrasjet e ish sistemit dhe bashkëpunëtoreve të tij dhe e dyta është hapja dhe vërtetësia e veprimtarisë se SHIK, roli tij gjatë luftës dhe pas.

Image
Haki Abazi

“Pa këto procese është vështirë të pastrohen insitucionet dhe të krijohet mirëbesimi por që është edhe më e rëndësishme që të krijohet sistem kompensimi dhe dëmshpërblimi të familjeve dhe pasardhëse që edhe sot janë të diskriminuar për shkak se kanë qenë të përndjekur nga ish sistemi apo pas luftës janë diskriminuar për shkak se i kanë takuar një vije tjetër politike” ka thënë ai.

Trazirat e vitit 2004

Sipas Abazit Kosova duhet gjithashtu të kuptojë saktësisht se çfarë ka ndihmuar më vitin 2004 dhe si është përdorur 2004 që të fillojë rrënimi i procesit të shtet formimit dhe faktorizimi i Serbisë në Kosove.

Behxhet Shala kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i cili kohë më parë ka dërguar një kërkesë për projekt propozim të Ministria e Drejtësie ka thënë se për ti evituar këto përplasje midis deputeteve dhe politikaneve KMDLNJ ka kërkuar që të behet Ligji për Lustracionin më të cilin do të dihej e kaluara e çdo kujt.

Image
Behxhet Shala

“Kush i ka shërbyer Bullgarisë, kush i ka shërbyer Jugosllavisë, sepse ata të cilët kanë punuar kundër shqiptarëve dhe interesit të vendit tash po behën më patriot se këta që kanë luftuar e që kane qenë nëpër burgje apo kanë punuar për ketë popull. Mirëpo nuk e kanë dashur këtë ligj se jo ka dosje jo nuk ka dosje, por Kosova është vend i vogël dhe të gjithë e dimë se kush çka ka bërë. Ligji i Lustracionit është diçka shumë i nevojshëm sepse është edhe obligim ndërkombëtarë” ka thënë Shala.

Sipas kryetarit të KMDLNJ-së, Kosova ka shumë nevojë për këtë ligj por një herë nuk ka gatishmëri dhe nuk duan ta bëjnë këtë ligj.

“Serbia ka një rrjet informativ në Kosovë dhe nuk duan që të zbulohet ai rrjet sepse duan që Kosovën ta mbajnë në gjendje jo stabile e të merremi njëri më tjetrin dhe të bëjmë debate të pa dinjitetshme e të turpshme dhe nëse do ishte Ligji i lustracionit kjo do të evitohej. Ne e kemi dërguar një kërkesë të Ministria e drejtësisë për një projekt propozim të Ligjit për Lustracionin, mirëpo nuk ka asnjë lëvizje e asnjë përgjigje zyrtare” ka përfunduar Behxhet Shala kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut.

Image
Artan Murati

Debatet e fundit të dëmshme

Ndërsa Artan Murati Hulumtues i larte ne KDI ka bërë të ditur se që nga legjislatura e katërt e Kuvendit të Kosovës është ngritur çështja për Ligjin për Lustracionin, mirëpo sipas tij duke i parë të gjitha debatet që kanë ndodhur në Kosovë në mes deputetëve nga tabore të ndryshme politike, pasi që ky debati i fundit i zotit Sejdiu e pastaj i Fisnik Ismailit me Ganimete Musliun nuk është i pari dhe nuk besoj se do të jetë i fundit sepse ka ndodhur edhe më herët, mendoj se një far mënyre e bënë edhe pashmangshëm një Ligj për Lustracion ose një proces që do të merrej me personat që kanë shkaktuar dëme ndaj qytetareve të Republikës se Kosovës ose qytetarëve shqiptarë gjatë regjimit të ish Jugosllavisë.

“Këto debate sa më shpesh që ndodhin aq më të dëmshme do të jenë për skenën politike kosovare, pasi që janë duke ndikuar direkt në polarizimin e subjekteve politike dhe krijimin e një ambienti jo të përshtatshëm të punës dhe bashkëpunimit mes subjekteve politike sidomos në këto momente kur do duhej të jetë një konsensus i gjerë i partive politike për çështje madhore që pritet të ndodhin në Kosovë në muajit në vijim” ka shtuar Murati.

Ai po ashtu ka thënë se është diskutuar shumë, por nuk ka veprime konkrete dhe ndoshta nuk e ka marrë askush një inciativë  konkrete për ta hartuar këtë projektligj e dimë se në  bazë të legjislacionit në fuqi Kuvendi mund të procedoj ligje, mund të jetë presidenti apo ekzekutivi që zakonisht i shtyn përpara  shumicën e projekt ligjeve në vend.  Sipas hulumtuesit të lartë në KDI Dikush duhet ta marr përsipër hartimin e këtij projektligji dhe Kuvendi ta trajtoj. Atëherë veç nëse ndodh bëhet një ligj shumë i mirë dhe një herë e mirë të përcaktohen këto çështje.

“Ka shumë shtete, sidomos shtetet të cilat kanë dal nga sistemet komuniste shtetet e Evropën qendrore që janë marrë më këtë praqes dhe mendoj se ndoshta do të ishte një mundësi e mirë edhe për Kosovën që ti referohej këtyre shteteve edhe për ta parë se si ka shkuar procesi në mënyrë që te kenë një njohuri bazë dhe mundësi se si të mund ti qasen këtij projektligji” ka thënë për Bota sot Artan Murati nga KDI.

Image
Jeton Kelmendi

Pengohet krijimi i ligjit

Njohësi i çështjeve juridike në vend Jeton Kelmendi ka deklaruar se Lustracioni është diçka që ndodh në secilin vend normal, andaj do duhej edhe Kosova ta procedoj Ligjin për Lustracionin.

“Problemi është se Kosova nuk është vend “normal” pasi që udhëhiqet nga njerëz jo normal dhe për fat të keq  këta njerëz kushtimisht jo normal nuk janë njerëz që zgjidhen në mënyre demokratike dhe nuk janë njerëz të cilët udhëheqin në mënyre demokratike por janë njerëz që kanë probleme më drejtesinë por që vazhdojnë të zgjidhen. Është tragjike dhe normalisht imazh i keq ne arenën ndërkombëtare disa kryetar komunash të cilët herë burgosen e nga burgu janë kryetar e herë lirohen dhe normalisht e gjithë kjo është një tallje më drejtësinë në Kosovë” ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, problemi më Ligjin për Lustracionin është esencial sepse disa të ashtuquajtur komandatë sipas tij dhe veprimtarë e patriot dyshohet seriozisht se edhe mund të kenë qenë figura apo bashkëpunëtorë të regjimit serb dhe ky Lustracion nuk ka ndodhur  deri më tani e as që do të ndodh për faktin se këta njerëz  janë shumë të fuqishëm, janë banda mafioze të cilat kanë struktura parapolitike të cilat e pengojnë në çdo variant Lustracionin.

“Ne kemi përzierje, ku patriotet trajtohen si tradhtar apo bashkëpunëtor të regjimit serb derisa tradhtarët apo bashkëpunëtoret si patriotë. Ligji për Lustracionin do ti zbardhte të gjitha këto,dhe mendoj se ketë lustracion e kundërshtojnë kryesisht kategoria e të burgosurve politikë dhe kategoria që njihen si komandantë apo luftëtar të lirisë”.

Lustracion është zbardhja reale e figurave publike

Kelemendi e ka thënë se kjo është tragjike për faktin se në mesin e këtyre dy strukturave si duket ka pas shumë bashkëpunëtorë të Serbisë dhe nuk janë të interesuar që të zbardhen fytyrat e vërteta të këtyre njerëzve. Lustracion është zbardhja reale e figurave publike. Secila figurë publike që merret më politikë duhet të futet në llupen e një institucione apo një mekanizmi të krijuar një grupi njerëzish të cilët do të merreshin më biografinë e secilit që nga formimi i tij e deri në kohen tash dhe të merren më veprimtarinë e tij në të gjitha fushat e jetës, por normalisht më një theks të veçantë në kohen kur vendi ka qenë okupim dhe dyshohet se biografitë e disave mund të dalin jo shumë të pastra dhe mund të jenë edhe bashkëpunëtorë të Serbisë.

Kurse në pyetjen e drejtuar, së cili është mendimi i tij për nivelin e debatit në mes dy deputeteve të Kuvendit të Kosovës Ganimete Musliu dhe Fisnik ismaili, Kelemendi ka thëne se fatkeqësisht në Kosovën tonë që nga pas lufta e këndej në një shumicë absolute votohet për inat, nuk votohet mbi parime se ky ose ai kandidat ka këto vlera por votohet më inate. Të dy deputetet që kanë zhvilluar një debat të tillë janë maskarenjtë dhe fatkeqësisë e këtij vendi është se ata të dy zgjedhën deputetë të Kuvendit, së ky popull voton dhe zgjedh më inate dhe nuk ka gjë më keqe ndaj demokracisë që  Ganimete Musliu dhe Fisnik Ismaili të jenë deputet në Kuvendin e Kosovës, përfaqësues të popullit ku njeri edhe tjetri janë kategoria më e ulet e këtij vendi.

Image
Skender Zogaj

E kaluara e errët

E analisti Skender Zogaj ka thënë për “Bota sot” se zhvillimet paraprake të Kosovës nën okupim dhe arritja e hatashme e çlirimit të vendit nga pushteti serb, janë një kompleks shumë i ngatërruar i një varg problemeve të cilat kanë të bëjnë me të kaluarën e njerëzve dhe grupeve të caktuara që kanë qenë të angazhuara në ish strukturat qeverisëse dhe, të këtillët, dihet mirëfillti se, nëse nuk identifikohen, paraqesin rrezik të madh, sepse, me ose pa vullnetin e tyre, shumë prej tyre mbeten nën ndikimin e ish mentalitetit dhe të ish shërbimeve, dhe si të këtillë sipas Zogajt janë pengesë e fort e funksionimit të ri shtetëror dhe kombëtar.

“Unë jam thellësisht i bindur se ngërçet që po i përjeton shoqëria kosovare, i vinë pikërisht nga mos identifikimi i duhur i ish shërbyesve që kanë të bëjnë më shkeljen e të drejtave të njeriut në të kaluarën, dhe të cilët duke mos qenë të njohur, vazhdojnë të kenë ndikim të keq edhe sot në zhvillimet aktuale në Kosovë. Prandaj, nevoja për Ligjin e Lustracionit është nevojë e domosdoshme dhe urgjente, që Kosova duhet ta bëj, që të lirohet nga njerëzit dhe strukturat që i përkasin të kaluarës së errët, pra që kanë bërë vepra të dëmshme si shërbyes të shkeljes së të drejtave të njerëzve” ka thenë Zogaj.

Sipas tij identifikimi i të këtillëve është i domosdoshëm për impulse të reja të zhvillimit të shtetit dhe të shoqërisë kosovare, që duhet të pastrohen nga e kaluara ideologjike dhe të qenit në shërbimin e veprimtarive antidemokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat