Skenari i rrezikshëm i Presidentit për ta dërguar vendin në zgjedhje

Politika

Skenari i rrezikshëm i Presidentit për ta dërguar vendin në zgjedhje

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 25 korrik 2017 Në ora: 09:18
Hashim Thaçi

Presidenti Thaçi edhe kësaj radhe po përgatit skenar të rrezikshëm në mënyrë që të  thellojë krizë institucionale pas zgjedhore, nga vetë “kuzhina presidenciale e tij”.  

Ditë më parë në një intervistë presidenti Thaçi ka bërë të qartë se nuk do të mandatoj asnjë kandidat tjetër, asnjë subjekt tjetër politik për formimin e qeverisë së re përveç koalicionit PAN.

Ai ka thënë, se njerëzit të cilët kanë përdorur dhe që përdorin dhunë për realizimin e qëllimeve politike, nuk do të mund të jenë bartës të institucioneve të Kosovës, dhe me këtë direkt apo indirekt është aluduar në ambiciet për pushtet që ka LVV me LDK-në. Gazeta nuk ka marr përgjigje nga zyra e Presidencës lidhur me këtë deklaratë të Presidentit Thaci.

Qeveria në dorën e LDK-së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Faton Topalli mendon se nuk ka krizë politike, pasi kriza politike vjen po që se PAN arrin ta kontrabandojë qeverinë.

Image
Faton Topalli

Sipas tij, nga njëra anë do të kemi përsëritje të asaj që ka ndodhur gjatë 17 viteve të fundit dhe nga ana tjetër një qeveri e cila do të përfaqësojë pakicën shqiptare.

“Më shumë dhunë se ç’ është nuk besoj se mund ti bëhet këtij vendi. Është bukur shumë në dorën dhe përgjegjësinë e LDK-ës nëse do të lejojë që PDK-ës ti vazhdohet pushteti. Unë shpresoj shumë që kjo të mos ndodhë dhe PDK të shkojë në opozitë. Atë që thotë presidenti Thaçi janë një retorikë e mërzitshme, por ai do të detyrohet të bëj atë që thotë kushtetuta, e nëse nuk e bënë këtë ne do ta detyrojmë”, është shprehur deputeti Topalli.

Kompetencat e Presidentit

Analisti politik Rexhep Shahu ka vlerësuar se z. Thaçi nuk e ka fuqinë dhe trimërinë që ti realizojë gjithmonë ëndrrat e tij.

Image
Rexhep Shahu

“Nuk besoj se fati i Kosovës është në dorën e z. Thaçi, sepse  Kosova ka aq pjekuri politike dhe vetëdije politike, sa nuk mund ti besojë askujt në shumicë, madje është populli ai që dyshon në të dhe kjo është fat. Thaçi nuk ka fuqinë të bëjë çfarë të dojë, ndonëse shumë shpesh ka bërë çfarë ka dashur, duke u thirr në emër të luftës dhe duke abuzuar me durimin e njerëzve. Ai po ashtu ka abuzuar edhe me të fortët, me cubat e politikës, duke shantazhuar edhe më tej. Andaj them që Thaçi nuk ka fuqi, që të dalë mbi ligjin, mbi kodet. Por nëse qeveria nuk bëhet me ushtarët e Thaçit, ai do të mandatojë me një këmbë mandatar tjetër ose do të dekretojë zgjedhjet e reja. Kërcënimi i Thaçit nëpër intervista tregon dobësinë e tij, e jo forcën dhe sigurinë e tij”, është shprehur analisti Shahu.

PAN nuk i ka numrat

Njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani  duke folur rreth asaj se a po përgatitet skenari i rrezikshëm i thellimit të krizës institucionale pas zgjedhore nga vetë kuzhina presidenciale e Hashim Thaçi, ka thënë se PAN-i nuk i ka numrat e mjaftueshëm dhe me këtë ende nuk ka kryeministër të propozuar.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, PAN ende nuk është askund që të bëjë numrat e nevojshëm të deputetëve për të formuar qeverinë e re.

“ Shtrohet pyetja se përse PAN duhet të pengojë ? PAN ose duhet të propozojë dikë tjetër për mandator që mund të jetë një njeri konsensual i cili mund të vijë radhët e deputeteve të Kuvendit nga cila do parti. Këtë mund ta bëjë PAN në emër të propozojë dikë tjetër, në të kundërtën Kosova është në krizë të thellë dhe nuk ka zgjidhje. Pra nuk ka askush që të mundësojë formimin e qeverisë se re”, ka thënë Burjani.

Ai ka vlerësuar se Kushtetuta është e saktë në këtë temë dhe është edhe verdikti i Gjykatës Kushtetuese, por ideja është të zhbllokohen situata, jo kështu siç është me gënjeshtra se i kanë numrat.

“Ata nuk tregojnë fare ku janë ata numra dhe kush janë ata nga partitë tjera që do të votojnë PAN dhe mandatorin e propozuar’. Andaj mendoj se ka siklet në PAN, dhe telashe të brendshme. Sepse aty nuk harmoni dhe në këtë mënyrë nuk do të shkon larg dhe ky koalicion do të prishet parazgjedhor. Po ashtu  nuk besoj se duhet me u marr me këtë mandatar pa numra dhe PAN-I duhet të hulumtojë mundësin tjera, në të kundërtën është humbje kohe”, është shprehur njohësi i çështjeve juridike Burjani.

Veprimet e njëanshme, shkelje e kushtetutës

Ndryshe politologu Faik Kransiqi ka pohuar se për momentin PAN-i nuk mund ta krijojë Qeverinë.

Image
Faik Kransiqi

Sipas tij, ata me çdo kusht do të tentojnë formimin e qeverisë, qoftë edhe duke kontrabanduar deputetë të partive tjera, edhe pse Qeveri të pakicës dhe aspak stabile.

“Një gjë të tillë veçse e kanë filluar nga PAN-i, por nuk besoj që do të kenë sukses, edhe pse nuk u besohet partive nga koalicioni LAA, që ndonjëra nga ato ti bëhen bisht ‘Klanit Pronto’ në qeverisje. Sipas Kushtetutës nëse mandatari i parë nuk arrin ta formojë Qeverinë brenda afateve ligjore, atëherë Presidenti është i obliguar që mandatin t’ia kaloj partisë ose koalicionit që garanton se ka votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë. Çdo veprim tjetër i njëanshëm i Presidentit që favorizon PAN-in, është veprim antikushtetues dhe i rrezikshëm për funksionimin e shtetit. Por besoj që rol të madh do luajnë edhe ndërkombëtarët, dhe nuk do të lejojnë që Presidenti Thaçi të krijojë krizë institucionale, pavarësisht skenarëve të mirë përgatitura nga Klani Pronto”.” ka thënë politologu Krasniqi.

Opsioni i zgjedhjeve i hapur

Ndërsa analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se nuk është për tu habitur aspak qëndrimi i Thaçit, sepse është ditur se nuk e mandaton asnjë kandidat tjetër që nuk është nga PAN.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, janë dy zgjidhje ose Ramushi kryeministër ose zgjedhje të reja.

“Thaçi është mediokër, president partiak dhe sekser që punon për t'i siguruar votat PAN. Ky veprim duhet të dërgohet nga VV dhe LAA në Gjykatë kushtetuese, pasi me veprime partiake Thaçi po e shkel kushtetutën. Kjo është mendësia e PDK-së fytyra e vërtetë e tyre, njerëz të sëmur për ryshfet pa as më të voglin interes për vendin. Dhe në këto kushte Ramushi mund të bëhet kryeministër që mos të shkohet prap në zgjedhje. Pasi shkuarja në zgjedhje do jetë vetëvrasje për PDK-në e cila do bien edhe më shumë që si përfundim do e qoj atë në opozitë” ka thënë analisti politik Mehmeti.

Analisti politik, Hidajet Ahmeti ka thënë se deklaratat e pamatura të zotit Thaçi kishin si pikë sulmi  VV-në duke aluduar në skenat e  dhunshme të kësaj të fundit, por  pjesë e opozitës së bashkuar  të asaj kohe ishte  AAK-ja dhe NISMA-a për të cilën ish partia e zotit Thaçi ka koalicion parazgjedhor dhe mandatar i këtij koalicioni është zoti Ramush Haradinaj.

Image
Hidajet Ahmeti

“ Institucioni i Presidentit duhet të dalë jashtë interesave të ngushta politike, duke I shërbyer institucionet që përfaqëson, por gjithherë brenda kornizës së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Kjo rrugë e veprimit politik e jo interesave shtetërore , kombëtare e nacionale është në dëm të proceseve shtet ndërtuese dhe sfidave të cilat e presin në të ardhëm Republikën e Kosovës. Ambiciet e çdo subjektit politik, qoftë koalicionit PAN, apo  koalicioneve, partive tjera pasuese duhet të jenë proporcionalisht me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend”, është shprehur analisti politik Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat