Qeveria e re përballë sfidave dhe thirrjeve të BE-së!

Politika

Qeveria e re përballë sfidave dhe thirrjeve të BE-së!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 korrik 2017 Në ora: 13:11
ilustrim

Thirrjet për krijimin e Qeverisë së Kosovës janë të vazhdueshme edhe nga ndërkombëtarët për politikanët në vend.

Këtë thirrje e bëri ditë më parë edhe Komisioneri Evropian Johannes Hanh, i cili tha se më pas qeveria duhet të angazhohet në perspektivën e vendit në BE, të të kryejë reforma thelbësore në veçanti ato të sundimit të ligjit dhe ekonominë, për liberalizimin e vizave dhe të angazhohet seriozisht në dialogun me Serbinë. Por edhe pse ka përfunduar certifikimi i rezultateve zgjedhore, seanca konstituive është caktuar me 3 gusht.

Por, Qeveria ende nuk është formuar dhe se sa mund të shpresohet në përmbushjen e këtyre kërkesave nga qeveria e ardhshme apo që vendi të mbetet ende i izoluar, flasin analistët.

Kërkesat nga Hahn

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se kërkesat e bëra nga Hanh duhet të merren shumë seriozisht, pasi është momenti i fundit për të vepruar.

Image
Skënder Zogaj

“Kërkesa e Johannes Hanh-it që ka thënë se për liberalizimin e vizave Kosova duhet të formojë qeverinë e re dhe, pastaj të realizojë reforma thelbësore në sundimin e ligjit dhe në ekonomi, duke u angazhuar seriozisht edhe për vazhdimin e dialogut me Serbinë, nuk janë të njëjtat kërkesa që kaherë i ka parashtruar BE-ja, dhe të cilat duhet domosdoshmërish të plotësohen, ose Kosovën e presin stinë të këqija, madje tepër të këqija sepse, "një herë vjen pranvera kah dera"! Që pas pranverës të mos na vjen "dimri i vetmisë së madhe" fjalët e Johannes Hanhit duhet të kuptohen shumë seriozisht dhe, i gjithë spektri politik i Kosovës duhet të angazhohet për t'i plotësuar sa më shpejtë e sa më mirë, sepse, është koha e ikjes së trenit të fundit”, është shprehur ai.

Kosova do të mbetet "vrima e zezë ballkanike"

Ndërsa, se a do të mund të plotësohen këto kërkesa, Zogaj shprehet shumë skeptik, sepse sipas tij së pari, formimi i qeverisë, siç janë duke u zhvilluar punët, do të jetë shumë i vështirë, mbase edhe i parealizueshëm.

“Kjo, pasi subjektet politike gjithçka janë duke e shikuar nga prizmi i marrjes së pushtetit, gjë që, lufta për pushtet do të ketë ballafaqime të forta dhe pasoja të mëdha. Edhe nëse arrihet krijimi i qeverisë, parashenjat tregojnë se do të krijohet një qeveri sfinksi, e cila nuk do të mund të realizojë funksioni e duhur shtetëror, pra nuk do të mund të realizojë kërkesat e BE-s për liberalizimin e vizave, Nëse kjo ndodh, atëherë, nuk ka asnjë fije dyshimi se Kosovës i vazhdohet mbetja në izolim, e ky është dënim tepër i rëndë e me pasoja afatgjate, sepse, përfundimisht Kosova do të mbetet "vrima e zezë ballkanike" dhe "zorra qorre" evropiane. Klasa politike e Kosovës duhet të mendoj mirë dhe të vendos duke thelluar fiqirin e saj, për të kuptuar se, për gabimet e reja e presin ndëshkime tepër të rënda, sepse populli është lodhur nga izolimi e deritashëm”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Ndërsa, profesori dhe analisti Enver Bytyçi, mendon se pa një qeveri legjitime dhe gjithëpërfshirëse, nuk mund të diskutohet për kërkesa të tilla.

Image
Enver Bytyçi

“Liberalizimi i vizave me Kosovën është një temë, e cila diskutohet, premtohet, përsëri diskutohet, më pas monitorohet prej disa vitesh, por pa një zgjidhje konkrete. Kushtet për liberalizimin e vizave Kosova i ka marrë përmes një dokumenti përkatës që para katër vitesh, dokument në të cilin janë parashtruar të gjitha kërkesat e BE-së për të garantuar procesin dhe vendimmarrjen për këtë liberalizim. Më vonë është shtuar kushti për nënshkrimin e demarkacionit kufitar me Malin e Zi. Duhet besuar se zoti Hahn realizimin e demarkacionit e lidh me formimin e qeverisë. Dhe kjo është e natyrshme. Pa një qeveri legjitime, madje pa një qeveri gjithëpërfshirëse, zor se mund të shkohet deri të një vendimmarrje për vendosjen e kufirit me Malin e Zi”, është shprehur Bytyçi për “Bota sot”.

Ndërsa, sa i përket reformave thelbësore, për të cilat flet komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, ai thotë se ato reforma janë domosdoshmëri për Kosovën në çdo etapë të integrimit të saj evropian, derisa liberalizimin e vizave e sheh si peng të vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

“Është normale që në çdo rast ato të artikulohen, por derisa nuk është përcaktuar se çfarë reforme kërkohet konkretisht për këtë qëllim, atëherë duhet besuar se flitet për një proces, i cili i përket çdo faze integruese të Kosovës. Unë besoj se liberalizimi i vizave është peng i kundërshtive të pesë vendeve të BE-së të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Këto vende bënë presion që ndryshe nga vendet e tjera të rriten garancitë për Kosovën para se të liberalizohen vizat dhe gjetën si të gatshme formulën e kushtëzimit me demarkacionin me Malin e Zi. Qeveria e Kosovës e pranoi këtë kusht me mendjelehtësi, duke e menduar procesin e demarkacionit sit ë lehtë. Më vonë ajo u ankua se ky kusht ishte i padrejtë dhe i tillë ishte në të vërtetë. Por mbeti si i tillë dhe mbetet për zgjidhje, nëse Kosova do të dëshirojë që qytetarët e saj të jenë njëkohësisht qytetarë të lirë evropianë. Por kam frikë se intriga është më e thellë”, ka vazhduar më tej profesori.

“Kosova, nën ndikim të qarqeve të lidhura me Rusinë”

Bytyçi po ashtu thotë se në Kosovë kanë ndikim edhe qarqe të lidhura me Rusinë, e madje edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën janë të lidhura me Rusinë.

“Ka qarqe të caktuara në Evropë, të cilat duan ta tensionojnë konfliktin social në Kosovë. Këto qarqe janë të lidhura me Moskën dhe sit ë tilla i bëjnë shërbimin e radhës ambicieve të Kremlinit për të destabilizuar Kosovën dhe më pas për të kërkuar që ajo t’i rikthehet Serbisë. Nuk është rastësi fakti që vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur e Sovran kanë lidhje të ngushta specifike me Rusinë. Askush nuk mund të thotë se Greqia, Spanja, Qipro apo Sllovakia nuk janë njëkohësisht shtete me lidhje të veçanta dhe vokacion miqësor me Rusinë dhe me rusët. Si të tillë kanë lidhje të tilla edhe me Serbinë e për pasojë janë pozicionuar në krah të atyre forcave destruktive që duan shkatërrimin e shtetësisë së Kosovës dhe destabilizimin e saj. Këtij qëllimi i shërben mosliberalizimi i vizave me Kosovën. Dhe unë nuk besoj se në Bruksel nuk e njohin këtë skenar. Por pafuqia për të bindur pesë vendet kryeneqe, që veprojnë në kundërshtim me vullnetin e shumicës dërmuese të vendeve të BE-së dhe NATO-s, e bën zotin Hahn të përpiqet të fitojë kohë me kushte përtej kushteve që u janë përcaktuar vendeve të tjera, me të cilat BE ka liberalizuar vizat. P.sh Ukrainës nuk i thanë që të përcaktojë demarkacionin me Rusinë e pastaj të liberalizojnë vizat për të. Sidoqoftë, qeveria e Kosovës e ka pranuar si kusht dhe duhet ta zbatojë. Por më parë duhet të ketë një qeveri Kosova”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

Perspektiva evropiane të jetë prioritet për qeverinë e ardhshme

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve evropiane, Sami Blakaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se perspektiva evropiane duhet të jetë prioritet për qeverinë e ardhshme.

“Kurdo dhe kushdo që arrin ta formojë qeverinë e re, ndër prioritetet qeveritare duhet ta ketë perspektivën evropiane. Rruga drejt BE-së nënkupton rrugën drejt ndërtimit të shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik, demarkimit kufitar, krijimit të asociacionit dhe ndërtimit të fqinjësisë së mirë përmes dialogut. Për t'u dalë ballë këtyre temave me rëndësi jetike për shtetësinë e Kosovës, vendit i duhet qeveri që përfaqëson vlerë qeveritare, seriozitet, guxim dhe vendosmëri për të bërë reforma substanciale dhe për të marrë vendime të mëdha shtetërore”, është shprehur Blakaj.

Image
Sami Blakaj

Ai thotë se nëse liberalizimi nuk ndodh së shpejti, vendi do të futet në krizë të re dhe se Kosova duhet ta ndjekë me kohë Evropën, pasi ajo nuk ka kohë për ta ndjekur Kosovën.

“Kosova ka humbur shumë kohë në procesin e integrimit, rrjedhimisht në liberalizimin e vizave për qytetarët e saj dhe si e tillë mbetët akoma vendi i vetëm i izoluar në Ballkan. Prandaj liderët tonë politik nuk e kanë më komoditetin për ta izoluar Kosovën në pafundësi. Përkundrazi ata sot kanë marrë përgjegjësi nga qytetarët dhe janë të obliguar që sa më shpejtë ta gjejnë ujdinë politike dhe harmonizimin programor që do të premtonte krijimin e institucioneve përmbajtësore dhe të qëndrueshme. Përndryshe, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë së shpejti, atëherë Kosova rrezikon të izolohet edhe më tej, duke hyrë një krizë të re institucionale, e cila mund t'u përgjigjet vetëm interesave personale, por assesi integrimit evropian dhe interesave nacionale. Fundja, Evropa nuk ka kohë për ta ndjekur Kosovën, por Kosova është ajo që duhet ndjekur me kohë Evropën”, ka përfunduar Blakaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat