Rreziku që i kanoset presidentit Thaçi nëse shkel Kushtetutën për mandatarin

Politika

Rreziku që i kanoset presidentit Thaçi nëse shkel Kushtetutën për mandatarin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 27 korrik 2017 Në ora: 08:32
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit, e cila ditë më parë u caktua nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Koalicioni PAN vazhdon të deklarohet se qeveria do të formohet nga ata. Mirëpo, partitë tjera thonë se ky koalicion nuk do të mund ta formojë qeverinë.

Së fundmi Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nëse PAN dështon në formimin e Qeverisë, presidenti duhet t’ua jap atyre mundësinë për ta bërë këtë, por nëse nuk e bën, sipas tyre ata do ta dërgojnë presidentin në Kushtetuese.

VV nuk flet për detajet

Image
Shkodran Hoti

Lidhur me këtë, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se është ende herët për të biseduar hapat e mëtutjeshëm për këtë, pasi po presin për të parë zhvillimet.

“Është herët për të folur për këtë. Do e shqyrtojmë më pas. E kemi përmendur si mundësi, por pa i parë zhvillimet nuk mund të flasim për detajet”, është shprehur zëdhënësi për media nga VV-ja, Shkodran Hoti për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar edhe me Presidencën, por ajo nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës lidhur me këto deklarata.

Në anën tjetër, nga koalicioni PAN nuk kanë dashur të komentojnë deklaratat e VV-së, duke thënë se PAN do ta formojë qeverinë.

Image
Enver Hoti

“Deklarata e Vetëvendosjes nuk i komentojmë dhe as nuk ia vlen të komentohen. PAN nuk do të dështojë. Sipas asaj që është përcaktuar konstituimi i Kuvendit do të vazhdojë me 3 gusht, do të pasojë formimi i qeverisë Haradinaj dhe vendi do ta ketë qeverinë me kohë, e drejtuar nga Ramush Haradinaj”, është shprehur deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti për gazetën “Bota sot”.

Makolli: Mandati t`i jepet shumicës shqiptare

E nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa mendojnë ndryshe. Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se është normale që presidenti t’ia japë mundësinë partisë me shumicë shqiptare, pasi sipas tij është e pakuptimtë që qeveria të formohet nga shqiptarë dhe pakicat.

Image
Vesel Makolli

“Njerëzit i bëjnë të gjitha. Njerëzit e kanë shkruar edhe kushtetutën, edhe ligjet dhe është shumë normale dhe njerëzore, humane dhe shumë patriotike dhe e mirë për vendin nëse respektohen rregullat, kushtetutën e zbaton dhe ato që i bën shkojnë në dobi të vendit tënd. Këtë e kam sa i përket presidentit. Ma merr mendja që presidenti i cili ka luftuar dhe ka treguar patriotizëm në luftë, andaj nuk është në rregull që tani ta devolvojnë gjithë atë patriotizëm. Mendoj që Thaçi duhet të tregohet patriot dhe që herën e dytë t’ia jap mandatin partisë së dytë, që është shumë normale, e kuptueshme dhe e logjikshme, që të dalim prej krize dhe të formojmë qeverinë me këtë tabor që jena janë 61 shqiptarë. Nuk kam asgjë kundër pakicave, madje kam respekt për të gjitha pakicat, por në një vend që janë shumica shqiptare, ajo shumicë duhet të jetë dhe jo të favorizohen pakicat dhe që gjërat të jenë të dirigjuara nga jashtë, andaj është shumë normale që kësaj shumicë t’i japin mundësinë dhe të shkojë përpara”, është shprehur Makolli.

Sipas tij, PAN duhet të shkojë në opozitë edhe pse ata nuk pajtohen që të mos jenë në pushtet dhe se ata e kanë kapur shtetin me korrupsion e nepotizëm.

“Siç po shihet, po supozojmë që po i bëjnë 61 deputet, kjo është me pakicat, janë 41 shqiptarë dhe tjerat pakica është non sens, është e pakuptimtë. Mendoj që ata që kanë patriotizëm duhet vet të thonë këtë, duhet të heqin dorë dhe të thonë që shumica shqiptare ta formojë qeverinë, nuk është aspak e keqe që ta provojnë opozitën edhe PDK-ja, është e mirë edhe për ta sepse gjithmonë nuk mund të jenë në pozitë, është mirë të lëshojnë rrugë dhe iu duhet të mendojnë pak, të kthjellohen, mirëpo ne e dimë që de-facto ata frikësohen ta lëshojnë pushtetin sepse e kanë kapur shtetin, me nepotizëm me korrupsion dhe me gjëra që po e fundosin Kosovën”, ka thënë Makolli për “Bota sot”.

Versioni i Ramush Tahirit

Në anën tjetër, analistët mendojnë ndryshe.

Image
Ramush Tahiri

Politologu Ramush Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka treguar mënyrën se si presidenti duhet t’ua japë mundësinë për formimin e Qeverisë partive fituese.

“E para, nuk bën të paragjykohet Thaçi si President i Kosovës se nëse dështon mandatari i parë që detyrimisht duhet të jetë i propozuar nga PAN e që mund të jetë edhe Ramush Haradinaj për ta bërë Qeverinë, se mandatarin e dytë Thaçi do ta caktojë prapë nga PAN-i e se ky bie fjala mund të jetë Enver Hoxhaj dhe se kjo Qeveri mund t’i merr votat e të zgjidhet. Nëse ndodhë kështu, atëherë Thaçi e ka kryer mirë punën si President dhe e ka shfrytëzuar drejt të drejtën e vet diskrecionale për caktimin e mandatarit të dytë. Në këtë rast as Vetëvendosje e askush tjetër nuk ka të drejtë ta dërgojë Thaçin në Kushtetuese. E drejta si mohohet askujt por nuk ka argument”, është shprehur Tahiri.

Tutje, ai thotë se edhe nëse në herën e dytë dështon, atëherë duhet të veprohet sipas Kushtetutës dhe nëse del se presidenti ka bërë shkelje, atëherë shkarkohet nëse nuk jep dorëheqje.

“Në rastin kur mandatari i parë dështon të marr përkrahjen në Kuvend dhe Presidenti e cakton mandatarin e dytë i bindur se ai do t’i ketë votat në Kuvend për formimin e Qeverisë por ai dështon. Atëherë shtrohet pyetja e bazuar a e ka bërë këtë gjë Presidenti duke abuzuar me të drejtën diskrecionale institucionale me qëllim apo jo? Pra a me qëllim të paramenduar nuk i ka marrë parasysh faktet e argumentet e ofruara nga partitë e koalicionet se kush njëmend i ka votat për formimin e Qeverisë dhe duke vendosur në kundërshtim me to e ka quar vendin sërish në zgjedhje parlamentare. Vendi, përkatësisht institucioni kompetent e kredibil për te sqaruar këtë duke marrë vendim meritor është Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Nëse vendimi i saj është se Presidenti ka bërë shkelje atëherë Thaçi shkarkohet nëse nuk jep dorëheqje sipas praktikave të mëhershme pozitive. Shkarkimi i Presidentit nuk është krizë institucionale, përkundrazi është zgjidhje e krizës duke zbatuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë”, ka deklaruar politologu Tahiri për “Bota sot”.

Shkelja e Kushtetutës sipas avokatit Gjoshi

Image
Adrian Gjoshi

Ndërsa, avokati Adrian Gjoshi thotë se kjo deklaratë shihet si vërejtje dhe se vendimi i kushtetutës e ka fuqizuar shumë presidentin.

“Referimi i mundshëm kushtetues nga ana e VV-së lidhur me shkeljen e mundshme të presidentit shihet si presion dhe tërheqje vërejtje. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka fuqizuar jashtëzakonisht shume presidentin. Në herën e dytë, presidentit i është lënë që në bazë të çmuarjes së lirë, të vlerësoj se kujt do t'ia japë mundësinë për ta formuar qeverinë. Meqë e kemi këtë vendim nga gjykata kushtetuese, mendoj që edhe nëse presidenti do të insistonte që "kandidatin tjetër" ta kërkonte prapë te PAN, vështirë se gjyqtarët kushtetues do të dilnin me një aktgjykim ku presidenti do të konsiderohej si shkelës i aktit më të lartë juridik. Megjithatë, meqenëse kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë është çështje juristësh, dhe nëse do të argumentohej bindshëm dhe fuqishëm se presidenti e ka ditur se edhe "kandidati tjetër" nga PAN, nuk kishte gjasa për t'i marrë votat e nevojshme për t'u zgjedhur kryeministër - atëherë kjo do të qonte në shkelje të kushtetutës - sepse çmuarja e lirë humb kuptimin kur nuk përdoret brenda dhe sipas frymës së kushtetutës”, është shprehur Gjoshi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat