Plani i PAN-it formimi i qeverisë me serbët, shumicën shqiptare ta dërgojë në opozitë

Politika

Plani i PAN-it formimi i qeverisë me serbët, shumicën shqiptare ta dërgojë në opozitë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 8 gusht 2017 Në ora: 08:20
Simiç, Haradinaj dhe Veseli

Në Kosovë janë dhënë sinjalet e para që vendin e pret një krizë e re politike. Kjo pasi koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, PDK-AAK-Nisma, meqë nuk i kanë siguruar ende numrat e nevojshëm, ka bllokuar seancën konstituivepër zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 3 gusht, PAN edhe pse u shfaq rreth një orë e gjysmë me vonesë në sallë, nuk ka dhënë emrin e kandidatit për kryeparlamentar, duke bërë që seanca të shtyhet për të enjtën.

Në deklaratat e tyre, zyrtarë nga ky koalicion kanë deklaruar se ata i kanë pasur 61 numrat e nevojshëm për votimin e kryeparlamentarit, duke llogaritur në 39 deputetët e vet, 20 nga minoritetet dhe 2 deputetë nga partitë e tjera, të cilëve nuk ua kanë zbuluar emrat.

Ndërkohë, nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja Vetëvendosje, janë shprehur të gatshëm të formojnë Qeverinë e re të Kosovës, meqë ata së bashku e përbëjnë shumicën shqiptare (LDK me 29 deputetë dhe Vetëvendosje, si partia e parë me 32 deputetë).

Sipas analistëve politikë, në rast se PAN me ndihmën e minoriteteve, arrin të krijojë një shumicë parlamentare, populli shqiptar i Kosovës, do të zhvendoset në opozitë.

Ata kanë vlerësuar se kjo qeveri, nuk do t’i përballonte një opozite me shumicë shqiptare, prej 61 deputetësh, (LVV dhe LAA), të cilët, sipas tyre, do të kenë mundësi që në sfidën e parë ta rrëzojnë qeverinë dhe vendin ta çojnë në zgjedhje të parakohshme.

Haziri: Shumica shqiptare (LAA dhe VV) e papërballueshme për PAN-in

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri, ka thënë se një qeverisje nga PAN dhe pakicat, do të realizonte kryekëput agjendën politike të serbëve të përcaktuar nga Beogradi.

Sipas tij, ajo do të ishte vetëm një eksperiment i panevojshëm dhe do t’a vështirësonte edhe më tej agjendën politike të Kosovës.

Image
Nexhat Haziri

“Është potencuar shumë herë, pra edhe nga ju si medium, por edhe nga njohës të tjerë të zhvillimeve politike në vend, se formimi eventualisht i qeverisë nga PAN dhe pakicat, pa marrë parasysh nëse kontrabandohen dy-tre deputetë, do të jetë një qeveri jostabile, e shantazhuar dhe e marrë peng nga Lista serbe, e cila kryekëput realizon agjendën e saj politike të përcaktuar nga Beogradi. Kjo qeveri, nuk do t’i përballonte një opozite shumicë shqiptare, prej 61 deputetësh, (LVV dhe LAA), të cilët do të kenë mundësi që në sfidën e parë ta rrëzojnë qeverinë dhe vendin ta çojnë në zgjedhje të parakohshme. Pra, qeveria e formuar nga PAN dhe pakicat, nuk është gjë tjetër veçse një eksperiment i panevojshëm, gjenerues i krizave politike institucionale në vend. Një qeverisje e tillë nuk do të ishte në dobi të Kosovës dhe vetëm sa do ta vështirësonte edhe më tej agjendën e politikave, të cilën duhet ta ndjekë Kosova, sa i përket proceseve të brendshme, por edhe ato të integrimeve evropiane”, është shprehur analisti Nexhat Haziri.

Kelmendi: Qeverinë ta bëjë LAA dhe VV, Kurti kryeministër

Ndërsa, analisti Jeton Kelmendi, për gazetën “Bota sot”, ka rikujtuar se fitues i zgjedhjeve të fundit në vend është Lëvizja Vetëvendosje dhe se automatikisht pozita e kryeministrit i takon Albin Kurtit.

“Realisht demokracia është një mënyrë e qeverisjes në vendet më të zhvilluara në planet. Në këtë konktekst, mendoj se fitues real, moral dhe i dukshmëm është Lëvizja Vetëvendosje. Njeriu më i votuar është Albin Kurti, i takon pozita e kryeministrit”, ka thënë Kelmendi.

Image
Jeton Kelmendi

Ai ka theksuar se koalicioni LAA dhe Vetëvendosje përbëjnë shumicën shqiptare dhe se qeveria e tyre do të ishte më e shëndetshmja për Kosovën.

 “VV dhe LAA të dyja bashkë kanë 61 deputetë, ato përbëjnë shumicën shqiptare dhe qeveria e tyre do të ishte një qëverisje reale , e mirë për vendin, për faktin që do ta luftonte korrupsionin dhe krimin dhe njerëzit e akuzuar për këto do t’i linin jashtë qeverisë. Kjo do të ishte e shëndetshme për Kosovën”, është shprehur tutje analisti politik.

Kelmendi ka folur edhe për tentimin e PAN-it për të kontrabanduar votën e deputetes së LDK-së Teuta Rugova.

“Ajo çfarë po tentohet të bëhet me vajzën e presidentit Rugova është kontrabandë, sepse ajo është dhe do të jetë pjesë e LDK-së dhe çdo deputet jashtë PAN-it që do ta votojë atë, do të jetë kontrabandues”, ka vlerësuar Jeton Kelmendi.

Ai poashtu ka komentuar edhe rreth mbështetjes së PAN-it nga Lista serbe, duke thënë se deputetët e kësaj të fundit, kanë dosje dhe ata po keqpërdoren nga Serbia.

“Presidenti serb po i sugjeron serbët që të votojnë qeverinë me shefat Kadri Veseli e Ramush Haradinaj. Këta të dy kanë dosje dhe realisht këta nuk janë fitues, pasi fitues janë VV dhe LAA, sepse I kanë numrat. Kemi edhe rastet e minoriteteve, sidomos lista serbe e cila po mbështet PAN-in. Zyrtarët e saj kanë dosje dhe po keqpërdoren nga Serbia”, është shprehur Kelmendi.

Sipas tij, për kryetar të Kuvendit, duhet të votohet një kandidat që nuk ka dosje kriminale dhe i cili do të ishte i pranueshëm nga të gjitha partitë politike.

“Qeverinë duhet ta formojë LDK dhe VV. Albin Kurti duheht jetë kryeministër, një zëvendëskryeministër nga LDK-ja dhe kjo do të ishte e mirë për vendin.PAN duhet të mbetet jashtë, pasi Gjykata Kushtetutese ka dhënë aktin më të tmerrshëm në historinë e Kosovës modern e, pasi nuk ia jep shumicës shansin, por vetëm atyre që kanë më shumë vota. Megjithatë, nuk duhet votuar Kadri Veseli për kryetar, por një nga LDK-që që nuk ka dosje, i cili do të votohet nga të gjithë. Qeverinë duhet ta formojë LVV dhe LDK-ja, për ta çkapur Kosovën e kapur tash e dy dekada”, ka përfunduar në prononcimin për “Bota sot” analisti Jeton Kelmendi.

Tahiri: Nëse PAN formon qeverinë, populli shqiptar mbetet në opozitë

Ndërkaq, analisti tjetër Mentor Tahiri, ka folur lidhur me sistemin elektoral në Kosovë, i cili u mundëson minoriteteve jo-shumicë që të kenë 20 ulëse të rezervuara në Kuvend.

Tahiri ka thënë se minoritetet në Kosovë deri tani kanë shërbyer si paterica të pushtetit, për çka sipas tij, edhe janë shpërblyer me kompromise të shumta.

“Sistemi elektoral në Kosovë, është i dizajnuar në mënyrë të tillë që të mundësojë një pjesëmarrje shumë të gjerë të komuniteteve jo-shumicë. Kjo po prodhon një matematikë elektorale në shpërputhje me përbërjen e vërtetë etnike të vendit, si dhe po u mundëson komuniteteve jo-shumicë që te kenë 20 ulëse të rezervuara. Kjo me automatizëm prodhon një forcë politike përcaktuese për formimin e qeverisë. Fatkeqësisht partitë politike të komuniteteve jo-shumicë, nuk kanë arritur të krijojnë një identitet të tyre qoftë politik, qoftë programor. Në vend të kësaj, kryesisht kanë shërbyer si paterica të pushtetit, për çka edhe janë shpërblyer me kompromise të shumta”, është shprehur analisti Tahiri.

Image
Mentor Tahiri

Ai ka theksuar se në rast se koalicioni PAN, me ndihmën e këtyre subjekteve arrin të krijojë një shumicë parlamentare, populli shqiptar i Kosovës do të zhvendoset në opozitë.

Tahiri ka vlerësuar se nuk dihet se si do të mund të funksiononte një qeveri, kundër së cilës do të ishte VV dhe Koalicioni LAA që kanë gati 2/3 të votave shqiptare.

“Në një strukturë të Kuvendit të Kosovës, e cila del nga zgjedhjet e 11 Qershorit, ky rol i subjekteve politike të komuniteteve jo-shumicë, tregon edhe një karakter jo-demokratik dhe mangësi substanciale në sistemin politik të Kosovës. Në rast se PAN me ndihmën e këtyre subjekteve arrin të krijojë një shumicë parlamentare, është populli shqiptar i Kosovës ai i cili në njëfarë mënyre po zhvendoset në opozitë. Me rezultatet e 11 Qershorit, VV dhe Koalicioni LAA kanë gati 2/3 të votave shqiptare. Potencialisht kemi përpara një situatë të paparashikueshme dhe nuk dihet se si do të mund të funksionojë një qeveri kundër të cilës është shumica e votës popullore. Shoqëria e Kosovës ka nevojë për një dialog të mirëfilltë, një nga pikat e të cilit do të ishte edhe emancipimi politik dhe integrimi i vërtetë i komuniteteve jo-shumicë në jetën shoqërore dhe politike të vendit. Roli i deritanishëm i partive politike të komuniteteve jo-shumicë si një patericë politike, respektivisht si një ekip rezervë në përmbushjen e numrave të nevojshëm, po krijon një hendek të thellë në relacionin e tyre me komunitetin shumicë në Kosovë”, ka thënë për “Bota sot” analisti Mentor Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat