Të mërkurën është mbajtur takimi konsultativ të subjekteve politike, por ky takim ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Në këtë takim përfaqësuesit e koalicionit PAN patën paralajmëruar që nuk do të shkojnë në seancën e thirrur për të enjten, dhe të njëjtit e “mbajtën fjalën nuk morën pjesë në këtë seancë. Kjo seancë është ndërprerë nga kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikollovci pamarre parasysh që kishte korum, por pa propozimin e PAN nuk mund që të vazhdohej kjo seancë.
Njohësit e çështjeve politike e shohin si zgjidhje tërheqjen e koalicionit PAN ose ndërhyrjen e miqve ndërkombëtar. Ndërsa nga LDK dhe Vetëvendosje, fajtor për krizën e bëjnë koalicionin PAN, që me bojkotimin e seancave po pamundëson formimin e institucioneve të reja.
Fajtor koalicioni PAN
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se tashmë vendi është në krizë. Ajo ka thënë se bojkotimi i PAN-it reflekton joseriozitet për proceset e rëndësishme për vendin.
“Vendi realisht është në krizë. Në krizë e sollën ata që i shkaktuan zgjedhjet e jashtëzakonshme. Si duket po ata janë në krizë edhe në shtëpinë e tyre andaj është vështire që të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme. Mospjesëmarrja e tyre në kuvend reflekton joseriozitet dhe gatishmëri për proceset e rëndësishme për vendin”, ka thënë Bunjaku Rexhepi për “Bota sot”.
Sipas deputetes Bunjaku –Rexhepi, zgjidhja për të dal nga kriza është tek ata që janë të gatshëm për ti dërguar proceset përpara.
“Dalja nga kriza mendoj se është tek ata që janë të gatshëm për ti dërguar proceset përpara duke kuptuar vullnetin e qytetareve dhe respektimin e kushtetutës. Edhe pse PAN është e para nuk ka mund të siguroje besimin e plotë të deputeteve e rrjedhimisht edhe përkrahjen e qytetareve. Andaj duhet lëshuar për hir të vendit”, ka thënë Bunjaku Rexhepi për “Bota sot”.
Krizë të PDK-ja
Kurse deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Besa Baftiu e ka quajtur takimin konsultativ të panevojshëm, pasi sipas saj rregullorja i jep të drejtën kryesuesit të Kuvendit që të caktoj se kur duhet të mbahet mbledhja.
“Takimi i te mërkurës i ashtuquajtur konsultative ka qenë i panevojshëm sepse Rregullorja e Kuvendit tregon qarte se është e drejte ekskluzive e Kryesuesit të Kuvendit e në këtë rast Z.Adem Mikullovci që të caktojë ditën dhe kohën e vazhdimit të seancës konstitutive”, ka thënë Baftiu për “Bota sot”.
Ajo ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës po mundohet që mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës ta paraqesin si krizë politike.
“Vendin në krizë të thellë ekonomike e kanë sjellë po këta të njëjtit PDK që sot prapë po mundohen që të paraqesin moskonstituimin e Kuvendit si krize politike”, ka deklaruar Baftiu.
Sipas saj zgjidhja më e lehtë është që deputetët e koalicionit PAN që të kthehen në Kuvendin e Kosovës e të paraqesin kandidaturën e tyre për kreun e Kuvendit.
“Zgjidhja është e lehtë deputetet e PAN-it duhet të vijnë në seance ashtu siç i obligon kushtetuta të paraqesin kandidatin për keyeparlamentar”, ka thënë ajo për “Bota sot”.
Ndërhyrja e ndërkombëtarëve
Ndërsa, analisti i Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kriza politike dhe institucionale tashmë është e dukshme dhe se nëse vazhdohet e njëjta sjellje nuk pritet që së shpejti të tej kalohet kjo krizë.
Haziri ka hedhur fajin tek të gjitha partitë për këtë krizë, por te PDK-ja më shumë.
“Kriza politike dhe institucionale tashmë po duket në horizont, dhe nëse palët qëndrojnë në këto pozicione te tyre të deklaruara edhe në seancën e radhës , nuk pritet tejkalim i kësaj krize, për më tej veçse do të thellohet. Kësaj krize natyrisht që po i kontribuojnë të gjitha subjektet politik, por në masë të madhe është duke i kontribuar vetë PDK-ja, dhe si duket është një nga opsionet e saja që vendin serish ta dërgoj në zgjedhje”, ka thënë ai.
Përfshirje në këtë krizë ka edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi që sipas Hazirit, ai është pozicionuar ndaj një subjekti të caktuar politik.
“Në gjithë këtë krizë politike dhe institucionale, Kosova është e hedikepuar po ashtu me një president partiak, i cili është shfaqur shumë hapur në përkrahjen e një subjekti të caktuar politik, dhe si i tillë është i padenjët për të ndërhyrë apo për ta përfaqësuar unitetin politik e institucional të vendit, duke kërkuar zgjedhje në takime me partitë politike”, ka thënë ai.
Si të vetmen zgjidhje e sheh duke kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, pra të miqve të Kosovës, eventualisht për ta zhbllokuar këtë situatë të krijuar.
“Për më teje unë shohë se për të dal nga kjo krizë, duhet që partitë politike të gjejnë konsenzus për një qeveri gjithëpërfshirëse, me një kryeministër konsensual dhe që kjo qeveri ta ketë një mandat ta kufizuar për aq kohë sa Kosova ti përmbush disa obligime që dalin edhe nga agjenda për integrimin evropian apo siç po qohet e perspektivës evropiane dhe krahas këtyre obligimeve brenda këtij mandati të kufizuar të bëhet edhe reforma zgjedhore, në mënyrë që të kemi një sistem zgjedhor më praktik dhe që nuk do të na krijonte probleme të tilla, siç po krijon dhe ka krijuar edhe në të kalurën sistemi aktual zgjedhor”, ka përfunduar Haziri.
PAN nuk i ka numrat
Ndërkaq, analisti tjetër politik, Faik Krasniqi ka thënë se përkundër që koalicioni PAN pati deklaruar vazhdimit se do të krijojë qeverinë e Kosovës, por është e qartë që nuk i ka numrat.
“Deklarimi i koalicionit PAN se ata të marrin pjesë në seancën konstituive vetëm atëherë kur VV dhe LAA votojnë Kadri Veselin kryetar të Parlamentit, është treguesi më i qartë se ky koalicion nuk i ka votat për krijimin e institucioneve, edhe pse çdo ditë thonin se në afat rekord do të bëhet krijimi i institucioneve”, ka thënë Krasniqi.
Si zgjidhje, Krasniqi e sheh tërheqjen e PAN-it për t`i mundësuar formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje ose do të ketë thellim të krizës.
“Zgjidhja për dalje nga kjo krizë e shkaktuar qëllimisht nga Klani Pronto, është fare e thjeshtë. PAN-i duhet të hap krahun për t'i mundësuar partisë tjetër VV-së që të provojë krijimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Në të kundërtën, do të kemi thellim më të madh të krizës se para tre viteve”, ka thënë ai për “Bota sot.
Ai ka thënë se mund të vijë deri tek ndërhyrja e ndërkombëtarëve dhe nuk do të ishe e favorshme për koalicionin PAN.
“Mund të vije puna deri tek ndërhyrja e ndërkombëtarëve për gjetjen e një zgjidhje, zgjidhje që nuk do të ishte e favorshme për PAN-in. Jo të paktën ashtu siç ata e kanë planifikuar”, ka përfunduar Krasniqi.