“Prokuroria të hetojë Daut Haradinajn për presion ndaj Teuta Rugovës”

Politika

“Prokuroria të hetojë Daut Haradinajn për presion ndaj Teuta Rugovës”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 11 gusht 2017 Në ora: 15:44
Teuta Rugova

Koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë, PDK-AAK-Nisma, po vazhdon të dëshmojë se ende nuk i ka siguruar të gjithë numrat e nevojshëm për formimin e institucioneve të reja.

PAN, përpos bllokimit të seancës konstituive për katër herë me radhë, ka zgjedhur që të bëjë presion tek deputetët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, në mënyrë që të sigurojë numrat.

Kështu kanë vlerësuar analistët e çështjeve politike, të cilët kanë komentuar deklaratën e deputetit të AAK-së Daut Haradinaj, duke e quajtur atë si presion të pastër.

Ky i fundit, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka sulmuar mediat, të cilat sipas tij, “po komprementojnë të vërtetën e mbështetjes që familja Rugova i ka dhënë Ramush Haradinajt për kryeministër”.

“Unë mund t’iu them se unë e filanat e fistekët që janë zënë në gojë, këtë gjë e kemi marrë vesh nga mediat. Kaq kemi qenë të përzier më këtë proces.  Po “rrena e marrja, hala nuk e kanë çelë varrë kërkënd në këtë vend”! Veç vazhdoni se një ditë do të turpëroheni nga fjalët e rrenat tuaja, sepse unë kam punë më të mençur , se sa të merrem me denoncimin e shpifjeve. Respekt të pafund për guximin e Teutës që bëri të njëjtin veprim që bëri babai i saj para 13 vitesh”, ka shkruar ai.

Dhunë psikologjike ndaj Rugovës

Image
Hidajet Ahmeti

Por, deklaratën e Haradinajt, analisti politik Hidajet Ahmeti, e sheh si një dhunë psikologjike ndaj deputetes së LDK-së.

Ai për gazetën “Bota sot” ka thënë se kjo deklaratë e deputetit të AAK-së do të duhej të ishte pjesë e hetimeve nga Prokuroria.

“Dhuna psikologjike ndaj deputetëve të zgjedhur që përfaqësojnë vullnetin qytetar, është ushtruar në forma të ndryshme, ku një pjesë prej tyre edhe janë bërë publike. Po të kishte një Prokurori, e cila do të funksiononte e pavarur brenda mandatit kushtetues e ligjor, rasti Haradinaj lidhur me deklaratën se Teuta Rugova do të guxojë të votojë kandidatin e PAN-it, do të ishin pjesë e hetimeve nga Prokuroria”, ka vlerësuar Hidajet Ahmeti.

Ai ka theksuar se në Kosovë është ndërtuar një standard i mbrapsht i kontrabandimit të deputetëve, por sipas tij, në pjesën më të madhe të rasteve, duke përdorur dhunën psikologjike si mekanizëm për arritjen e qëllimeve politike e karrieriste.

“Kjo logjikë e funksionimit të institucionit më të lartë përfaqësues e ligjvënës, duhet të çlirohet nga metodat e jashtëligjshme, të cilat nuk prodhojnë impulse pozitive për demokracinë në konsolidim, por as një përfaqësim të mirëfilltë qytetar. Prandaj, çdo deklaratë publike me mesazhe kërcënimi, shantazhi a presioni, duhet të hetohet nga Prokuroria e shtetit, pasi që mundësia e funksionimit të kësaj logjike, është në dëm të demokracisë, konsolidimit të shtetit, por edhe stagnim në rrugën eruo-atlantike”, ka shtuar analisti Hidajet Ahmeti.

Teuta Rugova e manipuluar nga Haraqija e Gashi

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, sipas politologut Faton Mehmeti, ka thënë se Teuta Rugova është e manipuluar nga sekserët Dardan Gashi dhe Astrit Haraqija. Ai ka theksuar se deklarata e Daut Haradinajt, dëshmon se Rugova do të vazhdojë t’iu bindet urdhrave të interesave të sekserëve dhe të vëllait të saj, Ukë Rugovës.

“Nuk besoj se është ndonjë hutim i Teutës, pasi ajo qëndrimin e saj e ka shprehur në seancën e kaluar. Është krejt diçka tjetër se si është e mundur që Teuta të anojë ndaj kundërshtuesve politikë të partisë së cilës i takon, apo si erdhi deri tek mosbindja ndaj partisë së saj. Gjithsesi, Teuta është e manipuluar nga sekserët Gashi dhe Haraqija si dhe interesave të vëllait të saj, Ukës.  Deklarata e Dautit është vetëm një konstatim se Teuta do të vazhdojë t’iu bindet urdhrave të interesave të sekserëve dhe të vëllait të saj, Ukë Rugovës”, është shprehur Mehmeti.

Në Kosovë nuk ka parime, por pazare

Sipas politologut, deklarata e Haradinajt nuk është aspak e ndershme.

“Nuk ka të drejtë askush të flas në emër të votës së dikujt tjetër, kjo edhe e shpjegon më së miri se nivelin e brishtë të demokracisë dhe manipulimeve për interesa të ngushta të Teutës dhe familjes së saj”, ka thënë më tej ai.

Ai ka shtuar se është e drejtë e deputetit që të votojë edhe jashtë parimeve të partisë së tij, por vetëm kur vota e tij, përputhet me bindjet e saj.

“Është e drejtë e pavarur e çdo deputeti të votojë edhe jashtë parimeve të partisë, por vetëm kur vota e deputetit është në përputhje me bindjet e tij e jo për e shtyrë për interesa të të tjerëve. Në Kosovë nuk ka parime, por pazare. Aty ku ka pazare, nuk ka demokraci e as liri të mendimit”, ka thënë Mehmeti.

Ndryshe, gazeta nuk ka arritur të vë kontakt me deputeten Teuta Rugova sa i përket kësaj çështjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat