Çfarë pritet të ndodhë në seancën e nesërme të Kuvendit?

Politika

Çfarë pritet të ndodhë në seancën e nesërme të Kuvendit?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 gusht 2017 Në ora: 22:43
Kuvendi i Kosoves

Nesër do të mbahet  përpjekja e katërt për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Seanca do të udhëhiqet nga kryesuesi, Adem Mikullovci, i cili ka thënë se të gjithë janë të mirëseardhur në seancën e së hënës. Por, një përgjigje negative për pjesëmarrje, ka dhënë koalicioni PAN.

Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë as në seancën e radhës pasi kanë kërkuar konsultime shtesë.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se kryesuesi i seancës konstituive deputeti Adem Mikullovci është duke bërë gabime, pasi që, siç shprehet ai, më shumë është duke e ndjekur politikën e Vetëvendosjes, sesa të unifikimit të spektrit politik.

“Ne e kemi bërë të qartë se pa takime konsultative, pa takime të gjithë spektrit politik dhe grupeve parlamentare, nuk do të marrim pjesë në seancë”, tha Lekaj për mediat.

Mirëpo, përkundër mos pjesëmarrjes së koalicionit PAN, kryesuesi i kuvendit ka thënë se ai nuk është duke bërë shkelje të kushtetuës, prandaj seanca e nesërme do të zhvillohet me apo pa koalicioni PAN.

Mikullovci në një intervistë për median ka treguar se në seancën e së nesërmes do të ketë dy propozime interesante, propozime këto që sipas tij do t’ia mundësonin kuvendit që të punojë, të paktën një pjesë e tij.

“Nëse nesër kemi kuorum, unë do t'i hap dy tema, por Kuvendi do të punojë, gjysmak, por një pjesë do të punojë, nëse vërtetë ka kuorum. Do të jetë një propozim interesant i një deputeti të LDK- së, ai ma ka kërkuar dhe një temë timen që do ta bëjë publike e që do të jetë befasuese. Gjithmonë nëse kemi kuorum”, ka thënë kryesuesi Mikullovci.

Në media është përfolur për propozimet e Mikullovcit, duke thënë se nesër mund të bëhet zgjedhja e nënkryetarëve.

Mirëpo, duke folur rreth çështjes se sa është legjitime mbajtja  e  seancës pa koalicionin fitues dhe mundësisë së zgjedhjes së nënkryetarëve, njohësit juridikë thonë se nuk mund të ndodh një gjë e tillë. 

Profesori në ISPE, Lirim Zorra, thotë se në seancën e së hënës do të jetë përsëri rutina e herëve të kaluara.

Sipas Zorrës, edhe të hënën nuk pritet të ketë ndonjë lëvizje.

“ E njëjta rutinë si herëve të kaluara ku  fillimisht do të jetë problem të bëhen 61 deputetë prezent, sepse deputeti Milaim Zeka ka deklaruar që  nuk merr pjesë  në këtë seancë. Po ashtu deputetja Teuta Rugova ka gjasa të mos merr pjesë, andaj  nuk pritet të  ketë  ndonjë  lëvizje edhe në seancën e radhës përveç në rast se LVV dhe LAA paralajmërojnë dërgimin e ndonjë pyetje te Gjykata Kushtetuese dhe e cila pastaj mund ta shtyjë edhe më shumë zgjedhjen e Kryetarit  të Parlamentit” shprehet Zorra.

Image
Lirim Zorra

Zorra tregon se nuk mund të ketë zgjedhje të nënkryetarëve, derisa nuk zgjidhet kryetari dhe këtë e thotë edhe rregullorja e parlamentit.

“Nuk mund të  ketë  zgjedhje të nënkryetarëve derisa nuk zgjidhet kryetari, sepse edhe në rregullore të parlamentit sqarohet kjo gjë edhe praktikat paraprake  e dëshmojnë këtë derisa nuk zgjidhet  kryetari  nuk ka zgjedhje të  nënkryetarëve po ashtu edhe formim të grupeve parlamentare zyrtare dhe  komisioneve parlamentare. Rolin e udhëheqësit të parlamentit  deri në zgjedhjen e kryetarit e luan deputeti më  i vjetër andaj ai mund të luajë  rolin deri në zhbllogim të situatës dhe zgjedhjen e kryetarit” thekson Zorra.

Seanca konsituive e kuvendit do të provohet të mbahet për herë të katërt, ndërsa koalicioni PAN do ta bllokojë seancën për herë të tretë duke kërkuar fillimisht konsulta ditën e mërkurë, mirëpo propozimi i tyre nuk ishte pranuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat