Lojërat e PAN-it para seancës së 24 gushtit, vazhdon bllokada institucionale

Politika

Lojërat e PAN-it para seancës së 24 gushtit, vazhdon bllokada institucionale

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 18 gusht 2017 Në ora: 07:06
Krerët e koalicionit PAN

Skenari i PAN-it për seancën e 24-gushtit po konsiderohet si karta e fundit e këtij koalicioni për blerje kohe në mënyrë që të arrihet deri tek “blerja” apo edhe shantazhimi i deputetëve të caktuar në këmbim të votës së tyre.

Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar se  PAN-i ka pasur kohë të mjaftueshme për të bindur deputetë ose parti nga koalicioni LAA për t'ju bashkuar në qeverisje.

Sipas tyre “ Klani Pronto” ka gjithmonë skenarë të ndryshme  për të arritur deri tek qëllimi i tyre final duke filluar me joshje të posteve, dhe me para e privilegje të shumta.

Image
Dardan Velija

Vonesat e dëmshme për vendin

Ish kandidati për deputet në LDK, Dardan Velija ka thënë se çdo vonesë në konstituimin e institucioneve do të akumulojë kosto për vendin.

“Kosova do të humb mbështetje financiare, projektet do të vonohen e të tjerat do të anulohen tërësisht. Kosova do të humbë kohë në procesin integrues evropian”, është shprehur Velija.

Analisti politik Blerim Burjani ka thënë se PAN nuk ka numra, por as nuk mund të heq dorë sepse është e drejt kushtetuese ta ketë kryetarin e kuvendi.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, meqë PAN nuk i ka votat  ka mbetur në bllokadë për ta realizuar këtë të drejtë.

“Këtu nuk ka nevojë për ngërç politik sepse është e qartë kushtetuta e shtetit, dhe kjo është vetëm humbje kohe dhe e kotë. Nuk duhet humbur kohë kot sepse duhet të gjendet modeli konsensual për të zgjedhë kryetarin e kuvendit sepse e gjithë kjo është në duart e kuvendit pra të deputetëve”, është shprehur Burjani.

Analisti politik Skender Zogaj,  ka pohuar se PDK-s brenda PAN-it i ka humb udha në oborr.

“Çfarëdo që bën nuk po i del hesapi tamam sepse i ka përbuzur të mirat e shumta e që iu kanë dhuruar pa meritueshëm qe 17 vjet, kështu që tash po mundohet të dalë nga situata e krijuar duke "rreh ujë në havan!”,. është shprehur ai.

Image
Skender Zogaj

Sipas Zogajt, PAN-i po mendon se bllokada i sjellë sukses, por në fakt me bllokadën e ka humbur edhe shansin minimal që e ka pasur, si fitues i zgjedhjeve.

“Fitorja ka qenë për ibret, sepse, ia ka ofrua vetëm bishtin e sakicës, kështu që, nuk e ka të pamundur me pre lisin. Siç duket i ka mbetur bishti në dorë dhe, krejt çka mundet me bë është, me bishtin e sakicës në krah me u end nëpër mal, në kërkim të ndonjë cubi, si Labinot Tahiri. Kjo është situata e palakueshme në të cilën ka ra PAN-i dhe që, po i kushton shumë shtrenjtë vendit, sepse ndodhemi në pikën kritike të afateve kohore kur duhet përmbush obligimet shtetërore në planin ndërkombëtar, që janë jetike për fatin historik të Kosovës. Nëse nuk përmbushen sivjet, Kosova ndëshkohet keq dhe për kohë të gjatë! PAN-i e din rëndësinë e krijimit të institucioneve, dhe është e tmerrshme, nëse nuk e ka parasysh dëmin që bën nëse e përdorë logjikën”, ka thënë Zogaj.

Image
Mentor Tahiri

Manipulimet e partive

Politologu Mentor Tahiri, ka deklaruar se nuk ka asgjë të parashikueshme në lojërat e partive politike në Kosovë.

Sipas tij, përfaqësues të PAN si duket në pamundësi për të siguruar numrat për zgjedhjen e kandidatit të tyre si Krye parlamentar, i kanë hyrë lojës së konsumimit të kohës, e cila në njërën anë synon përfitimin e ndonjë deputeti, kurse në anën tjetër edhe dobësimin e qëndrimeve të partive të tjera, në radhë të parë të AKR-së.

“Lidhur me këtë, janë dhënë sinjale goxha të turbullta, por që duhet nënkuptuar pak a shumë si një lloj gatishmërie për të ndërruar taborin politik. Të mos harrojmë zgjedhjet janë mbajtur para më shumë se dy muajsh, periudhë kjo e mjaftueshme për të stër lodhur opinionin e njëkohësisht e përgatit atë për lëvizjet e reja në skenën politike. Në vitin 2014, kur vendi u gjend në një bllokadë institucionale disamuajshe, askush nuk u çudit me aranzhimet që i dhanë fund krizës atëherë. Duhet pranuar, se elemente të ngjashme po dallohen edhe tani. Paqartësisë së situatës po i ndihmon edhe mosbashkëpunimi funksional ndërmjet LDK-së dhe VV-së, si dhe mungesa e një serioziteti në këtë drejtim. Grupi parlamentar LAA, respektivisht LDK-ja si subjekt bartës i këtij grupi, në seancës e fundit të Kuvendit të Kosovës, dëshmoi që nuk e ka marrë shumë seriozisht situatën aktuale në të cilën gjendet vendi. Si rezultat i kësaj, në sallë nuk patë kuorum të mjaftueshëm, andaj seanca e fundit ishte një betejë e fituar nga PAN, i cili nuk ishte fare i pranishëm në Kuvend, por që di mirë të shfrytëzojë gabimet e rivalëve politik.”, ka thënë politologu Tahiri.

Image
Faik Kransiqi

Skenaret e “Klanit pronto”

Politologu Faik Kransiqi pa pohuar se PAN-i ka pasur kohë të mjaftueshme për të bindur deputetë ose parti nga koalicioni LAA për t'ju bashkuar në qeverisje.

Sipas tij, “ Klani Pronto” ka gjithmonë skenarë të ndryshme  për të arritur deri tek qëllimi i tyre final. Me joshje të posteve, me para dhe privilegje të shumta.

“Nëse ia kanë arritur qëllimit, mbetet të shihet në ditët në vijim. Por, do të ishte naivitet i skajshëm nëse besojmë që ata deputetë apo parti të cilët i bashkohen “Klanit Pronto”, do ta bëjnë për hir të shtetit ose interesave të qytetarëve ose shkak të presionit dhe shantazhit, se askush nuk mund të ketë ndikim për votën e tyre, por cilado parti ose deputet nga koalicion LAA që i bëhen bisht këtij klani mafioz do ta bëjnë për shkak të interesave të tyre të ngushta. Dhe arsyetimi i tyre do të jetë si gjithmonë: ''E bëmë për hir të interesave të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës'', ka thënë politologu Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat