“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, mund të akuzohen në çdo moment”

Politika

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, mund të akuzohen në çdo moment”

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 19 gusht 2017 Në ora: 14:29
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli

Në opinionin publik, në shumë shkrime të mediave të ndryshme, vazhdimisht përmenden me emra njerëz të cilët mund të jenë autorë apo të implikuar në vrasjet politike, ku nga këto vrasje më së shumti kishte pësuar Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi i ishin vrarë një numër i madh i veprimtarëve  dhe udhëheqësve të saj.

Këto vrasje, ende mbesin një enigmë e pa zbuluar, dhe një sfidë, të cilën organet e rendit në Kosovë, si ato ndërkombëtare, ashtu edhe ato vendore kanë dështuar ta kalojnë.

Familjarët të zhgënjyer me Prokurorinë

Duke parë, mos veprimin e prokurorisë dhe organeve të rendit, Besian Mustafa, djali i veprimtarit te LDK-së, Xhemjal Mustafa, i vrarë pas lufte, është shprehur i habitur me heshtjen e prokurorisë dhe organeve të rendit.

“Është e çuditshme sa shumë flasin dhe sa shumë dinë politikanët, gazetarët, prokurorët e analistët për këto vrasje - madje lakojnë edhe emra deri të policëve e deputetëve, sipas tyre, të përfshirë në këto vrasje - por është gjyqësia ajo që heshtë; ajo assesi nuk po arrin t’i arrestojë ata që dhanë urdhra për këto ekzekutime”, ka shkruar Mustafa.

Gazeta “Bota sot”, ka pyetur më prokurorinë e Kosovës, lidhur me këto deklarime dhe përmendjen e emrave të ndryshëm, të implikuar në vrasjet politike, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet tona. Jo si rrallë herë, prokuroria ka zgjedhur heshtjen, në vend se të përgjigjet.

Ndërsa, sipas analistëve, me këto raste do duhej të merrej prokuroria dhe gjykatat, por sipas tyre,  askujt nuk i konvenon të merret me zbardhjen e tyre pasi do binte e gjithë klasa politike që kanë gisht në to.

“Hashim Thaçi, Kadri Vesel, Ramush Haradinaj, njerëz që mund të akuzohen në çdo moment”

Image
Sefedin Krasniqi

Njohësi i zhvillimeve politike, dhe publicisti, Sefedin Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk beson në prokurorinë e Kosovës, ndërsa dyshon në atë të EULEX-it.

“Vrasjet politike në Kosovë janë të njohura që nga koha e UNMIK-ut, madje për çdo vrasje dihet kush qëndron pas saj. Sikur krejt Kosova që është në një mënyrë peng i Mitrovicës së Veriut, ashtu edhe të vrarët janë peng i drejtësisë së ndërkombëtarëve (UNMIK-EULEX). Ndërkombëtarët janë duke shfrytëzuar Mitrovicën Veriore dhe ia kanë ngulur si gozhdë në fyt Kosovës derisa Serbia të pranojë të anëtarësohet në NATO, sikur Mali Zi. Që ta ruajnë këtë gjendje, diplomacisë  ndërkombëtare i duhen politikanë si Hashim Thaçi, Kadri Vesel, Ramush Haradinaj etj, të cilët mund të akuzohen në çdo moment, por edhe mund të falen nëse kontribuojnë që me koncesione ndaj Serbisë, siç po bënë Hashimi, t’i ndihmojnë afrimit të saj kah Perëndimi”, është shprehur Krasniqi.

Sipas tij,  zbardhja e vrasjeve politike në Kosovë, është bërë mall për treg për hesape gjeostrategjike ndërkombëtare të Ballkanit.

“Rasti më eklatant i kësaj “drejtësie”  është Ramush Haradinaj. U ndalua në Francë që t’i shitet Kosovës më shtrenjtë, si hero i gjallë, sepse donin ta përgatisnin për postin e kryeministrit. Marrëveshja e AAK me PDK, nuk është marrëveshje e natës nga Tirana, por marrëveshje e Stasbugut-Francë.   Edhe Gjykata Speciale është pjesë e drejtësisë ndërkombëtare dhe është e varur nga politika. Sikur mos të ishte kështu, pas gjetjeve të raportuesit special të Këshillit të Evropës, Dick Marty, nuk do të kishte  pritur, kjo drejtësi,  prej vitit 2010 që të lëshojë aktakuzat për personat që ceken në raport”, thekson Krasniqi.

Ai thotë se politikanët që sundojnë organet e drejtësisë në Kosovë, në rastet kur ka dëshmitarë, ata i shpallin të çmendur, siç ishte rasti me Nazim Bllacen.

“Nazim Bllaca, pasi në qendër të Prishtinës, tha haptas se ishte pjesëtar i shtyllës së vrasjeve të SHIK-ut, pa vonuar, politikanët që e sundojnë prokurorinë e Kosovës, e shpallën Bllacen të çmendur dhe bashkëpunëtor të Serbisë. Ndërsa, ndërkombëtarët e izoluan në “burg shtëpiak”, jo aq për t’a mbrojtur por për t’ia pamundësuar të flas ose të flas, por nën  kontrollin e tyre. Pas disa viteve të “burgut shtëpiak”, e transferuan diku duke ia mundësuar të marrë me vete kë deshi nga familja dhe farefisi”, thekson ai.

Akuzat e Qunit ndaj Veselit, tronditën opinionin

Sipas Krasniqit, akuzat e deputetit të LDK-së, Anton Qunit, drejtuar Kadri Veselit në seancën e  Kuvendit të Kosovës, kanë tronditur opinionin publik në Kosovë.

“Një rast tjetër që pati tronditur opinionin publik të Kosovës, ishte pohimi i njërit nga komandantët më të famshëm të Koshares dhe anëtar i Kuvendit të Kosovës, Anton Quni, i cili në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës e akuzoi drejtpërdrejtë, para kamerave të gjithë botës, Kadri Veselin duke i thënë se nuk do ta braktiste politikën pa e parë prapa grilave të burgut për të bëmat gjatë e tij luftës! Rasti më i freskët dhe më eklatant është shkrimi i këtyre ditëve i ish-zëdhënësit të UÇK-së, ish-kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarit aktual të  Këshillit Kombëtar të NISMA, Jakup Krasniqi. A nuk përputhet shkrimi i tij me gjetjet e Dick Marty-it, me të Bllaces dhe më Anton Qunit!?”, është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, prokuroria do të duhej t’i hapte menjëherë hetimet ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

“Në çdo shtet të botës normal, prokuroria do t’i hapte hetimet kundër  Hashim Thaçin dhe Kadri Veselit.  Por, edhe sikur të donte dhe të guxonte Lumezi, nuk mundet sepse nuk e lejon prokuroria e EULEX-it, pasi kjo është në shërbim të politikës ndërkombëtare.  Këta dy persona, Thaçi, Veseli, etj, fare të panjohur për opinionin kosovar, erdhën aty, ku janë, nga shërbimet sekrete ndërkombëtare. Këto shërbime i ruajnë për nevoja të veta  dhe do t’i dënojnë vetëm nëse gabojnë, sikur Millosheviqi, i cili në një moment mendoi se u forcua aq shumë  sa të  mund t’i sfidojë SHBA dhe BE”, thotë Krasniqi.

Ai, për këtë mos veprim të drejtësisë në Kosovë e bën fajtor bashkësinë ndërkombëtare.

“Si është e mundur që bashkësia ndërkombëtare  mundi t’a çlirojë Kosovën dhe t’a arrestojë Millosheviqin e s’po mund t’a çlirojë Mitrovicën e Veriut dhe t’a arrestojë Hashim Thaçin e Kadri Veselin.  Të gjithë ata që thonë se Bashkësia Ndërkombëtare po i frikësohet prishjes së qetësisë në Kosovë, e maskojnë të vërtetën për mosveprim të prokurorisë së EULEX-it, të  cekur në shembujt e më sipërm”,  ka përfunduar Krasniqi.

Elita politike, pengesë për hetimin e vrasjeve politike

Image
Gurakuç Kuçi

Ndërsa, politologu, Gurakuç Kuçi, thotë se hetimet për vrasjet politike pengohen nga vetë elita politike, ku sipas Kuçit, e vetmja zgjidhje për këto raste mund të jetë Gjykata Speciale.

“Këto hetime pengohen nga vetë elita politike.  Zbardhja e këtyre vrasjeve është e nevojshme të ndodhë shumë shpejtë, sepse kështu do sqarohej dhe do hiqej një barrë e madhe për shtetin e cila po e ngadalëson ecjen përpara, duke përfshirë edhe ligjin për lustracionin. Por që kjo nuk pritet të ndodhë është shumë e qartë, sepse kemi njerëzit e njëjtë që kanë mundur ta zgjidhin këtë çështje çdo ditë që nga pas lufta dhe nuk e kanë bërë, madje edhe EULEX u bë pjesë e kësaj garde për moszgjidhje të rasteve me rëndësi kruciale. Andaj tani ne duhet të presim zgjidhje kirurgjike nga jashtë që potencialisht mund të jetë Gjykata Speciale”, ka theksuar Kuçi.

Sipas tij, fajtore për mos zbardhjen e këtyre rasteve është edhe LDK-ja, që sipas tij, vrasjet politike i ka shfrytëzuar gjatë fushatave për fitim të votave.

“Në një shtet normal, vrasjet politike as që duhet të jenë pjesë e debatit politik për zbardhjen e tyre, dhe as pjesë e zbardhjes s rasteve se kush do të vijë në pushtet. Me këto raste do duhej të merrej prokuroria dhe gjykatat. Por si duket të gjithë nga pak janë të përfshirë në këtë kazan të krimeve dhe askujt nuk i konvenon të merret me zbardhjen e tyre pasi do binte e gjithë klasa politike që kanë gisht në to. Kjo lënë dyshime të mëdha edhe tek vetë LDK-ja e cila premtonte se me ardhjen e tyre në pushtet do i zbardhnin vrasjet politike, por kur erdhën në pushtet harruan këtë premtim”, është shprehur politologu Kuçi.

“Jemi dëshmitar të asaj që Kosova funksionon brenda një “demokracie formale me oligarki funksionale”, dhe nuk ka aspak institucione të pavarura të cilat duhet të kryejnë punët e tyre të përcaktuara me ligj. Këtu bëjnë pjesë edhe gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës, të cilat janë funksionale vetëm kur duhet të mbrojnë oligarkët dhe të dënojnë qytetarët e varfër”, ka përfunduar, politologu Gurakuç Kuçi.

Zbardhja e vrasjeve politike pengohet nga struktura të akomoduara në sistemin gjyqësor të Kosovës

Image
Fadil Kajtazi

Kurse, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi për gazetën “Bota sot”, thotë se zbardhja e këtyre vrasjeve pengohet nga strukturat që kanë qenë të infiltruara dhe të akomoduara në sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Tani sigurisht edhe mos zbardhja e këtyre akteve pengohet nga po këto struktura që janë të infiltruara dhe të akomoduar në sistemin gjyqësor të Kosovës. Nëse këto akte ndriçohen deri në fund, së bashku me to do të zbulohen edhe rrënjët e shërbimit inteligjent serb në strukturat politike dhe shtetërore të Kosovës. Me to do të dalin edhe ligësitë e njerëzve të Kosovës që janë të përfshira në këto punë të pista, prandaj ai qe e ka ndërtuar vekshin i ka ndërtuar edhe kapakun, dhe saboton punët për tu ndriçuar plotësisht këto akte të cilat kanë lënduar shumë familje shqiptare dhe kanë vënë në pikëpyetje shumë herë mbarëvajtjen e proceseve për çlirim të Kosovës”, thekson eksperti i sigurisë.

Sipas tij, në rastin e Kosovës, shërbimet inteligjente kanë organizuar skema me qëllim të ndërrimit të kursit politik të shqiptarëve përmes akteve terroriste.

“Duke filluar që me tentim atentatin ndaj Sabri Hamitit dhe Enver Malokut, vrasjes në Tiranë të ministrit të mbrojtjes së Republikës së Kosovës Ahmet Krasniqit e për të vazhduar me vrasjet e pas luftës. Natyrisht se skema e aplikuar në këto akte ka qenë e sofistikuar pasi ata përmes agjenturës influente ja arritën që të i ashtuquajturi krahu i luftës të krijojnë klimë cytse në drejtim të vijës tjetër politike, pra të LDK-së”, ka përfunduar Kajtazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat