Sa është e realizueshme ideja e Albin Kurtit për kryeparlamentarin? Flet Ramush Tahiri

Politika

Sa është e realizueshme ideja e Albin Kurtit për kryeparlamentarin? Flet Ramush Tahiri

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 gusht 2017 Në ora: 21:37
LDK - VV

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës vazhdon të mbetet pezull.

Kjo, pasi PAN si koalicion fitues nuk po merr pjesë në seancat që po mbahen.

E për gjithë bllokadën politike në vend, i nominuari për kryeministër të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se fajtor është PAN, pasi kjo krizë po e dëmton shumë Kosovën edhe së brendshme, edhe ndërkombëtarisht.

Ai përmes një letre publike ka thënë se gjithë këtë bllokadë PAN po e bën për shkak se nuk i ka numrat, andaj ai ka ofruar një zgjidhje.

Kurti ka thënë se më e mira do të ishte që deputetët të propozojnë një kandidat për kryetar të Kuvendit dhe ta votojnë atë.

Image
Ramush Tahiri

“Kur të mblidhet Kuvendi, një shumicë e anëtarëve të tij mund të mblidhen e së bashku të propozojnë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit e më pas ta zgjedhin atë person me votat e tyre. Së këndejmi, Lëvizja Vetëvendosje! i propozon të gjitha partive politike që udhëhiqen prej interesit publik dhe që synojnë ta mbrojnë e jo ta dëmtojnë demokracinë e Kosovës, që të na bashkangjiten në këtë nismë.Konkretisht, propozojmë që ne deputetët pjesëmarrës të rregullt të seancës konstituive të përzgjedhim një kandidat të përbashkët për Kryetar të Kuvendit për datën 24 gusht. Në atë datë, nëse PAN e bojkoton seancën apo nëse refuzon të paraqesë kandidatin e saj, atëherë ne do të votojmë tonin. E nëse PAN do ta paraqesë një kandidat, atëherë secili subjekt e deputet do të bëjë zgjedhjen e vet (sepse nisma që ne propozojmë në radhë të parë ka për synim tejkalimin e këtij bllokimi). Nëse kandidati i paraqitur nga PAN nuk do të marrë votat e duhura, atëherë kandidati i përbashkët do të mund të votohet në të njëjtën seancë”, thuhet në letrën e Kurtit.

Për këtë propozim të Kurtit, politologu RamushTahiri thotë se një metodë e tillë për zgjedhjen e kryetarit krijon më shumë pikëpyetje të qëndrueshmërisë së koalicioneve dhe votave.

“Një pikëpamje që dëshiron mobilizim në bazë të numrave. Rasti i zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar Kuvendi më 2014 tregoi se për funksionim të shtetit dhe të institucioneve është e rëndësishme respektimi i ligjit dhe i procedurave. Pasja e vetëm e votës mund të sigurojë legjitimitet, por jo edhe legalitet. Duhet respektuar ligjet në fuqi e jo anashkaluar. Propozimi për kryeparlamentarin i takon koalicionit apo subjektit parazgjedhor që ka fituar më së shumti vota, ndërsa me votim formal votohet nga deputetët në Kuvend. Ky është modeli që i ka përparësitë dhe mangësitë e veta. Modeli tjetër i shumicës parlamentare që bëhet në Kuvend krijon më shumë pikëpyetje të qëndrueshmërisë së koalicioneve dhe votave. E kishim shembullin e shkarkimit përkatësisht tërheqjes së Nexhat Dacit dhe zgjedhjes së Kolë Berishës pikërisht falë votave të opozitës...”, është shprehur Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, seanca e radhës është caktuar me 24 gusht, për të cilën PAN ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat