Njohjet e reja, kështu duhet të veprojë Kosova që t'i sigurojë ato

Politika

Njohjet e reja, kështu duhet të veprojë Kosova që t'i sigurojë ato

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 gusht 2017 Në ora: 17:36
Flamuri i Kosovës

Emanuel Demaj, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme, ka thënë ditë më parë në media se këtë vit Kosova do të pranojë njohjet e reja.

Ai nuk ka përmendur shtetet që do ta njohin Kosovën, mirëpo ka theksuar se do të vijnë nga shtetet afrikane.

Kurse, magjistri i integrimeve evropiane Sami Blakaj, bën të ditur se paralajmërimi i ministrit për njohje të reja është lajm i mirë për Kosovën, mirëpo është veprim i nxituar.

Image
Sami Blakaj

Sipas Blakajt, në diplomaci nuk preferohet të përmenden emrat shtetesh që do ta njohin shtetin përkatës, e aq më pak të flitet për afate kohore, sepse kjo gjë mund ta dëmtojë procesin e njohjes.

 “Paralajmërimi për njohje të reja nga shtetet afrikane sigurisht që është lajm i mirë për Kosovën, por si veprim paralajmërues vlerësoj të jetë i ngutur. Në diplomaci nuk preferohet të përmenden emra shtetesh që do ta njohin shtetin përkatës, në këtë rast Kosovën dhe aq më pak të flitet për afate kohore, meqenëse një gjë e tillë mund ta dëmtoj seriozisht procesin e njohjes”, ka theksuar Blakaj.

Ndërsa, i pyetur nëse është lobuar mjaftueshëm që edhe shtetet tjera ta njohin Kosovën, Blakaj, thotë se debati rreth njohjeve është shtrembëruar dhe kjo për shkak të egos së politikanëve që të marrin meritat për njohje dhe të mos marrin përgjegjësi për dështimet e numrit më të madh të njohjeve.

Sipas Blakajt, shumica më e madhe e njohjeve të deritanishme të Kosovës nuk janë bërë falë punës dhe lobimit të politikës së jashtme, por falë angazhimit pa zhurmë të shteteve tjera.

“Shpesh në Kosovë bëhen debate rreth njohjeve. Por ky debat është i shtrembëruar për shkak të egos së politikanëve që të marrin meritat për njohje, ndërsa të mos ndiejnë kurrfarë përgjegjësie për dështimet në rritjen edhe më të madhe të numrit në njohjes. Republika e Kosovës deri tash ka siguruar rreth 114 njohje. Ky numër nuk është i vogël, por as i madh nëse krahasohet me periudhën nëntëvjeçarë sa ka kaluar nga shpallja e Pavarësisë. Duhet të kemi parasysh se shumica e madhe e njohjeve të deritashme të Kosovës nuk janë bërë falë punës dhe lobimit të politikës sonë të jashtme, por pikërisht falë angazhimit pa zhurmë të shteteve sponsorizuese të Pavarësisë së Kosovës dhe atyre që mbështesin këtë shtetësi që nga fillimi i procesit të caktimit të statusit. Pikërisht pa zhurmë dhe pa promovime, por me punë dhe rezultate konkrete duhet të përqendrohet politika e jashtme e Kosovës”,  ka vlerësuar Blakaj.

Ai ka treguar se si duhet të përqendrohet MPJ në mënyrë që Kosovën ta njohin edhe shtetet më të mëdha diplomatike.

“Veçmas MPJ duhet të përqendrohet në një komunikim diplomatik me shtetet e mëdha që nuk e kanë njohur ende Kosovën, si brenda Evropës po ashtu edhe përtej saj. Njohja e Kosovës nga shtetet e mëdha, jo vetëm që fuqizon shtetësinë e Kosovës, por e forcon pozitën e saj si një anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare”, ka nënvizuar Blakaj.

Që nga shpallja e pavarësisë, janë  114 shtete të cilat e kanë njohur Kosovën. Në vitin 2016 numri i njohjeve ka pësuar rënie, ndërsa deri më tani në vitin 2017 është shënuar vetëm një njohje, e kjo nga Bangladeshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat