Veseli: Në listat e PDK-së 80 për qind e kandidatëve emra të rinj, tri gra për kryetare

Politika

Veseli: Në listat e PDK-së 80 për qind e kandidatëve emra të rinj, tri gra për kryetare

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 00:03
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në konferencën për media të kësaj partie, ka bërë të ditur se mbi 500 personalitete të reja janë bërë pjesë e listës garuese të PDK-së në komunat e Kosovës.

“Nga këto zgjedhje, mbi 500 personalitete të reja janë bërë pjesë e listës sonë garuese në komunat e Kosovës”, tha Veseli.

Ai tha se këtë fakt e bën më fuqiplotë numri i kandidatëve të rinj për kryetarë, që përbën 80% të numrit të përgjithshëm.

“Janë 80% të numrit të përgjithshëm të kandidatëve për kryetar komunash të nominuar nga Partia Demokratike e Kosovës,  të cilët do të garojnë për herë të parë”, tha ai.

“Në këto zgjedhje PDK po e jep shembullin më të mirë për fuqizimin e rolit të gruas”, tha Veseli, duke shtuar se ato do të jenë përfaqësuesi më i devotshëm, dhe se kanë guximin dhe dijeninë për t’i zgjidhur hallet e qytetarëve.

Ai për këto veprime tha se janë dëshmia e radhës që PDK vazhdon të jetë epiqendra e ndryshimit pozitiv në Republikën e Kosovës.

Tutje, Veseli shtoi se PDK është partia e ndërtimit të shtetit, e cila, sipas tij, e bën dallimin e madh me ata që dinë të bëjnë vetëm propagandë, dhe nuk bëjnë asgjë por vetëm e ulin kokën.

Në fund, Veseli u shpreh i bindur që partia e tij do të dalë triumfuese në zgjedhjet lokale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat