“Kriza politike dhe bllokada e dirigjuar nga Thaçi, me zbatimin e paskrupullt nga Veseli e Haradinaj”

Politika

“Kriza politike dhe bllokada e dirigjuar nga Thaçi, me zbatimin e paskrupullt nga Veseli e Haradinaj”

Nga: A.Zh Më: 28 gusht 2017 Në ora: 16:27
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli

“Koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit PDK-AAK-Nisma, është fajtor për bllokadën institucionale. Bllokada me bekimin dhe dirigjimin e heshtur nga prapaskena të Presidentit Hashim Thaçi dhe me zbatimin nga Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, ka pasoja të rrezikshme dhe komprometuese për ekonominë e vendit dhe për imazhin e shtetit të Kosovës në botë”. Kështu ka deklaruar në një prononcim për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike Nehat Hyseni.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës është peng i "çlirimtarëve" dhe i atyre që nuk munden të luftojnë sa duhet, të cilët sipas tij, ia kanë marrë dorën që të bllokojnë.

Image
Nehat Hyseni

“Të pamësuar në demokraci dhe në pamundësi që të na çlironin nga Serbia e Millosheviqit, "çlirimtarët" pa bombardimet e NATO-s 18 vjet më parë, Republika e Kosovës aktualisht është peng dhe e robëruar prej tyre. Edhe pse nuk ditën dhe nuk mundën që me luftë të na çlirojnë nga Serbia, "krahu i luftës", i grumbulluar në koalicionin PAN, ia arriti që ta bllokojë Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj, sa herë që kishte nevojë. Pra, edhe pse nuk ditën e nuk mundën sa duhet të luftojnë, sa duket, ata ia kanë marrë dorën që të na bllokojnë”, ka deklaruar ai.

Hyseni ka vlerësuar se PAN është kujdesur fillimisht që ta hartojnë një Kushtetutë "sui generis", me anë të të cilës, ka fituar të drejtën e përjetshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, “por jo dhe mundësinë, meqë nuk i ka numrat".

E fajtor për këtë, ai ka thënë se është vet populli i Kosovës, i cili nuk diti se si të votojë.

“Fillimisht u kujdesën që ta hartojnë një Kushtetutë "sui generis", me demek "veç dynjasë", për ta ngatërruar mozomakeq e për ta bërë lëmsh, për faqe të zezë këtë vend të bekuar, jofunksional dhe të ngatërruar e të nemur dhe të dënuar për të qenë vazhdimisht në krizë. Madje, në krizë të dyfishtë: politike dhe institucionale. Ky taraf politik i "çlirimtarëve", i tubuar në koalicionin PAN, e "ka fituar të drejtën e përjetshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por jo dhe mundësinë, meqë nuk i ka numrat", deklaroi përfaqësuesi i tyre, Enver Hoxhaj, në vazhdimin e gjashtë me radhë të Mbledhjes konstituive të 24 gushtit 2017. Dhe për këtë i ka fajet populli i Kosovës, meqë nuk diti apo mbase nuk deshi "të votojë si duhet". Sikur të ishte Kushtetuta "si duhet", apo sikur të ishte populli "si duhet", tani do e kishim situatë politike të zgjidhur. Pra, Kushtetuta dha një "defekt" serioz, meqë nuk e ka përcaktuar edhe emrin e kryeparlamentarit dhe të kryeministrit, pavarësisht "numrave"”, është shprehur më tutje analisti Hyseni.

Ai ka theksuar se kriza politike është imponuar padrejtësisht nga koalicioni PAN, “me bekimin dhe dirigjimin e heshtur nga prapaskena të Presidentit Hashim Thaçi dhe me zbatimin e devotshëm dhe të paskrupullt nga Kadri Veseli e Ramush Haradinaj”.

“Sipas PAN-it, vetëm atëherë nuk do të kishim kriza politike e bllokada institucionale, kurse Republika e Kosovës do ishte shtet funksional e "demokratik"! Pra, kriza politike dhe bllokada institucionale aktuale është imponuar artificialisht dhe padrejtësisht nga koalicioni PAN, me bekimin dhe dirigjimin e heshtur nga prapaskena të Presidentit Hashim Thaçi dhe me zbatimin e devotshëm dhe të paskrupullt nga Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, ka pasoja të rrezikshme dhe komprometuese për ekonominë e vendit dhe për imazhin e shtetit të Kosovës në botë. Gjithsesi, koalicioni PAN është përgjegjës dhe duhet ta ndërpresë dhunimin e demokracisë dhe të praktikave të mirëfillta politike evropiane, duke e zhbllokuar skenën politike aktuale dhe duke i hapur rrugë zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe Qeverisë së re e institucioneve të Republikës ë Kosovës”, ka deklaruar analisti Nehat Hyseni për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat