“Ngecja më e madhe e Qeverisë së re, që do t’i kushtojë shtrenjtë Haradinajt”

Politika

“Ngecja më e madhe e Qeverisë së re, që do t’i kushtojë shtrenjtë Haradinajt”

Nga: Arbnore Zhushi Më: 9 shtator 2017 Në ora: 22:20
Ramush Haradinaj, sot në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot Qeverinë e re, e cila do të udhëhiqet nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Qeveria e cila do të ketë 21 ministri, është votuar, falë votave të Listës serbe, e cila mori vendimin për mbështetjen e Haradinajt, pas një takimi me Marko Gjuriqin sot në Beograd.

Qeveria e re, sipas analisti politik Faton Mehmeti, është bërë vetëm për interesa dhe pazare. Duke komentuar për gazetën “Bota sot”, Mehmeti, ka thënë se Haradinaj do të jetë kryeministër për vetëm 3 deputetët e partisë së tij, e jo edhe për të tjerët.

“ Haradinaj do të jetë kryeministër i një qeverie jo normale dhe pa parime, por vetëm për interesa dhe pazare. Faktikisht, Ramushi do të jetë kryeministër vetëm për 3 deputetët e partisë së tij, për të tjerët do të jetë vetëm spectator dhe do bëjë sehir. Faktikisht, janë katër kryeministra aty, secili do t’i kontrollojë të partisë së tij. Ramushi do ta ketë vetëm emrin zyrtarisht kryeministër aty, prandaj, mendoj se kjo qeveri nuk do të përfundojë mandatin e saj katër vjeçar”, është shprehur Mehmeti.

Sipas tij, qeveria e re, do të jetë më e sfiduara dhe më e panatyrshmja që ka pasur ndonjëherë Kosova.

Mehmeti ka theksuar se ngecja më e madhe e Qeverisë do të jetë Asociacioni, i cili sipas tij, do t’i kushtojë shumë Haradinajt.

“Kjo qeverisje, vetëm sa do e rrënojë edhe më shumë shpresën e qytetarëve se këtu nuk ka shpresë dhe do të shkaktojë edhe më shumë valë të të ikurve. Kjo qeveri, do të ngec tek asociacioni dhe besoj se kjo do të jetë arsyeja që pas një kohe të shkurtër, ajo të bie.Maksimumi i jetëgjatësisë së saj do të jetë një vit, më shumë fare. Ramushi do të dalë më i djegur nga e gjithë kjo histori, edhe pse kryeministër vetëm formalisht, derisa politikisht do t’i kushtojë shumë. Ka shumë shanse që karriera e tij politike të përfundojë me rënien e qeverisë. Gjasat janë të vogla që kjo qeveri të ketë sukses”, ka thënë Faton Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat