"Haradinaj i pafuqishëm ndaj Listës Serbe"

Politika

"Haradinaj i pafuqishëm ndaj Listës Serbe"

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 shtator 2017 Në ora: 10:44
Kuvendi i Kosovës

Reduktimi i fuqisë ekzekutive të të parit të qeverisë dhe derivimi i fuqisë vendimmarrëse të institucionit më të lartë përfaqësues e ligjvënës në një komunitet pakicë do të prodhojë politika të disfavorshme në raport më komunitetin shumicë.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike e juridike duke thënë se në rastet e tilla duhet të zbatohen standarde të pranueshme dhe që nuk kundërshtohen nga mënyra bazike e rendit të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi.

Sipas tyre, në suaza të zbrazëtirave zbatohen standardet në favor të zgjidhjes që ka rëndësi për qytetarët apo institucionet.

Image
Skender Zogaj

Kushtetuta si një “Llastik”

Analisti politik Skender Zogaj ka thënë se që nga interpretimi kalkulues i rastit të Presidentit Fatmir Sejdiu, e pastaj edhe i Behgjet Pacollit, që Gjykata Kushtetuese ua mori postet presidenciale, është pa se, Kushtetuta është një llastik që mund të zgjatet sipas dëshirave nga të "fortit".

Sipas tij, kjo praktikë ka ardhur duke u zgjeruar deri të legjislatura me e re e Kuvendit e cila, e pasuroi edhe me një lloj përvoje të re të mundshme për krijimin e institucioneve.

“Risia e konstituimit të Kuvendit dhe të Qeveria është shumë e dukshme, sidomos tek mënyra e procedimit dhe e miratimit të ministrave të kabinetit qeveritar. Sa janë përfillur ose shkelur rregullorja dhe kushtetuta kërkohet analizë e hollësishme, sepse, vazhdimi i një kësi praktike do të jetë tepër i dëmshëm dhe padyshim me pasoja edhe më të rrezikshme nëse vazhdon të përsëritet”, ka thënë Zogaj.

Kuvendi në zgripc nga Lista serbe

Ai ka nënvizuar se Kuvendi është në zgripc sepse me 62 vota nuk ka as njëlloj force, kështu që e ka të domosdoshme që mbijetesën ta kërkojë në kalkulime, të cilat gjithashtu janë në shterje.

“Faktorizimi i minoriteteve është e keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës. Pasojat e kësaj mënyrë të krijimit të institucioneve sigurisht se kanë për t’iu hakmarrë më së keqi Qeverisë në vend, e cila me këtë përbërje numrash nuk do të mund ta kaloj asnjë vendim me interes nacional. Në këto rrethana vendi do të ketë nevoje për mëshirën e opozitës”, është shprehur analisti politik Skender Zogaj.

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi ka thënë se deri më tash nuk ka pasur praktikë të tillë, pasi fillimisht ishte votimi i nënkryetarëve të Kuvendit nga minoritetet, e më pastaj e njëjta praktikë është bartur edhe të votimi i ndarë i ministrave të kabinetit qeveritar po ashtu nga minoritetet.

Ai ka theksuar se kjo është çështje që duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga VV-ja dhe LDK-ja.

“Në rast të kundërt një precedent i tillë mund të shfrytëzohet nga minoriteti serb për bllokimin e votimit të ligjeve, edhe pse janë zotuar që nuk do ta bllokojnë votimin e ligjeve, por as që nuk do ta shantazhojnë Qeverinë Haradinaj. Serbët edhe ashtu me Kushtetutën e Ahtisarit mund të bllokojnë shumë ligje që kërkojnë 2/3 e votave të tyre, dhe për këtë duhet të japin përgjegjësi shumica e partive që kanë aprovuar një Pako të tillë që bllokon funksionimin normal të Kuvendit dhe institucioneve të shtetit”, ka thënë politologu Krasniqi.

Image
Hidajet Ahmeti

Logjika nënshtruese

Analisti politik Hidajet Ahmeti ka pohuar se kjo logjikë e nënshtrimit deri në servilizëm  ndaj një komuniteti pakicë prodhon një gjendje kaosi në prodhimin e politikave publike.

Sipas tij, reduktimi i fuqisë ekzekutive të të parit të qeverisë dhe derivimi i fuqisë vendimmarrëse  të institucionit më të lartë përfaqësues e ligjvënës në një komunitet pakicë  prodhon politika të disfavorshme në raport më komunitetin shumicë.

Sipas tij, kjo mendësi politike e cila është jashtë kornizës së interesave qytetare, kombëtare e nacionale është si pasojë  i njerëzve me ambicie të sëmura për pushtet. Nuk ka pikë dyshimi se Qeveria Haradinaj  do te jetë i instrumetalizuar nga Lista  Serbe dhe partitë tjera shqiptare që janë pjesë e koalicionit qeverisës, dhe jashtë kësaj logjike qeverisëse nuk do të mund të funksionojë.

“Rrjedha e gjithë procesit të dëmshëm dhe nënshtrues  ndaj një pakice serbe,e cila do punoj në Kosovë e do të veproj me kokën e Beogradit do të  shfaqët brenda muajve në vijim. E ashtuquajtura “Qeveri e shumicës” stabilitetin  dhe jetëgjatësinë e saj potencialisht do ta rrezikoj çdo ditë, jo për hir të interesave qytetare, shtetërore e nacionale  por, për hir të interesave reciproke të dhjetëra partive të këtij koalicioni qeverisës ,e mbi të gjitha një formacioni politik e me qëllime hegjemoniste e nacionaliste”, ka thënë Ahmeti.

Haradinaj i pafuqishëm

Ai ka vlerësuar se determinimi i funksionimit të ekzekutivit, por edhe legjislativit  nga Lista Serbe është masazhi i qartë se Qeveria Haradinaj është e pafuqishme politikisht për t’i quar proceset e rëndësishme përpara, pasi që brenda këtij koalicioni qeverisës do të këtë shumë zotë shtëpie.

“Një qeveri e çakorduar hierarkisht, pa vizion e program të harmonizuar qeverisës, e pa integruar në raport me mandatin kushtetues e ligjor, përveç që nuk prodhon zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, integrime në struktura euro-atlantike  krijon ndasi etnike  e jo integrim të serbeve në shoqërinë tonë”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Image
Blerim Burjani

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani ka deklaruar se minoritet tashmë janë fuqizuar sikurse dikur në kohën e  komunizmit në Kosovë.

Sipas tij, pa votat e tyre nuk mund të kalojë asnjë ligj dhe asnjë dokument tjetër ku kërkohen shumica relative por edhe 2/3 e dyfishta për ndryshimin e kushtetutës , por edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

“Në rastet e tilla duhet të zbatohen standarde të pranueshme dhe që nuk kundërshtohen nga mënyra bazike e rendit të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. Në suaza të zbrastirave zbatohen standardet në favor të zgjidhjes që ka rëndësi për qytetarët apo institucionet”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat