Prokuroria tregon si do të veprojë në rastin e ministrit Rikalo

Politika

Prokuroria tregon si do të veprojë në rastin e ministrit Rikalo

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 shtator 2017 Në ora: 09:12
Nenad Rikallo

Qeveria e re e formuar pas tre muajsh bllokadë institucionale solli mjaft debat dhe reagime, për shkak të emërimit ministër të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtarin e Listës Serbe, Nenad Rikalo.

Kjo, pasi sipas banorëve të lagjes Dardania në Prishtinë, Rikalo kishte rrahur dhe maltretuar shqiptarë që kishin banuar në atë lagje gjatë luftës.

Ata kanë rrëfyer ato që kanë parë dhe kanë shprehur habinë se si ai mund të bëhet ministër në Kosovë.

Lidhur me këtë pati reagime të shumta, ku u kërkua shkarkimi i tij, mirëpo, kryeministri Ramush Haradinaj tha se ka kërkuar informacione nga AKI, Prokuroria dhe Policia e Kosovës në lidhje me Rikalon dhe në bazë të informatave nga këto institucione, ministri serb i bujqësisë nuk ka të bëjë me ato që thuhen për të.

Për rastin e Nenad Rikalos, gazeta “Bota sot” ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria e Shtetit, në lidhje me hetimet e mundshme për të.

Image
Liridona Kozmaqi

Liridona Kozmaqi, zëdhënëse për media në Prokurorinë e Shtetit ka thënë se para se banorët të rrëfenin për Rikalon, Prokuroria nuk ka pasur informacione për të dhe se do të veprojë në bazë të Kodit Penal.

“Ju informoj se PSRK deri me 13.09.2017, kur ka parë lajmet e mbrëmjes në KTV, nuk ka pasur asnjë informacion lidhur me veprimet e mundshme inkriminuese, për Nenad Rikallo, ministër i Bujqësisë në Republikën e Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, do të ndërmerr veprimet e duhura në pajtim me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen e Kozmaqit për “Bota sot”.

Për akuzat ka reaguar për herë të parë dje ministri Rikalo, i cili i ka mohuar akuzat, duke thënë se tërë ato informacione janë të pasakta dhe qëllimkëqija.

”Fushata e rrejshme që po udhëhiqet kundër meje dhe familjes time është e bazuar tërësisht në informata të pasakta”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat