Eksperti i sigurisë jep alarmin: Ky është qëllimi i Serbisë me “regjistrimin e popullsisë” në Mitrovicë

Politika

Eksperti i sigurisë jep alarmin: Ky është qëllimi i Serbisë me “regjistrimin e popullsisë” në Mitrovicë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 shtator 2017 Në ora: 16:59
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës, të enjten, me autorizimin e Prokurorisë ka bastisur hapësirat e Kryqit të Kuq të Serbisë në Kosovë, si dhe të disa shtëpive private, të personave të punësuar në këtë organizatë.

Me këtë rast janë konfiskuar dokumente, për të cilat ekzistojnë dyshimet se individë të kësaj organizate i përdorin për regjistrimin e popullsisë. Policia e Kosovës vlerëson se ato dokumente janë të dyshimta dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, marrë parasysh që regjistrimin e popullsisë në Kosovë mund ta bëjnë vetë institucionet ekzekutive të Kosovë.

Policia, gjatë bastisjes, gjithashtu i ka intervistuar disa individë, të cilët janë gjetur në hapësirat e Kryqit të Kuq, ku edhe është gjetur materiali për regjistrimin e popullsisë.

Siç, ka informuar Policia e Kosovës, gjatë aksionit policor në Mitrovicë, janë lënduar disa zyrtarë policorë, pasi që janë sulmuar nga disa individë, ndaj të cilëve edhe është hapur procedura për sulm ndaj personave zyrtarë.

Lidhur me këtë aksion të Policisë, ka komentuar eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Policia është e obliguar që të intervenojë dhe të ndërmarr masa ndaj atyre që thyejnë normat ligjore. Ai ka theksuar se për zgjedhjen e popullsisë së Kosovës, janë të autorizuara vetëm institucionet e Kosovës dhe askush tjetër.

Tërnava: Qëllimi i Serbisë, trazimi i situatës në Kosovë

Image
Hajrullah Tërnava

“Policia e Kosovës si edhe çdo polici e shteteve të tjerë, i kanë kompetencat e tyre ligjore për mirëmbajtjen e rendit ligjor për mirëmbajtjen e rendit ligjor të shtetit, për çka edhe paguhen. Nëse kanë informata se në një vend, në këtë rast si në Kryqin e Kuq Serb, janë duke u zhvilluar gjëra jashtë rendit ligjor të shtetit tonë, apo veprime që karakterizohen si vepër kundër ligjeve të shtetit tonë, policia në bazë të kompetencave ligjore, janë të obliguar që të intervenojnë dhe të ndërmarrin masa deri edhe në burgosjen e atyre që i kanë thyer normat ligjore. Çdo përzierje e ndonjë shteti tjetër në punët e brendshme të shtetit tjetër, është e ndaluar me ligj. Për zgjedhje të popullatës së Kosovës vendosin institucionet e Kosovës dhe askush tjetër”, ka thënë eksperti Tërnava.

Sipas tij, Serbia po dëshiron që të trazojë gjendjen e “brishtë” në Kosovë, që kjo e fundit të dal keq me imazh para ndërkombëtarëve.

“Qëllimi i Serbisë është që të trazojë këtë gjendje edhe ashtu të brishtë në Kosovë dhe të krijojë çrregullime në vendin tonë dhe me këtë t’i tregojë botës se kot faktori ndërkombëtar e përkrah Kosovën, kur ata nuk janë për shtet dhe si të tillë gjithnjë e destabilizojnë rendin dhe qetësinë në vend dhe rajon”, është shprehur Tërnava.

Ai ka shtuar se Policia e Kosovës duhet të veprojë çdo herë kur prishet rendi kushtetues, pavarësisht qëllimeve të Serbisë.

“Pavarësisht qëllimeve dhe planeve të Serbisë, Policia e Kosovës duhet të jetë në gjendje në çdo kohë të intervenojë atje ku prishet rendi kushtetues, si në veri apo jug, dhe të është e gatshme që në gjithë territorin e Kosovës, ta zbatojë ligjet në fuqi dhe qytetarëve të Kosovës t’iu mundësojë ta gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre ligjore, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës në fuqi”, ka thënë eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat