Kompromise të dhimbshme me Listën serbe

Politika

Kompromise të dhimbshme me Listën serbe

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 shtator 2017 Në ora: 19:01
Kuvendi i Kosovës

Me tri ministri dhe gjashtë zëvendës ministra, Lista Serbe u bë pjesë e qeverisë aktuale.

Qëndrimet e tyre për formimin e Ushtrisë së Kosovës kanë qenë të ditura edhe më herët, e kundërshtimin vazhdon ende.

Madje, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Marko Gjuriq ka deklaruar se Lista Srpska do të luftojë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Sipas tij, Lista Srpska tashmë ka bërë hapin e parë dhe ka vepruar ashtu që formimi i Ushtrisë së Kosovës të hiqet nga dokumenti i Qeverisë.

"Haradinaj në këtë moment nuk po e përmend shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri", ka thënë Gjuriq.

Ai ka thënë se Lista Srpska në Qeverinë e Kosovës ka hyrë që të ketë disa koncesione dhe nuk është e rastësishme që nga qëllimet programore të kabinetit Haradinaj është hequr çështja e formimit të Ushtrisë si dhe pronësia e Trepçës.

Qeveria e mohon

Lidhur me këtë, zyrtari për media nga AAK, Arbër Vllahiu ka deklaruar për gazetën “Bota sot” se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë që ka thënë Gjuriq.

“Nuk është aspak e vërtetë”, është shprehur shkurt Vllahiu.

Image
Arbër Vllahiu

Në anën tjetër, analisti politik Skënder Zogaj, nuk beson se mund të jetë pranuar një gjë e tillë, derisa thotë se serbët si mjete mbijetese e kanë gënjeshtrën dhe mashtrimin.

“Përvoja shekullore shqiptare e kanë të vërtetuar se, serbit i mjafton që t'i lejohet këputja e një kokërr molle, që ai pastaj ta deklarojë pemishten e huaj si të tijën dhe, të insistojë pa zgjedhur mënyrë as mjete, e me çka t'i vjen ndoresh, që ta kërkojë tërë pemishten, derisa në fund të pajtohet që me koncesion, pemishtja të ndahet për gjysmë! Kjo është filozofia jetësore e serbëve, që dihet se rrenën dhe mashtrimin i kanë forcë të mbijetesës dhe mjetin kryesor të përfitimeve në të gjitha kohët”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Image
Skënder Zogaj

Më tej ai thotë se nuk do të besojë se Haradinaj mund të ketë bërë diçka të tillë vetëm për të qëndruar në pushtet.

“Kjo nuk mund të jetë e vërtetë! Kjo duhet të jetë gënjeshtër sepse, askush dhe askujt më shumë se Ramush Haradinajt nuk i përket Ushtria e Kosovës, jo vetëm si një "trofe lufte" por si një vlerë kombëtare e shpirtërore dhe historike, si një dëshmi konkrete e fitores çlirimtare dhe adut i domosdoshëm i ardhmërisë dhe prosperitetit zhvillimor të popullit shqiptar të Kosovës. Këto janë krye vlerat që një gjeneral i luftës, siç është Ramush Haradinaj, ua din më së miri peshën, prandaj, nuk dua të besoj që Kryeministri i Kosovës të ketë hequr dorë pre tyre, siç thotë Gjuriq. Pushteti është i ëmbël dhe e meriton angazhimin maksimal por jo deri në përbuzjen e vlerave të shenjta, kombëtare, për të qëndruar në pushtetit me çdo kusht”, është shprehur ai.

A kishte kompromis?

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se këto kanë qenë ndër kushtet e SRPSKA-s për ta mbështetur qeverinë aktuale të Haradinajt, derisa para pak muajsh Serbia kërkonte ekstradim në Serbi të Ramush Haradinajt.

Image
Nexhat Haziri

“Mendoj se ky ka qenë edhe kushti i Listës Serpska për ta mbështetur dhe votuar qeverinë e PAN-it, gjegjësisht kryeministrin Haradinaj. Dhe kjo vetë kuptohet pasi nuk mund të ketë diçka më pak, se sa këto kushte për vetë faktin se Serbia para disa muajsh kërkonte ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi si kriminel lufte, në kohën kur ky i fundit u ndal nga autoritet franceze për shkak të një urdhër arresti ndërkombëtar, që përmes Interpolit e kishte lëshuar po ashtu Serbia”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Hazirit, këto kushte të Beogradit përmes Listës Serbe, që Ushtria dhe Trepça të mos jenë në agjendë të qeverisë, do t’i kushtojnë Kosovës në proceset e shtetësisë dhe aspektin e sigurisë.

“Dhe këto janë kushtet qe i ka kërkuar Beogradi zyrtar përmes Listës Srpska, pra që mos të flitet apo mos të jetë në agjendën qeveritare formimi i Ushtrisë së Kosovës dhe që mos të ketë lëvizje të reja mbi pronësinë e Trepçës. Këto kushte të vëna nga Beogradi dhe të pranuara nga Haradinaj, do t’i kushtojnë shumë Kosovës në proceset e forcimit të shtetësisë së saj por edhe në aspektin e sigurisë rajonale, pasi Kosova pa ushtrinë e saj, nuk do te kompletohet si shtet”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Të ushtrohet presion ndaj serbëve

E analisti Faik Krasniqi i sheh si çështje komplekse ushtrinë dhe pronësinë e Trepçës, derisa thotë se për këto do të duhej të ushtrohet presion mbi serbët që t’i votojnë.

Image
Faik Krasniqi

“Transformimi i FSK në Ushtri të Kosovës është çështje shumë komplekse, sepse për krijimin e saj duhet të votojnë edhe 2/3 e deputetëve serbë. Kështu që vetëm ndonjë presion i madh ndërkombëtar do t’i detyronte serbët që ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, përndryshe do të ngelemi pa krijimin e saj. Dhe ky presion edhe nëse bëhet, do t’i bëhet qeverisë së Serbisë, në mënyrë që ata t’i shtyjnë deputetët serbë të ”Listës serbe” që ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, sepse kjo Listë është e krijuar nga qeveria serbe dhe dirigjohet dhe bindet vetëm urdhrave të tyre. Prandaj nuk besoj që Haradinaj ka hequr dorë nga çështja e formimit të Ushtrisë si dhe pronësia e Trepçës, por janë çështje komplekse që duhet presion ndërkombëtar. Ose që ta kushtëzojë Listën serbe ta votojë ushtrinë me qëllim të themelimit të ASK-së pa kompetenca ekzekutive, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat