Vetëvendosje nuk tërhiqet nga kushtet ndaj Thaçit

Politika

Vetëvendosje nuk tërhiqet nga kushtet ndaj Thaçit

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 21 shtator 2017 Në ora: 09:04
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje partive politike për të krijuar një ekip të unitetit për dialogun me Serbinë.

Ai ditë më parë njoftoi nismën për krijimin e një ekipi të unitetit në dialogun me Serbinë. 

“Kosova, para vetes, ka shumë sfida dhe nuk ka kohë për të humbur. Sukseset më të mëdha të këtij vendi janë arritur vetëm kur kemi qenë të bashkuar. Ftoj të gjitha partitë politike që të lënë anash inatet, interesat partiake dhe t’i bashkohen krijimit të institucioneve të Kosovës dhe ekipit të unitetit”, ka shtuar ai.

Por këtë nismë e kanë refuzuar një pjesë e subjekteve politike në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës e cila është deklaruar se ende nuk ka vendosur nëse do të jetë pjesë e kësaj ekipe dhe Vetëvendosja ka vënë disa kushte. Vetëvendosja ka kërkuar formimin e një komisioni për të shqyrtuar se si është bërë dialogu deri më tani dhe ridefinimin e dialogut.

Të kontaktuar nga “Bota sot”, zyrtarë nga Presidenca nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse do të pranojnë kushtet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Dialogu të diskutohet në Kuvend

Ndërkaq zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje këmbëngulin në kërkesat e tyre se dialogu me Serbinë fillimisht duhet të diskutohet në Kuvend dhe pas një analize të thellë të vazhdohet me dialogim.

Image
Faton Topalli

Kështu deputeti i kësaj partie, Faton Topalli thotë për “Bota sot” se nuk ka rëndësi se kush merr pjesë në këtë ekip, por orientimi që përfaqëson ai.

“Çështja e dialogut me Serbinë nuk është çështje partiake, por interes i përgjithshëm i vendit. Nuk ka asnjë rëndësi për mua përbërja e delegacionit, por orientimi politik që përfaqëson një delegacion i mundëshëm”, thekson ai.

Topalli thotë se pasi të analizohet mirë i tërë procesi i dialogimit, çështja e përfaqësimit është teknike.

“Dialogu me Serbinë duhet të diskutohet në Kuvend dhe vetëm pas një analizë të procesit, përcaktimit të qëllimeve dhe strategjisë, mund të vazhdojnë bisedimet me Serbinë për çështja të cilat kapin marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Përfaqësimi është pastaj më shumë çështje teknike”, thotë Topalli.

Ndërkaq edhe zyrtarët nga LDK-ja nuk e kanë komentuar fare nëse do të jenë pjesë e kësaj ekipe ose jo.

Thaçi të pranojë kushtet e Vetëvendosjes

Image
Skender Zogaj

Njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj në një prononcim për “Bota sot” thotë se Presidenti Hashim Thaçi duhet të pranoj kushtet e Vetëvendosjes.

“Po, presidenti Thaçi është mirë që pa hezitim të pranojë propozimin e Vetëvendosjes për krijimin e një komisioni që do të bënte vlerësimin e bisedimeve të deritashme, arritjet dhe ngecjet dhe, mbi këtë bazë të bëhet edhe ridefinimi nëse vërtetohet se ka arsye të ndodh”, thekson ai.

Ai thotë se në këtë mënyrë, kjo parti do të ndikonte në një intensifikim më serioz të bisedimeve.

 “Ky do të kishte qenë veprim shumë i mirë sepse do ta përfshinte në dialog partinë më kritikuese opozitare, dhe kjo di ishte mundësi praktike për më pak zhurmë, e jam i bindur se, do të ndikonte edhe në intensifikimin me serioz te bisedimeve drejt përfundimit të tyre”, thekson ai.

Sipas Zogajt, në këtë mënyrë edhe Presidenti Thaçi do të shkarkonte një përgjegjësi të madhe nga vetja tek Lëvizja Vetëvendosje.

“Presidentit Thaçi kjo i konvenon më së shumti sepse do ta shkarkonte një pjesë të madhe të përgjegjësisë së tij personale tek opozita dhe veçmas tek Vetëvendosja e  cila ka nevojë të tregoj çka di dhe çka mundet të bëjë”, vlerëson analisti Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat