Në vetëm 12 ditë punë, Haradinaj i sjell një dështim të madh Kosovës

Politika

Në vetëm 12 ditë punë, Haradinaj i sjell një dështim të madh Kosovës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 21 shtator 2017 Në ora: 23:18
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar zyrtarisht se ka vendosur të shtyjë kandidimin e Kosovës për pranim në Interpol për në samitin e ardhshëm.

Sivjet ishte pritur që Kosova të kandidonte për pranim në Interpol, por Haradinaj ka bërë të ditur se Kosova nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për pranim.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka sqaruar përmes një komunikate për media, se vendimi për shtyrjen e anëtarësimit të Kosovës në Interpol për vitin e ardhshëm është marrë pasi është vlerësuar se një gjë e tillë është në interes të vendit.

MPJ në sqarimin e saj, ka theksuar po ashtu se nikoqiri i takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, ka shfaqur hezitime për të lejuar pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në këtë asamble dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës nuk kanë qenë në gjendje, që të pajisen me viza.

Por, tërheqjen e kërkesës për anëtarësim të Kosovës në Interpol, njohësi i çështjeve integruese Sami Blakaj, e sheh si dështim.

Image
Sami Blakaj

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Blakaj, ka thënë se Kosova po heqë dorë nga përpjeket për anëtarësim në organizmat ndërkombëtar.

“Kosova vërtetë ka humbur shumë nga dështimet e saj të njëpasnjëshme për tu anëtarësuar në organizatat e rënëdsishme ndërkombëtare. Është akoma më keq kur vendi ynë heqë dorë vetë nga anëtarësimi në organizmat ndërkombëtar, sic është rasti i fundit me Interpolin”, ka thënë Sami Blakaj.

Ai ka theksuar se pos dështimit për t’i bindur shtetet anëtare të Interpolit, Kosova ka dështuar edhe me luftën e krimit dhe korrupsionit.

“Dështimi i Kosovës për të qenë pjesë e organizatës ndërkombëtare të policisë nuk nënkupton vetëm dështimin e diplomacisë shtetërore për ti bindur shtetët anëtare të Interpolit, por më shumë se kaq nënkupton dështimin e shtetit për ta luftuar krimin dhe korrupsionin në vend. Kosova vazhdon të jetë vrimë e zezë e korrupsionit, kontrabandës dhe krimit të organizuar dhe përderisa vazhdon kjo dukuri e shëmtuar, vendi jo vetëm që nuk mund të jetë garant për sigurinë ndërkombëtare, por madje nuk mund të garantojë siguri as për vetveten, gjegjësisht për qytetarët e tij”, është shprehur për “Bota sot”, Blakaj.

Ndryshe, Qeveria e re e Kosovës, e përbërë nga koalicioni PAN-AKR-Lista serbe, u formua vetëm 12 ditë më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat