Qeveritarëve u “mungon” guximi, hezitojnë ta vizitojnë veriun e Kosovës

Politika

Qeveritarëve u “mungon” guximi, hezitojnë ta vizitojnë veriun e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 shtator 2017 Në ora: 11:16
Kujtojmë se gjatë vitit 2011, sa ishte president, Behgjet Pacolli kishte qëndrua për vizitë në Mitrovicë. Vizita e Presidentit Behgjet Pacolli ishte vizita e parë e një presidenti të Kosovës në këtë pjesë të qytetit.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj dhe pjesëtarët e tjerë të kabinetit të tij, nuk mund ta vizitojnë lirshëm pjesën veriore të Mitrovicë. Kështu vlerësojnë njohës nga fusha e sigurisë dhe analistë politik, pasi sipas tyre, pjesa veriore e Kosovës qeveriset kryesisht nga Serbia.  

Janë bërë 18 vite që kur Agron Paçarada, kishte parë për herë të fundit banesën e tij në veri të Mitrovicës.

Ai thotë për “ Bota Sot” se situata atje nuk është stabile dhe është gati pamundur që të kemi një përgjigje adekuate në lidhje me këtë pasi serbët janë populli më i parashikuar në botë. Si qytetarë që është i “privuar”, nga e drejta për të shkuar në shtëpinë e tij, ai shfaqet skeptik kur pyetet, nëse Kryeministri aktual do të mund t`i bënte ndonjë vizitë kësaj pjese.

“Dihet historikisht që Serbet janë popull i pa parashikueshëm dhe gjërat munden të ndryshojnë në çdo sekondë, pasi të drejtat e njeriut shkelen edhe këtu në jug se leje më në veri. Sa i përket shkuarjes së Haradinaj dhe kabinetit të tij atje, ndoshta edhe mund ta bëj, pasi cilësohet si trim, por Serbet janë aq shumë të lidhur mes vete, saqë edhe Korenë e Veriut mund ta çmontojnë se leje më një kabinet të tillë”. Atje është jeta shumë ndërlikuar dhe askush nuk mund ta dijë se si  do të shkojnë punët më tutje. Unë kam banesë në pjesën e veriut, por që 18 vite nuk kam qenë atje, madje nuk e kam idenë as se si duket tash banesa ime atje”, ka thënë qytetari nga Mitrovica.

Image
Hajrullah Tërnava

Gjendje jo stabile

Zyra për informim e Qeverisë së Kosovës, nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës lidhur me mundësinë që Ramush Haradinaj t`i bëj një vizitë pjesës veriore.

Ndërkaq, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se gjendja e tanishme në Kosovë nuk është stabile e sidomos pjesa e veriut, me të cilën pushteti i Kosovës gjithnjë ka pasur probleme që nga çlirimi i vendit e deri më tani.

“Pjesa veriore e Kosovës  dihet se qeveriset kryesisht nga Serbia  me policinë e tyre dhe me paramilitarë e tyre, andaj  në asnjë moment qeveritarët tanë nuk kanë siguri dhe nuk munden që publikisht të dalin atje. Në biseda e sipër qeveritarët mundohen të na bindin se ata herë pas herë po e vizitojnë atë pjesë  pa problem por realiteti është krejt diçka tjetër. Dihet se atë pjesë ditë më parë e vizitoi edhe kryeministri Mustafa por vizita nuk ishte me marshutë të paraparë dhe të planifikuar, por ishte një vizitë që u bë nëpër disa rrugë e rrugica të fshatrave deri në vendin e paraparë të asaj pjesë të veriut, madje edhe lavdëroheshin se ne kemi vizituar veriun”, ka thënë Tërnava.

Regjistrimi ilegal i popullsisë

Sipas tij, do të kalojë edhe një kohë e gjatë deri në Pavarësinë e plotë të Kosovës, deri atëherë kur Serbia ta njeh Kosovën si shtet.

“Dëshmia më e fortë e qeverisjes së asaj pjesë të veriut tani është tendenca e Serbisë për regjistrimin e popullsisë në veri me anë të kryqit të kuq. Policia e Kosovës po ashtu përjetoi sulme prej qytetareve të asaj pjesë, madje pati edhe disa polic të cilët u lënduan rëndë. Pra kjo e dëshmon atë që thash më parë se ajo pjesë kontrollohet nga Serbia, prandaj shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës përfshirë edhe veriun do të ndodhë vetëm atëherë kur Serbia do e njeh Pavarësinë e Kosovës. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm me presionin dhe kushtëzimin e faktorit ndërkombëtar siç janë: Amerika dhe BE, si kusht që Serbia të mund të anëtarësohet në BE. Pra të gjitha bisedat që udhëhiqen mes Kosovës dhe Serbisë janë vetëm biseda teknike dhe lokale sa për tu biseduar”, është shprehur Tërnava.

Image
Armend Halimi

Sulmi ndaj organeve të sigurisë

Ndërsa Armend Halimi, njohës i çështjeve të sigurisë ka thënë se gjendja e pasigurisë në veriun e Kosovës, përkatësisht në pjesën veriore të Mitrovicës është produkt i një politike të qëllimshme që nga pas lufta, ndaj së cilës përgjegjës janë udhëheqësit nga politika vendore dhe ajo ndërkombëtare.

Sipas tij, dy palët si ajo vendore dhe ndërkombëtare bën të mundshëm që ajo pjesë "të legalizohet" për "ilegalitet", duke krijuar kështu jo vetëm perceptim të një zone të rrezikshme, por edhe një realiteti të rrezikut nga sulmi, lëndimi dhe vrasja që përballen në përditshmëri qytetarët e asaj pjesë, bashkë me çdo tjetër që nuk është i nacionalitetit serb.

“Për më tepër jo vetëm civilët janë përballur me këto, por edhe mekanizmat e rendit dhe sigurisë, ku shpesh herë kemi parë absurditet në përballje me kërcënuesit, ku policët dhe mekanizmat ndërkombëtar në një farë mënyre kanë kërkuar miratimin e grupeve kriminale për t’u futur në atë pjesë qoftë edhe vetëm për një relacion të shkurtër rrugëtimi. Andaj duke qenë se ka ndodhur në vazhdimësi dorëzimi i mekanizmave të rendit dhe sigurisë para grupeve kriminale, lë të kuptohet që nuk ka pasur vullnet politik të përmirësimit të situatës, e jo mungesa e forcës”, ka thënë Halimi.

Ai ka thënë se pikërisht për këtë arsye na len që të kuptojmë se sovraniteti i mirëfilltë asnjëherë nuk është përjetuar në atë pjesë, me gjithë përpjekjet e ndryshimit të vogël viteve të fundit.

“Me një fjale, gjithë kjo problematikë është rezultat i një keq menaxhimi politik permanent, gjë që nuk duhet parë si të pabesueshëm mos guximin e tanishëm, apo thënë më but vështirësitë që ka dhe që do të ketë secili pushtet që prek në atë pjesë. Ndërsa shtrirje të sovranitetit i japin kuptim funksionimi i gjitha institucioneve në gjithë territorin e vendit, parimi i ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit, dhe trajtimi i barabartë i çdo problematike pavarësisht nëse ajo shfaqet në jug apo në veri. Vetëm kur këto gjëra vijnë në shprehje, atëherë ne kemi të bëjmë me shtrirje të plotë të sovranitetit”, ka thënë Halimi.

Sfida e ushtrimit të autoritetit

Sipas të njëjtit, nga Serbia sigurisht që pritet gjithçka, pasi ajo çdo herë mundohet që në çdo formë dhe në çdo mënyrë  të tentojë të pamundësojë funksionimin e shtetit të Kosovës.

“Serbia po mundësohet ta bëj të pamundurën ndaj funksionimit të shtetit të Kosovës, jo vetëm në atë pjese, por në gjithë territorin e Kosovës. Por nëse politika vendore punon në drejtim të marrjes së bekimit të Bashkësisë Ndërkombëtare, atëherë  ka fuqinë dhe zotësinë e eliminimit të këtyre pengesave, duke rritur kështu edhe  kontrollin në atë pjesë nëpërmes mekanizmave institucional, siç është policia në këtë rast. Mendoj se vetëm me rritjen dhe prezencën e saj, patrullimeve më të shpeshta si brenda zonës urbane, ashtu edhe asaj rurale, duke parandaluar me kohë veprimet që bien ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe ballafaqimin serioz ndaj çdo kryesi. Përndryshe, nëse veç vazhdohet sikurse është trajtuar ajo pjesë deri më tani, jo vetëm kjo qeveri, por cila do qeveri do të ketë sfidë qoftë edhe vetëm në vizitat ditore, e lëre më ushtrimin e autoritetit shtetërore në atë pjesë”, ka thënë Halimi.

Image
Faton Mehmeti

Vizita nëpërmjet rrugëve dytësore

Ndryshe analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se Haradinaj dhe kabineti  i tij qeveritar, nuk kanë guxim që ta vizitojnë veriun, por edhe nëse këtë e bëjnë atëherë atë mund ta bëjnë vetëm përmes rrugëve dytësore, edhe pse kjo nuk përbën ndonjë lajm të mirë për Kosovën.

Sipas tij, nuk ka asnjë efekt nëse një kryeministër viziton veriun i rrethuar nga qindra forca sigurie, dhe vetëm për efekt politik.

“Kosova ka nevojë që të integrojë veriun, që serbet përmes integrimit të shkëputen nga Beogradi. Këtë çështje do të duhej ta ngisnin në Bruksel pala shqiptare e Kosovës për ndërhyrje të vazhdueshme të Serbisë në veri. Serbia ka filluar edhe më tutje të shtrij autoritetin në veri, ku së fundi dihet se ka filluar të bëjë regjistrimin e popullsisë përmes kryqit të kuq. Ky është një lajm shqetësues dhe sfidues për autoritet e vendit tonë, pasi përmes regjistrimit të popullsisë së saj në veri, Serbia dëshiron ti fus në lista të qytetarëve të Serbisë duke e konsideruar veriun pjesë të saj”, ka thënë Mehmeti.

“Haradinaj nuk mund të shkojë aq lirshëm në veri”

Ai ka theksuar, këto hapa të Serbisë janë të rrezikshëm pasi Kosova duhet të jetë vigjilente.

“Kosova duhet të ngrije këtë çështje dhe të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Serbinë në Bruksel me heqjen dorë të Serbisë nga veriu, sepse mos financimi i serbëve atje dhe shuarja e strukturave paralele siç janë shëndetësia, arsimi etj. Pra Haradinaj nuk mund të shkojë aq lirshëm në veri, madje edhe nëse shkon, nuk ka kurrfarë efekti derisa kjo bëhet vetëm, për marketing politik. Kosova ka nevojë për hapa konkret dhe afatgjatë dhe jo politika ditore në shërbim të individëve politik”, ka thënë Mehmeti.

Image
Ali Hertica

Rreziku nga Lista serbe

Ndryshe analisti politik Ali Hertica ka pohuar se situata e cila mbretëron në territorin e Kosovës është e pa kuptimtë, meqë dihet se në tërë cepin e saj, nuk shtrihet kontrolli i sovranitetit dhe politika e shtetit.

“Asnjëherë madje as mbas 18 viteve nuk shkeli këmba e një lideri në Mitrovicë e lëre më tek kroi i Vitakut ,por të tillët vetëm shkonin tek ura për të bërë fotografi pa pasur asnjë turp nga autoriteti që kanë.  Ishin liderët dhe komandantët që nuk e shkelën atë pjesë edhe pse strukturat e tyre thuajse janë të gjitha në institucionin e shtetit dhe paguhen nga qytetari i Republikës. Strukturat e pjesës veriore vijnë në qendër të Prishtinës, pa u frikësuar fare, madje  pjesa  më e madhe e tyre i kanë duart  e gjakosura  nga krimet, ndërsa nga ana tjetër liderët politikë të shqiptarëve, nuk marrin guxim fare që ta vizitojnë atë pjesë ku është turpi mbi turpin”, ka thënë Hertica.

Ai ka theksuar se Haradinaj i cili mban postin e kryeministrit nuk do të ketë guxim që të shkojë në atë pjesë që ta vizitoj lirshëm qytetin e Mitrovicës sepse vet punëtori i tij Rakiqi do të krijoj skenat e destabilizmit dhe përgatitjen e rebelimit të rojave të urës dhe grupet e tyre shoviniste.

“Jo vetëm  në atë pjesë është xixa e Ballkanit, por edhe në Graqanicë liderët  tanë nuk kanë guxim që të shkojnë lirshëm atje. E kemi rastin e fundit kur Njësia Speciale ishte sulmuar nga serbët e asaj pjesë, pasi kishin shkuar që të bëjnë kontrollimi në mënyrë që ta ndalojnë krimin dhe keqpërdorimin e Kryqit serb. Por nuk ndodhi ashtu siç u menduar pasi uniformat tona blu, u goditën nga vet militantët e Beogradit dhe përfaqësuesit e tyre, që mjerisht gjenden në ulëset e Qeverisë dhe përfaqësojnë këtë shtet”, është shprehur analisti politik Hertica.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat