Ndërkombëtarët të zhgënjyer me Kosovën

Politika

Ndërkombëtarët të zhgënjyer me Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 shtator 2017 Në ora: 08:16
Kabineti i Haradinajt

Vendet mike duket se janë dëshpëruar me degradimin e shtetit te Kosovës. Perëndimi i cili dikur e gjeti Kosovën, mes hirit të bombave, tani ata po shikon një Kosovë e cila po digjet në hirin e korrupsionit e krimit te organizuar dhe të pengmarrjes dhe kapjes së shtetit. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se postet politike në Kosovë shikohen si vende biznesi dhe fuqia që politika merr prej votës ka një shpërdorim për interesa personale të atyre që kapin poste politike.

Njohësi i çështjeve politike Artur Roshi ka pohuar se perëndimi nuk është se ka ndonjë pritshmëri për një demokraci të vërtetë, pasi demokracia nuk vjen nëse qytetaret, por edhe politikanët si qytetarë ta shohin atdheun si shtëpinë e tyre.

Image
Artur Roshi

Postet si vende biznesi 

Sipas tij, postet politike në Kosovë shikohen si vende biznesi dhe fuqia që politika merr prej votës ka një shpërdorim për interesa personale të atyre që kapin poste politike.

“Sido që të jetë duhet dhënë njëlloj kohe në favor të qeverisë sepse sa u ndanë nga zgjedhjet dhe pastaj shtohen argumentet që qeveria po qeveris mirë ose keq. Pra zgjedhjet janë ato që vendosin dhe perëndimorët i respektojnë rregullat e demokracisë, dhe sigurisht janë qytetarët e Kosovës që humbasin kohën e jetës nën qeverisje jo serioze”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Roshi.

Kurse, Opinionisti Nexhat Haziri në lidhje me këtë çështje ka thënë se ka kohë që perëndimi, miqtë tanë që ndihmuan Kosovën në rrugëtimin e sajë jo vetëm të lirisë, por edhe të pavarësimit si shtet, janë zhgënjyer me përformancën e klasës politike në qeverisjen e vendit.

Image
Nexhat Haziri

Kosova me demokraci të dështuar?

Ai ka theksuar se korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve më të rëndësishme të shtetit nga para politika, sidomos institucioneve të drejtësisë, ka bërë që ky zhgënjim i miqve tanë ndërkombëtar të jetë akoma më i madh apo më i thellë.

“Deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë me këtë trend të qeverisjes së Kosovës, ne jemi duke shkuar në grupin e shteteve me demokraci të dështuar, një shtet jo funksional, me një situatë abnormale që iu shkon përshtati vetëm grupeve të interesit dhe atyre mafioze që janë të lidhura me liderët më të lartë shtetëror. Dhe qeveria aktuale e PAN-it, e kryesuar nga z. Haradinaj, nuk pritet që ta ndryshoj këtë trend negativ të qeverisjes së vendit, përkundrazi vetëm sa do ta thelloj, për arsyen e thjeshtë pasi këta njerëz i pengon jo vetëm e kaluara e tyre implikuar në veprimtari kriminale, por edhe ambiciet e tyre personale e klanore që kanë për të përvetësuar sa më shumë të mira materiale që vijnë nga të qenurit në pushtet, pa zgjedhur forma dhe mjete për të arritur këto synime të tyre. Natyrisht se këto kosto të ambicieve të sëmura të klasës politike, e në veçanti të qeverisë aktuale dhe njerëzve që e përbëjnë këtë, do ta paguajnë qytetarët e Kosovës, duke vazhduar gjendjen e mjerë dhe të pashpresë për një progres të dukshëm dhe të prekshëm”, është shprehur opinionisti Haziri.

 Aleanca me perëndimin

Ndryshe analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se Kosova, ky vend i martirizuar ndër shekuj, pati fatin e mirë që falë kontributit të shumë gjeneratave, falë një politike të mençur sensibilizuese nëpër botë, ku arriti të krijojë aleanca të rëndësishme.

Image
Leon Duhanaj

“Falë luftës për liri dhe gjakut të derdhur e të pafajshëm për këtë qëllim fisnik. Falë mobilizimit masiv të aleatëve shekullorë të shqiptarëve dhe ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të tyre në luftë aktive kundër agresorit serb. U çliruam me moton e lirisë për të gjithë. Të pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të sajë në familjen evropiane. Apo me mirë me thënë rikthimit në familjen dhe shtratin e vet të natyrshëm, por krejt këto ishin ëndrra te të gjithë neve. Ëndrra të cilat i donim se me çlirimin tonë do të realizoheshin, por çfarë ndodhi në të vërtetë? Pse nuk u realizua ëndrrat e popullit shqiptarë edhe përkundër faktit që tashmë askush s'na pengonte ta realizojmë? Këtë se kishim paraparë as në ëndrrat më të këqija, por ja që doli të jetë realitet. Kosova dështojë ta realizoj ëndrrën, pikërisht për shkak të mungesës së gatishmërisë sonë kolektive, për ta bërë vërtetë realitet”, ka thënë Duhanaj.

Duhanaj: Kosova ka devijuar

Ai ka theksuar se Kosova ka devijuar aq keq, saqë i ka zhgënjyer të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetrën kontribuuan për lirinë e Kosovës.

“I zhgënjyem miqtë tanë të shtrenjtë, të cilët nuk po na njohin më dhe po i shtrojnë pyetjen vetës. A jemi ne ata të cilët ishim viktima, apo mos vallë ishim barot i mbuluar nën hi e prush? Po të kishim qenë të përgjegjshëm sa duhet, patriot në aspektin pozitiv e jo gllabërues të vendit nën sloganet e nacionalizmit të sëmurë, atëherë do të ishte shumë më përpara, dhe shumë e integruar në Evropë dhe me më shumë mirëqenie. Tani edhe miqtë ndërkombëtarë janë në hall me ne sepse nuk dinë më as si të na trajtojnë. Madje sot janë të gatshëm t'i shtojnë pyetjes vetit se a ja vlejti vërtetë investimi në këtë vend. Prandaj mendoj se është koha e fundit që ne të këndellemi si komb dhe ta drejtojmë kahjen çartazi kah Evropa dhe vlerat e saj e të tregohemi patriot të vërtetë duke e dashur vendin tonë, dhe duke kontribuar për mirëqenien e tij. Për ndryshe, çdo histori e harruar, përsëritet dhe një përsëritje vështirë që do mund ta mbijetojmë”, ka thënë Duhanaj.

PDK –LDK fajtorët kryesore  

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Kransiqi ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja janë fajtorët kryesorë për degradimin e shtetit të Kosovës, sepse këto dy parti kanë udhëhequr më së shumti me pushtetin, në nivelin qendror dhe atë lokal.

Sipas tij, kjo skenë politike e Kosovës i nënshtrohet vetëm presionit ndërkombëtar, sepse Bashkësia Ndërkombëtare, për çdo lider dhe politikan të Kosovës, ka argumente dhe e di se çfarë krime të natyrave të ndryshme kanë bërë, dhe një klase politike kur ia zë bishtin me derë, edhe mund t’i imponosh çdo gjë, edhe për të mirë edhe për të keq.

“Nëse Bashkësia Ndërkombëtare e ka seriozisht dekriminalizimin e skenës politike dhe institucioneve të Kosovës, atëherë duhet ta ushtrojnë presionin e tyre ndaj këtyre kriminelëve të politikës, që të largohen nga politika, sepse falë këtyre mafiozëve të politikës, kemi dështuar të kemi një shtet ligjor dhe jemi në këtë gjendje të rëndë e të mjerueshme, e jo të vazhdojnë bashkëpunimin me këta kriminelë dhe të bëjnë improvizime duke larguar disa ”peshq të vegjël” nga skena politike. Këtë mund ta bëjë bashkësia ndërkombëtare, nëse dëshiron që Kosova të jetë një shtet i fortë ligjor, duke i izoluar dhe larguar nga skena politike, këta banditë dhe mafiozë, të cilët janë shndërruar në kancerin e shtetit dhe gjithë shoqërisë”, ka thënë politologu Krasniqi.

Qytetarët po ndëshkohen

Ai ka nënvizuar se ndëshkimi i BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës me mos liberalizim të vizave, në vend se politikanët t'i ndëshkojnë me regjim të vizave, është edhe një tregues tjetër që Bashkësia Ndërkombëtare nuk e ka seriozisht që Kosovën ta bëjë shtet të zhvilluar dhe ligjor.

“Nëse me të vërtetë do të donim që të ndodhte mrekullia dhe të pastrohej njëherë e mirë pushteti, skena politike, institucionet shtetërore dhe drejtësia, nga këta hajna, banditë, kriminelë e hiena, që na shkatërruan jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, atëherë do të duhej të kërkonim nga miqtë ndërkombëtar të themelohej një Gjykatë Speciale për krime ekonomike dhe politike, dhe të gjitha lëndët t’i kalonin kësaj Gjykatës Speciale”, ka thënë politologu Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat