Paralajmëron Tahiri: Qeverinë e pret tortura nga Lista serbe në Kuvend

Politika

Paralajmëron Tahiri: Qeverinë e pret tortura nga Lista serbe në Kuvend

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 23 shtator 2017 Në ora: 16:38
Ramush Haradinaj, Nenad Rikalo

Qeveria e Kosovës, ditë më parë ka miratuar programin e saj qeveritar për periudhën 2017-2021.

Por, i vetmi ministër që ka abstenuar me votë për programin e Ramush Haradinajt, ishte ai i Bujqësisë Nenad Rikalo.

Analistët politikë konsiderojnë se Haradinaj, sipas marrëveshjes PAN-AKR, ka pranuar të mos jetë kryeministër i ministrave që vijnë nga AKR. Por, ata hedhin dyshimet, se e njëjta situatë mund të jetë edhe me ministrat e Listës serbe.

Tahiri: Çdo votim i Listës serbe në Kuvend, torturë e pazar për Haradinajn

Sipas analistit Mentor Tahiri, Qeveria Haradinaj varet drejtpërdrejtë nga votat e Listës serbe, si dhe nga “harmonia e brishtë” ndërmjet palëve të ndryshme të interesit të cilat janë sistemuar brenda kabinetit.

Image
Mentor Tahiri

“Qeveria aktuale është kabinet ekzekutiv më i fragmentuar gjatë gjithë historikut të Shtetit të Kosovës. Vetë fakti se ka pesë zëvendëskryeministra, tregon se sa e komplikuar do të jetë vendimmarrja dhe sa të rënda do të jenë kompromiset. Secili nga zëvendëskryeministrat janë shefa në vete. Ndonëse kjo nuk është bërë shumë publike sa i përket aranzhimeve me Listën Serbe, megjithatë në rastin e marrëveshjes PAN-AKR, shihet qartë se kryeministri ka pranuar që të mos jetë shef i ministrave që vijnë nga AKR. Pak a shumë kjo logjikë është edhe në relacion me parti tjera, kurse vetë kryeministri është shef i drejtpërdrejtë i vetëm dy ministrave nga radhët e AAK-së. Qeveria e Kosovës jo vetëm që varet drejtpërsëdrejti nga votat e Listës Serbe, por varet edhe nga një "harmoni" e brishtë ndërmjet palëve të ndryshme të interesit të cilat janë sistemuar brenda kabinetit”, është shprehur analisti Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Tahiri ka vlerësuar se Qeveria do të duhet të bind për çdo votim ministrat serbë dhe se çdo votim do të jetë një pazar në vete.

“Qysh tani ka disa çarje të cilat e vënë në dyshim nëse sot ekziston një shumicë parlamentare e pozitës. Sinjale të tilla vijnë edhe nga NISMA, kurse abstenimi gjatë votimit në Qeveri i Ministrit të Bujqësisë i cili vjen nga Lista Serbe, tregon se Qeveria e Kosovës në përbërjen çfarë është do të duhet të bindë Listën Serbe për çdo votim. Kjo do të jetë torturuese gjatë votimit të ligjeve në Kuvend, kurse çdo votim do të jetë pazar në vete”, ka shtuar analisti Mentor Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat