“Gjykata Speciale do t’i trondit ata që i konsideruam heronj të gjallë”

Politika

“Gjykata Speciale do t’i trondit ata që i konsideruam heronj të gjallë”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 24 shtator 2017 Në ora: 08:20
Selia e Gjykatës Speciale

Kreu i Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, për televizionin publik zviceran CFR, ka folur për aktakuzat e pritura nga Gjykata Speciale, pas raportit të Dick Marty.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm i vendit, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se ka shqiptarë që kanë kryer krime lufte në Kosovë dhe se për këtë ata do të dënohen.

”Më shumë është thënë se sa që është bërë. Flitet për këtë Gjykatë që moti; këto ngritje të aktakuzave i kam pritur para një viti ose dy. Është mirë që dikush ngre aktakuzë për dikë që ka bërë krime dhe nëse në mesin e shqiptarëve ka njerëz të tillë që kanë bërë krime gjatë luftës, është e drejtë që ata të inkriminohen dhe të dënohen për këtë. Ne sot jetojmë në shekullin 21, në mileniumin e tretë ku toleranca e bashkëpunimi vihen në rendin e parë dhe nuk duhej të bëhet fjalë as për hidhërimet nga e kaluara e as për urrejtjet ndërfetare apo ndërnacionale”, ka thënë Pacolli.

Deklarata u keqinterpretua

Por, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë thënë se deklarata e Pacollit mund të jetë keqinterpretuar.

Image
Time Kadrijaj

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputetja Time Kadrijaj ka thënë se të akuzuar për të njëjtat akuza ishin edhe Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e komandantë të tjerë, por ata janë shpallur të pavarur.

Sipas saj, Gjykata Speciale, nuk duhet të merret vetëm me krimet e supozuara të UÇK-së, por duhet t’i dënojë të gjithë ata që kanë kryer krime, pavarësisht nacionalitetit.

“Ka qenë i akuzuar edhe lideri jonë Ramush Haradinaj, por e ka dëshmuar pafajësinë e tij në Gjykatën e Hagës, ka qenë Fatmir Limaj dhe shumë pjesëtarë, komandantë që kanë qenë të ndaluar në gjykatë, por është shpallur pafajësia e tij. Mendoj se është keqinterpretuar deklarata e Pacollit, se ata që kanë bërë krime, pavarësisht nga cili nacionalitet vijnë, që gjykata Speciale mos me qenë vetëm gjykatë që merret me krime të UÇK-së, por të jetë gjykatë që i dënon të gjithë ata që kanë bërë krime. Kjo ka qenë një prej kërkesave tona me formimin e Gjykatës Speciale”, është shprehur deputetja e AAK-së.

Kadrijaj ka folur edhe për Ligjin për Gjykatën Speciale, për të cilin ka thënë se nuk do të kthehet në Kuvend.

Ajo ka theksuar se për krimet e bëra në Ballkan duhet të dënohet regjimi serb, e jo ushtarët që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“Nuk e mendoj që do të kthehet në Kuvend Ligji për Specialen, ne nuk e kemi votuar, por është votuar më shumicë absolute. Ne kemi menduar që vet formimi i kësaj gjykate është një padrejtësi që i është bërë ushtarëve të UÇK-së dhe Kosovës, sepse Kosova ka bërë luftë çlirimtare, mbrojtëse dhe nuk jemi ne ata që kemi filluar luftën në Serbi, por ata e kanë okupuar Kosovën. Nëse dikush është që duhet të dënohet për të gjitha krimet në Ballkan, duke filluar prej Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës dhe në fund Kosovës, duhet të dënohet regjimi serb, e jo ushtarët që kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Të fillojnë hetimet

Image
Faik Krasniqi

Edhe publicisti Faik Krasniqi, ka thënë se pajtohet me deklaratën e Pacollit dhe se nëse ka fakte të vërteta se dikush ka kryer krime lufte, duhet të fillojnë hetimet.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre viteve, vetëm është folur për këtë temë, mirëpo nuk është bërë asgjë.

“Pacolli e ka mohuar të ketë thënë që shqiptarët kanë kryer krime lufte. Edhe unë pajtohem me deklaratën e Pacollit. Më shumë është thënë se sa që është bërë. Ka disa vite që merremi me këtë Gjykatë, dhe ata deri më tash s'kanë bërë asgjë në këtë drejtim. Nëse kanë fakte të vërteta se dikush ka kryer krime lufte, atëherë le të fillojnë me punën”, është shprehur Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ndërkaq, lidhur me mundësinë që Ligji për Specialen të kthehet në Kuvend për rishqyrtim, Faik Krasniqi, ka thënë se në rast se ndodhë një gjë e tillë, Kosova do të futej në konflikt me ndërkombëtarët.

Rikthimi i ligjit i panevojshëm

Sipas tij, Gjykata Speciale nuk është themeluar kot.

“Kosova ka shumë probleme tjera me të cilat duhet të merret duke filluar nga ekonomia e shkërmoqur, dhe vendi duhet të ec përpara. Qeveria nuk mund ta kthej në rishqyrtim në Kuvend ligjin për Gjykatën Speciale, sepse ajo është votuar nga deputetët në Kuvend. Në rast se Qeveria e Kosovës do ta bënte një gjë të tillë, atëherë direkt do të futej në konflikt me Bashkësinë Ndërkombëtare. Do të ishte çmenduri të futeshim në aventura të tilla. Gjykata Speciale nuk është themeluar së koti nga ndërkombëtarët”, ka shtuar publicisti Krasniqi.

Nga ana tjetër, politologu Ramush Tahiri, ka thënë se Behgjet Pacolli mund të dijë ndonjë rast që deri më tani nuk ka qenë lëndë në gjykatë.

Image
Ramush Tahiri

“Mundet që Pacolli nëse është e saktë se ka deklaruar një gjë të tillë, atëherë ai din ndonjë rast ose dukuri që deri tash nuk ka qenë lëndë në gjykatë”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Edhe sipas njohësit të çështjeve juridike Blerim Burjani, për deklaratën e Pacollit duhet të merret Prokuroria e Shtetit.

“Kjo është çështje e Prokurorisë së shtetit. Ata duhet të merren me të gjitha temat që mund të dalin, këtu është EULEX, Prokuroria Speciale e Kosovës, këto tema nuk kanë nevojë për koment, por vetëm për veprim të organeve të rendit”, ka thënë Burjani.

Image
Blerim Burjani

Por, ndryshe është shprehur politologu Faton Mehmeti, i cili deklaratën e Behgjet Pacollit dhënë televizionit zviceran, e sheh si servilizëm ndaj ndërkombëtarëve.

Tronditja nga Gjykata Speciale

Sipas tij, Pacolli do të duhej të dëshmonte para Prokurorisë për një deklaratë të tillë.

“Deklarata e Pacollit më tepër i ngjan servilizmit ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Servilizmi është shndërruar në sëmundje të përgjithshme tek politikanët, të cilët për t’u dukur sa më liberal dhe evropian, flasin edhe gjëra jo fort bindëse. Një z.vkryeministër të jep deklarata të tilla, menjëherë do të duhej të reagonte Prokuroria, që ta thërras në bisedë Pacollin, se nga e di ai që ka shqiptar që kanë kryer krime dhe kush janë ata. Nëse nuk nuk ka fakte, atëherë Pacolli po shpif”, ka thënë Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Politologu ka theksuar se Ligji për Gjykatën Speciale, do të duhej të rishikohej edhe një herë. Ai ka thënë se ata që kanë bërë krime e kanë vrarë kundërshtarët politike, duhet të futen në bug.

“Do të duhej të rikthehej edhe një herë për rishqyrtim Ligji për Gjykatën Speciale, të shikohet nëse ka diçka që duhet hequr apo shtuar. Gjithsesi, shpresoj se Gjykata Speciale, do të zbardh një herë e përgjithmonë fytyrën e vërtetë të shqiptarëve që kanë luftuar për liri dhe dinjitet, ndërsa ata që kanë bërë krime, ata që kanë vrarë kundërshtarët politikë, të futen në burg dhe të kalben aty. Është koha që e vërteta të dalë në shesh, kam frikë se shumë do të tronditen kur të mësojnë të vërtetat për ata që edhe sot i konsiderojnë heronj të gjallë, Ismail Qemaili i dytë, etj. Siç thoshte presidenti Rugova: Vetëm durim, se të miratvijnë pastaj”. Kosova duhet të çlirohet nga njerëzit me duart e përgjakura”, ka thënë Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat