Nisma dhe AAK zbulojnë arsyet e “shkapërderdhjes” së PAN-it

Politika

Nisma dhe AAK zbulojnë arsyet e “shkapërderdhjes” së PAN-it

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 24 shtator 2017 Në ora: 11:01
Veseli, Haradinaj dhe Limaj

Koalicioni PANA i përbërë nga 22 parti politike, prej tyre 4 më të mëdha ndërsa tjerat më të vogla, do të ketë grupe parlamentare të ndara në Kuvend.

Fillimisht ishte Nisma për Kosovën që u nda si grup i veçantë parlamentar, me shef të saj, Bilall Sherfin.

Këtë e konfirmoi ditë më parë për gazetën “Bota sot”, anëtari i kryesisë së Nismës, Enver Hoti, i cili tha që është normale dhe e domosdoshme për partinë, por që vazhdojnë të mbeten pjesë e koalicionit PAN.

Image
Enver Hoti

“Bilall Sherifi është shefi i Grupit parlamentar dhe kështu do të funksionojmë, është gjithçka funksionale. Ne mendojmë se koalicioni para zgjedhor ka përfunduar dhe këtu jemi në koalicion qeveritar, këtu duhet të dallohet nuk është diçka e pa qartë në publik”, është shprehur Hoti.

Ai ka shtuar se kjo nuk është në dëm të qeverisë apo kundër saj, pasi vazhdojnë të jenë në qeverisje.

“Jo ne nuk do të funksionojmë jashtë PAN-it, ne jemi si qeveri në parlament, por do të qeverisim si Grup Parlamentar, normalisht që jemi në pozitë, ka kaluar koha e opozitës. Nuk besoj që ka ndonjë dëm, nuk është kundër qeverisë, ne jemi në qeverisje, në bashkëqeverisje me partitë tjera dhe kështu”, ka deklaruar Hoti.

Në anën tjetër, grup i veçantë është edhe PDK me shef të grupit Memli Kasniqin, ndërsa është ndarë edhe AAK, me shef të grupit parlamentar Ahmet Isufin.

Arsyet e ndarjes

Image
Time Kadrijaj

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Bota sot” deputetja Time Kadrijaj, duke thënë se shef i grupit do të jetë Ahmet Isufi.

“Po jemi ndarë, do të thotë Aleanca do të jetë grup i vetëm parlamentar, që të jemi pjesë në të gjitha komisionet parlamentare, që drejtpërdrejtë ta përcjellë punën e dikastereve ministrore. Shef i Grupit Parlamentar është Ahmet Isufi”, ka deklaruar Kadriaj.

Ajo ka treguar arsyet e ndarjes, derisa mohon të ketë përçarje brenda koalicionit.

“Kjo ka qenë një koalicion parazgjedhor i partive të ndryshme politike dhe ne do të vazhdojmë si koalicion për këto zgjedhje, por tani janë zgjedhjet lokale dhe dëshirojmë që të funksionojmë si grup i veçantë parlamentar. Jo nuk ka. Ne edhe pse do të jemi tre grupe parlamentare, duam të bashkërendisim veprimet dhe qëndrimet si pozitë, por jemi parti politike dhe kemi menduar që është më efektive që të veprojmë si grup i ndarë parlamentar”, është shprehur deputetja Kadriu për “Bota sot”.

Edhe AKR mendon ndarjen

Një mundësi të ndarjes si grup i veçantë parlamentar nuk e mohon as Aleanca Kosova e Re.

Image
Vesel Makolli

Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli ka thënë për “Bota sot” se ende nuk ka asgjë zyrtare, por që edhe ata mendojnë të jenë grup i vetëm parlamentar, derisa tregon arsyet për këtë.

“Ende nuk ka asgjë, por menduar që edhe ne të jemi si grup i vetëm parlamentar, por njëherë nuk ka asgjë definitive. S’kemi bërë ende asgjë zyrtare, por kjo nuk është shkëputje, është vetëm formim i grupit parlamentar, normalisht për interesa të partisë. Edhe Nisma e ka grupin e vet parlamentar, nuk është diçka e jashtëzakonshme dhe diçka negative. Kjo bëhet për interesa të partisë, sepse me grup parlamentar kuptohet që ke qasje tjetër”, ka deklaruar Makolli.

Kompromisi i “dhimbshëm” i PDK-së nga frika e qeverisë Mustafa

Lidhur me këto ndarje, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj, fillimisht ka thënë se i gjithë bashkimi në koalicion është bërë që të mos jetë në qeverisje Isa Mustafa dhe tani secila parti synon përfitimet për vete.

Image
Skender Zogaj

“Dihet mirëfilli se koalicioni parazgjedhor PAN është sajesë e krijuar enkas për t'iu kundërvënë LDK-së, nga droja se, nëse në zgjedhje do të dilte fituese LDK-ja, do të vazhdonte sërish të mbetej në pushtet Qeveria Mustafa. Që të pengohej kjo mundësi, e vetmja mundësi ishte që PDK-ja të bënte kompromise të dhimbshme, duke ia dorëzuar kryeministrinë AAK-së, e nëpërmjet të saj të përfitohej edhe NISMA, që, bashkërisht krijuan koalicionin fitues. Ky ishte qëllimi dhe, pasi kjo është realizuar, është krejtësisht e natyrshme që, partitë politike të mendojnë dhe veprojnë si është më së miri për to në planin afatgjatë, sepse, mandati i fituar kalon shpejt dhe, partitë politike sërish duhet të ballafaqohen me vetveten dhe të ruajnë veçantinë e tyre partiake. Kjo është arsyeja kyçe që NISMA është ndarë si grup parlamentar, ndonëse, kjo parti këtë qëllim nuk e ka fshehur as gjatë fushatës zgjedhore, kur të gjitha aktivitetet i ka zhvilluar në mënyrë vetanake dhe jo brenda koalicionit PAN”, ka thënë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Ai nuk e sheh të panatyrshme ndarjen në grupe, derisa thotë se koalicionet e tilla, të zorit e kanë jetëgjatësinë e shkurtë, mirëpo thotë se është e vështirë të kuptohet se si do të ruhet konsensusi i pozitës në grupe të ndara.

“Unë mendoj se NISMA ka raporte shumë të mira me AAK-në, por jo edhe me PDK-në, nga e cila janë përzënë dy nga figurat kryesore të saj, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, të cilët e kanë të pamundur që të harrojnë përbuzjen që u është bërë. Përndryshe, tendencën e ndarjes së grupeve parlamentare edhe nga partitë e tjera të koalicionit, e shoh krejtësisht të arsyeshme, sepse, është njëfarë ligji i pashkruar, që, koalicionet e zorit e kanë jetëgjatësinë e shkurtë dhe shprishjen e lehtë, sidomos nëse kemi të bëjmë me koalicione të panatyrshme, siç ishte PANA! Prandaj, nuk më habit fare ndarja eventuale e grupeve parlamentare të AAK-së, PDK-së dhe AKR-së, por, e kam të vështirë të kuptoj se, në çfarë shkalle do të mund të ruhet konsensusi i pozitës së sotme, e cila e bashkuar e ka të vështirë të qëndrojë, e lëre më kur të ndahen grupet parlamentare. Kjo mund të determinojë nevojën për riformatizime të reja, që unë i shoh të mundshme!?”, është shprehur analisti Zogaj.

Kujtojmë se koalicioni PAN u formua si koalicion parazgjedhor, ndërsa që AKR iu bashkua pas zgjedhjeve, për të formuar qeverinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat