Largimet nga PDK, paralajmërohet rrezik për koalicionin me Nismën

Politika

Largimet nga PDK, paralajmërohet rrezik për koalicionin me Nismën

Nga: Arbnore Zhushi Më: 8 tetor 2017 Në ora: 16:01
PDK

Dikur ishte Partia e parë në Kosovë, por tani Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka të sigurt as renditjen si partia e tretë në vend.

Ajo në prag të zgjedhjeve lokale, ka pësuar tronditje, pasi disa nga anëtarët e saj janë larguar. Shumica prej anëtarëve të deritanishëm të saj, kanë aderuar tek Nisma për Kosovën.

Së fundmi është raportuar se nga PDK-ja ka dhënë dorëheqje Justina Pula nga pozita e Shefes së Forumit të Gruas në PDK dhe nga të gjitha pozitat tjera në këtë parti.

Ndërkaq, dje ish-anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së Xhevdet Smakiqi, i është bashkuar zyrtarisht Nismës për Kosovën, duke braktisur partinë e Kadri Veselit.

Ai është prezantuar nga kryetari i Nismës Fatmir Limaj, i cili e ka vlerësuar si profesionist të madh Smakiqin.

Image
Hidajet Ahmeti

Largimet nga PDK-ja, analisti politik Hidajet Ahmeti i konsideron si goditje të vazhdueshme, që sipas tij, po i jepen kësaj partie.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Ahmeti ka vlerësuar se PDK-ja është në rënie të lirë dhe vështirë e ka rimëkëmbjen më këtë strukturë, e cila siç ka thënë ai, ka ngulfatur institucionet publike.

“Është një goditje e vazhdueshme që po ju jepet PDK-së, e cila ka kontrbuar më së shumti me degradimin e vendit. Edhe ashtu, PDK-ja si parti politike është në rënie të lirë dhe vështirë e ka rimëkëmbjen më këtë strukturë, e cila ka ngulfatur institucionet publike me njerëz partiak e super të dëgjueshëm. Çkapja e shtetit nga PDK-ja është shpëtimi i vërtetë i Kosovës nga kjo katrahurë që e kanë instaluar strukturat politike dhe para politike të PDK-së”, ka thënë Ahmeti.

Ai tutje ka theksuar se ndryshimi i vendit është në duar të qytetarëve të Kosovës.

“Gjykoj se është imperativ i kohës që qytetarët të gjykojnë drejtë dhe përmes formave demokratike të largojnë frymën e mbrapsht që është instaluar në institucionet publike të shtetit. Qytetarët e kanë drejtën, shansin dhe guximin për ndryshime. Ndryshimi nuk bëhet më njerëz të njëjtë e me rrena të vjetra, ndryshimi bëhet duke ndëshkuar të ata që e instaluan  keqqeverisjen e duke ju dhënë rast tjerëve për të provuar konceptin e tyre politik. Vetëm përmes formave demokratike të ndëshkimit, disiplinohen politikanët e veçanërisht partitë politike”, është shprehur Hidajet Ahmeti.

Ndërkaq, sa u përket fërkimeve në nivel lokal, Ahmeti, ka shprehur bindjen se ato ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në jetëgjatësinë e koalicionit qeverisës në nivel vendi.

“Realisht fërkimet të cilat ndodhin në nivel lokal në mes partive politike, e  të cilat bashkëqeverisin në nivelin qendror, ndikojnë drejtpërdrejtë në stabilitetin, jetëgjatësinë e koalicionit qeverisës. Këto fërkime  japin sinjal të qartë se koalicioni qeverisës në qendër është i panatyrshëm, koalicion i interesave reciproke, koalicion jo stabil ,e mbi të gjitha një qeveri jetëshkurtër”, ka shtuar ai për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat