Akuzat për vrasje të ish anëtarit të SHIK-ut ndaj Thaçit e Veselit, përgjigjet Prokuroria Speciale e Kosovës

Politika

Akuzat për vrasje të ish anëtarit të SHIK-ut ndaj Thaçit e Veselit, përgjigjet Prokuroria Speciale e Kosovës

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 10 tetor 2017 Në ora: 11:20
Thaçi dhe Veseli

Ish agjenti i Shërbimit Informativ të Kosovës, (SHIK), Naim Miftari, në faqen e tij në facebook, dhe në mediume të ndryshme gjatë deklarimeve të tij publikon fakte për krimet, që sipas tij janë të kryera nga SHIK-u.

Ai në këto shkrime, në shumicën prej tyre, ish anëtari i SHIK-ut hedhë akuza të rënda ndaj presidentit, Hashim Thaçi, ish drejtor politik i UÇK-së, dhe Kadri Veselit, ish udhëheqës i SHIK-ut, tash kryetar i Kuvendit.

Në një postim, Miftari kishte shkruar se shumica e urdhrave për vrasjet që anë ndodhur në Kosovë janë dhënë nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Xhavit Haliti, ku më pas ato janë ekzekutuar nga Azem Syla, Sabit Geci e komandantë të tjerë.

Ndërsa së fundi, Miftari në një postim në facebook, ka publikuar një shkrim ku e implikon Kadri Veselin në hartimin e disa listave, që sipas Miftarit janë bërë gjatë luftës.

Image
Naim Miftari

“Kadri a po t ‘kujtohet zyra e jote, objekti i SHIK-ut, hyrja e tretë nga e majta, zyrja me dy tavolina, një bibliotekë e vogël (kinse jeni njeri i librave), në anën e majtë tavolina me një shqiponjë nga druri me kokë të bardhë. Ju në anën tjetër të tavolinës me (ngjyrë kafe) e morët në dorë një letër ngjyrë të verdhë (flet për numra telefonash) në të cilën ju i shkruat me laps të thjeshtë, emrat e katër personave... A e din ti Kadri se ata luftëtarë janë gjallë akoma pasi me po të njëjtit kam ardhur dhjetëra herë, rregullisht te ju... (a mendon se do të heshtim gjithmonë)! A e din ti Kadri Veseli se nga ata katër emra njerëzish të shkruar nga ju në letër të verdhë, s’janë gjallë dhe a është gjallë ndonjëri nga ata sot, apo u vranë të gjithë? A e ke harruar përgjigjen time atëherë, kur te doni dalum në një debat drejtpërdrejt televiziv ti tregojmë këtij popullit tonë të ngratë se kush vrau njerëzit e Serbisë në Kosovë e kush vra atdhetar, gazetar, komandant të luftës e kundërshtar politik dhe konkurrentët financiar ?!”, ka shkruar Miftari, përcjellë “Bota sot”.

Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar me Prokurorinë Speciale të Kosovës, për të marrë më shumë informata se a janë duke u hetuar këto akuza që Miftari hedhë ndaj Thaçit e Veselit. 

Në përgjigjen nga Prokuroria dhënë gazetës “Bota sot”, thuhet se Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndërmarrë veprimet procedurale në pajtim me Kodin e Procedurës Penale.

“Lidhur me deklarimet e Naim Miftarit në faqen e tij në facebook dhe gazeta, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK),  ka ndërmarrë veprimet procedurale në pajtim me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ndërsa, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se në Kosovë nuk ka prokurori e as gjyqësi të pavarur, pasi sipas tij shumica prej prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të zgjedhur nga Hashim Thaçi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat