Deklarata befasuese e Thaçit për Gjykatën Speciale, kjo është e keqja e madhe e Presidentit

Politika

Deklarata befasuese e Thaçit për Gjykatën Speciale, kjo është e keqja e madhe e Presidentit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 10 tetor 2017 Në ora: 21:11
Hashim Thaçi

Gjykata Speciale e nënshkruar para dy vitesh është e gatshme për të filluar punën, por ende nuk ka filluar me aktakuzat e para.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dje deklaroi se kjo Gjykatë nuk do të sjellë drejtësi të plotë dhe se ka ardhur si imponim nga ndërkombëtarët.

“Si presidenti vendit, jam i përkushtuar për të vërtetën dhe pajtimin. Por, Gjykata Speciale do të jetë vetëm një pikë drejtësi, në detin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë. Shtrohet pyetja, a do ta nxjerrë të vërtetën dhe a do të sjellë pajtim ndëretnik kjo Gjykatë. Të dhënat tuaja flasin se shqiptarët sa më tepër dhe sa më saktë që po informohen, pakënaqësia e tyre po rritet. Ndërkaq, serbëve dhe Serbisë po u rritet entuziazmi”, u shpreh ai.

Derisa presidenti po fliste për këtë çështje dhe se ajo erdhi si imponim nga bashkësia ndërkombëtare, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell u largua nga salla.

Për këtë, analisti politik Skender Zogaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se deklarata e presidentit është e papranueshme, pasi si kryeministër ai mburrej me këtë gjykatë, ndërsa tani e kritikon.

Image
Skender Zogaj

“Deklarata e Presidentit Thaçi kundër Gjykatës Speciale është shumë befasuese dhe aspak e pranueshme për aspiratën shtetërore të Kosovës, kemi të bëjmë me dy gjendje krejtësisht të ndryshme të Hashim Thaçit, i cili si kryeministër formimin e Gjykatës Speciale e proklamonte me mburrje si sukses dhe fitore të madhe, ndërsa tash, si President po thotë të kundërtën, se është dështim që nuk i sjellë asgjë të mirë drejtësisë në Kosovë. Cilido qoftë shkaku i vërtetë i kësaj mënyre të reagimit, nuk e arsyeton Presidentin sepse, është tepër vonë, e në anën tjetër efekti i kësaj deklarate jo vetëm që nuk e përmirëson gjendjen, por, përkundrazi e vështirëson edhe më shumë, sepse dihet mirëfilli që Gjykata ka ardhur sepse drejtësia vendore nuk ka dashur të merret me krimet”, ka deklaruar Zogaj.

Më tej ai thotë se presidenti reagon pasi përfundojnë gjërat, ndërsa sa i përket largimit të ambasadorit nga salla, Zogaj thotë se është për keqardhje.

“E keqja tjetër edhe më e madhe e Presidentit është se tash, kur gjithçka është e kryer, thotë se ka pranuar formimin e gjykatës për shkak të imponimit nga ana e ndërkombëtarëve të cilët nuk i kanë mbajtur premtimet! Pra, del se faktori ndërkombëtar e ka mashtruar! Largimi i ambasadorit anglez nga takimi dhe reagimi i mëvonshëm i tij, është shenjë shumë e keqe, sepse, kemi të bëjmë me një misionar shumë të angazhuar dhe që ka dhënë kontribut tepër të madh për çështjen e Kosovës kështu që, largimi nga salla i diplomatit britanik të dëshmuar si mik i madh i Kosovës është për keqardhje! Edhe një e keqe e madhe e deklaratës së Presidentit vë në dyshim punën e Gjykatës Speciale, nga e cila, pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës pikërisht te kjo Gjykatë e mbështet shpresën, që 18 vjet pas luftës, më në fund të zbardhen krimet dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar, që drejtësia vendore nuk ka mundur dhe nuk mund ta bëjë”, është shprehur Zogaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat