Presidenti shkelë prapë Kushtetutën, Thaçi i del në ndihmë PDK-së

Politika

Presidenti shkelë prapë Kushtetutën, Thaçi i del në ndihmë PDK-së

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 tetor 2017 Në ora: 07:07
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nuk po mund t`i përballojë “tundimit”, për dashurinë e tij të vjetër, Partinë Demokratike të Kosovë. Edhe në fushatën për zgjedhjet lokale të 22 tetorit Presidenti i vendit është parë në takim me zyrtarë të ish Partisë së tij. Ka qenë Lidhja Demokratike e Kosovës, ajo e cila ka denoncuar një takim të Presidentit Thaçi me disa prej zyrtarëve të PDK-së, në Komunën e Vushtrrisë.

Reagimi i LDK-së

Dega e LDK-së në Vushtrri, ka reaguar pas vizitës dhe takimit që presidenti i vendit Hashim Thaçi ka zhvilluar me disa prej zyrtarëve të PDK-së në këtë komunë. Kjo vizitë për Lidhjen Demokratikë të Kosovës paraqet ndërhyrje në fushatë zgjedhore, për të cilën ata e konsiderojnë si shkelje kushtetuese. Takimi i Presidentit Hashim Thaçi me zyrtarët e lartpërmendur, sipas Degës së LDK-së në Vushtrri përbën shkelje të Kushtetutës.

”Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Vushtrri zotohet se më 22 tetor do ta çojë pushtetin e kalbur të PDK-së në shtëpi. Epoka e Hashim Thaçit ka mbaruar dhe po ashtu e PDK-së në qeverisjen komunale në Vushtrri e gjithandej në Kosovë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Kandidati i LDK-së për kryetar, Xhafer Tahiri, ka reaguar përmes një postimi në facebook, ku dënon ashpër vizitën e Thaçit në kohë fushate.

Ai përmes postimit, ka shprehur po ashtu brengën e tij, duke thënë se Shtabi i Degës së LDK-së në Vushtrri shprehë shqetësim të thellë në lidhje me takimet e Thaçit që kishte bërë me kandidatin për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK, së, z. Ferid Idrizi dhe kryetarin e Degës së PDK-së në Vushtrri, z. Kurtan Kajtazi, gjatë një vizite në këtë qytet.

“Dega e LDK-së në Vushtrri dënon përpjekjet e presidentit për ndërhyrje politike në kohë fushate dhe ia përkujton atij obligimin kushtetues që ka kreu i shtetit – të qenit apartiak, apolitik dhe i paanshëm në raport me zhvillimet politike”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.

Image
Mytaher Haskuka

Haskuka: Thaçi President i PDK-së

Se Presidenti Hashim Thaçi po e shkelë kushtetutën e thotë edhe Mytaher Haskuka kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, për Kryetar të Komunës së Prizrenit. Madje, sipas tij, Presidenti po tregon se nuk është i qytetarëve por i PDK-së.

“Hashim Thaçi nga dita e parë ka shkelë kushtetutën, vazhdoi me vonesat në formim të kuvendit dhe tani mbështetja e kandidatëve të PDK-së në fushatë është shkelja e radhës. Ai po tregon që nuk është president i qytetarëve po i PDK-së. Si e keni cek edhe ju, Thaçi postin e presidentit e sheh si instrument për pushtet e jo si shërbim prandaj edhe e keqpërdor pozitën duke shkelur kushtetutën”, ka thënë Haskuka.

Image
Haki Abazi

Njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka thënë se është për tu çuditur se përse reagohet ndaj veprimeve të Thaçit, kur dihet se si është zgjedhur president. Sipas tij, Presidenti as vet nuk ndjehet si president.

“Ai jo rastësisht e ka nofkën “Gjarpri” sepse thonë se gjarpri lëkurën edhe mund ta ndërrojë por zanatin nuk e harron kurrë. Është e tepërt të pritet veprim i sinqertë dhe presidencial nga një njeri që konstantën e vetme e ka tradhtinë politike dhe veprimet "nën brez" andaj nuk habitem fare me veprimet e tij madje as nuk pres që ai të luaj rolin e presidentit”, ka thënë Abazi.

Image
Blerim Burjani

Pasojat e Presidentit partiak

Ndryshe, njohësi  i çështjeve juridike Blerim Burjani, ka thënë se presidenti ka rrolin e vet kushtetues, andaj edhe nuk mund të bëjë vizita të tipit zgjedhor dhe të merret me ndërhyrje  politike. Sipas tij, Thaçi me rregulla nuk do duhej të merrte pjesë në asnjë aktivitet partiak të asnjë partie.

 “Nuk është hera e parë që Thaçi kishte bërë vizita të këtij lloji, pasi ai edhe në fushatat  e kaluara ka marr pjesë në disa takime me qytetar gjatë fushatës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas. Rregullat janë të qarta duhet të ketë seriozitet si president i shtetit e të mos ndërhyjë në asnjë fushatë me qëllime lobimi edhe pse ne të gjithë e dimë se ai është PDK. Pra e dimë që i takon një subjekti politik, prandaj e mangësia e kësaj është se në Kosovë presidenti gjithmonë është partiak e asnjëherë i pavarur për të garantuar unitetin e popullit”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani.

Image
Faik Krasniqi

Shkelje flagrante e Kushtetutës

Politologu Faik Krasniqi ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e qartëson qartë funksionin e Presidentit të vendit. Sipas tij, në momentin që një person merr detyrën e presidentit, në atë moment ka përfunduar çdo autoritet sa u përket partive politike në Kosovë.“Mbështetja e kandidatëve për kryetar të Komunave nga ana e Presidentit Thaçi, është shkelje flagrante e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe si e tillë duhet të trajtohet nga ana e Gjykatës së Kushtetutës, për inicimin e shkarkimit të tij nga posti i detyrës së Presidentit, për shkelje të Kushtetutës. Konsideroj që PDK-ja pa Hashim Thaçin nuk mund të funksionojë, prandaj ai ka vendosur që t'i ndalë në ndihmë partisë që ai e ka themeluar, duke i mbështetur kandidatët e kësaj partie.”, ka thënë, politologu Krasniqi.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: KQZ të ndërmarr masa

Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti ka vlerësuar se Hashim Thaçi asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të mund të jetë president i Kosovës, por i një partie politike. Sipas tij, Thaçi nuk ka dinjitet për të qene president i Kosovës , pasi është vetëm president i një pazari politik.

“Vizita e tij në degën e PDK në Vushtrri është shkelje rregullore, dhe do të duhej që KQZ të ndërmerr masa ligjore ndaj Thaçit. Gjithsesi kjo nuk do të ndodh, pasi edhe vet KQZ-ja është vegël e Thaçit. Thaçi është vetëm maja e një klani që ka kapur shtetin në tërë institucionet kryesore. Nuk habitem nga këto veprime të Thaçit, duke njohur mundësinë dhe atë çfarë ai përfaqëson. Me të drejtë dega e LDK në Vushtrri ka reaguar, dhe do të duhet të reagonin organet kompetente, të cilat nuk po veprojnë dhe kanë futur veshët në lesh. Kosova nuk ka president të popullit, por të një partie politike , i cili nuk përfaqëson asgjë më shumë dhe me pak se sa klanin '' Pronto", ka thënë Mehmeti.

Ndryshe, zyra për informim e Presidencës nuk është përgjigjur në pyetjen se a po e shkelë Presidenti Kushtetutën me vizitat e tij tek zyrtarët e PDK-së gjatë fushatës zgjedhore. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat