Akuzat e Thaçit për Gjykatën Speciale, flasin analistët: Presidentit i dështoi amnistia

Politika

Akuzat e Thaçit për Gjykatën Speciale, flasin analistët: Presidentit i dështoi amnistia

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 tetor 2017 Në ora: 14:19
Hashim Thaçi

Gjykata Speciale për krime të predentuara të luftës në Kosovë, ende nuk ka filluar punën, mirëpo organizata joqeveritare ka mbajtur një organizim me temën “Perceptimi i Gjykatës Speciale”.Në këtë organizim kanë qenë të pranishëm edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.Duke folur rreth Gjykatës, i pari i vendit ka lëshuar kritika të shumta kundrejt ndërkombëtarëve.Mirëpo, gjatë fjalimit të tij, ambasadori O’Connel ka lëshuar sallën, duke mos e dëgjuar deri në fund presidentin.

Thaçi gjatë fjalimit të tij tha se Kosovës i është bërë padrejtësi pasi ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe i janë shtuar vështirësitë.“Kosova mbajti fjalën e themeloi Gjykatën po bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmori asnjë hap. Kosovës veçse iu vështiruan mundësitë. Kosova u tregua me lojale por u ndëshkua më së shumti", tha ai. Thaçi bazuar në hulumtim tha se kjo Gjykatë besohet se do të merret vetëm me shqiptaret dhe jo me serbet. “Nuk do të merret asnjë rast për shqiptaret e vrarë, dhunën ndaj grave shqiptare, pra asnjë krim që kanë bërë në Kosove”, ka thënë Thaçi.

Polemikat me Ambasadën britanike

Bekim Çollaku, Shefi i stafit të Presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj largimit të Ambasadorit të Britanisë së Madhe Ruari O'Connell nga konferenca e sotme ku është diskutuar për Gjykatën Speciale. Në një prononcim për median, Çollaku ka bërë me dije se Presidenti Thaçi nuk është shqetësuar për largimin e Ambasadorit britanik nga konferenca.Amabasada britanike në një përgjigje ka thënë se O’Connell është larguar urgjentisht nga konferenca, pa e thënë se kjo ka pasur të bëjë me qëndrimin e Thaçit, por i ka kundërshtuar deklaratat e Thaçit që i ka bërë sot.“Kosovës nuk i janë bërë premtime lidhur me Gjykatën Speciale dhe nuk është e drejtë të pretendohet e kundërta. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare bazohet në kriteret specifike të anëtarësimit të organizatave individuale” thekson Ambasada britanike.Presidenti Hashim Thaçi, në të kaluarën ka mbështetur formimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se e ka udhëhequr procesin e themelimit të saj.“E di se lufta për lirinë e Kosovës ishte një kauzë e drejtë dhe një luftë e drejtë. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë shkelur ndonjë ligj, me përjashtim të ligjeve të Sllobodan Millosheviqit. Gjykata Speciale është një mundësi për Kosovën për t’i shpjeguar botës këtë të vërtetë”, ka thënë Thaçi për mediat ndërkombëtare.

Image
Faton Mehmeti

Thaçi shpresonte në amnisti

Ndërsa, analistët politikë lëshimin e sallës nga ana e Ambasadorit britanik gjatë fjalimit të Presidentit, e shohin si shenjë proteste kundrejt deklaratave të tij.Sipas tyre, Thaçi në të kaluarën ka mbështetur Gjykatën Speciale duke shpresuar se do të amnistohet, ndërsa tani kanë dështuar tentimet për ta manipuluar drejtësinë ndërkombëtare.

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se të gjitha përpjekjet e Presidentit për t’u amnistuar nga Gjykata Speciale, i kanë dështuar.“Si duket ka dështuar tentativa e Thaçit për të manipuluar me drejtësinë ndërkombëtare. Për  t’i hyrë  në  hatër bashkësisë  ndërkombëtare , Thaçi u përul aq poshtë me servilizmin e tij sa u përulë edhe para varrezave serbe. Këto edhe dëme të tjera që  ia ka bërë Kosovës, në përpjekje për të futur në pazar amnistie nga Gjykata Speciale, si duket i kanë shkuar huq që të gjitha. Prandaj, edhe frustrimi i tij ishte krejt personal, jo si kauzë apo ide”, ka pohuar Mehmeti.

Sipas tij, ambasadori ka lëshuar sallën si shenjë proteste që Kosova, ka ende liderë që nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me drejtësinë.“ Thaçi nuk i intereson askush, as Kosova as shokët e tij përveç lëkurës së tij, e cila po ndihet e rrezikuar nga e vërteta. Thaçi ka qenë  i bindur se kurrë s’do të dalë e vërteta për mëkatet e tij, dhe tani kur bota i tha se drejtësia i ka duart e lira, Thaçi po frikësohet. Thaçi ka humb arsyen, prandaj edhe ambasadori britanik lëshoi mbledhjen si shenjë protestë që Kosova ka ende lider që nuk janë  të gatshëm të ballafaqohen me drejtësinë, por mundohen t’i bishtojnë asaj” ka përfunduar Mehmeti.

Image
Mentor Tahiri

Humbjet e Kosovës

Kurse, politologu Mentor Tahiri, është shprehur se duhet pranuar që institucionet e Kosovës kanë qenë shumë konstruktive me qarqet ndërkombëtare.Sipas Tahirit, Kosova ka pësuar disa humbje në kuadër  të sistemit politik ndërkombëtar.

“Duhet pranuar se institucionet e Kosovës kanë qenë shumë konstruktive me qarqet ndërkombëtare, përfshirë edhe ato të pranishme në Kosovë. Kosova ka kryer obligimet e saj në raport me Gjykatën Speciale, por ajo ende nuk është funksionalizuar. Kjo stërzgjatje mund të perceptohet edhe si mjet i presionit politik. Ka një nervozizëm të krijuar në skenën politike të Kosovës lidhur me këtë, aq më tepër që Gjykata Speciale është bërë mjet i spekulimeve. Presidenti Thaçi megjithatë shprehu mendimet e tij lidhur me Gjykatën Speciale në një moment politik kur duket se faktori ndërkombëtar nuk ka qenë shumë kujdesshëm në raport me Kosovën. Këtyre ditëve Kosova pësoi disa humbje në kuadër të sistemit politik ndërkombëtarë. Tërheqja nga kandidimi në Interpol dhe në UNESCO duket se pjesërisht ka ardhur edhe si rezultat i presionit ndërkombëtar”, ka theksuar Tahiri.

Sipas tij, reagimi i Ambasadorit britanik gjithsesi duhet të shërbejë si tregues i raporteve jo shumë të qarta ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj.

“Reagimi i Ambasadorit Britanik gjithsesi duhet të shërbejë si një tregues i raporteve jo shumë të qarta ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj. Do të ishte e dëshirueshme që në këtë kontekst ambasadori O’Connell të përdorë autoritetin e tij që prezencën ndërkombëtare në Kosovës ta zgjoj nga “gjumi” dhe ashtu të mos mbetet hapësirë që dështime të caktuara eventuale të institucioneve të Kosovës t’i atribuohen aleatëve tanë. Opinioni publik në Kosovë ka besim të jashtëzakonshëm te aleatët tanë”, ka pohuar Tahiri.

Image
Hidajet Ahmeti

Qëndrimi i “pasinqertë”

Lëshimi i sallës nga Ambasadori britanik, gjatë fjalimit të Presidentit, sipas analisti Hidajet Ahmeti, është protesta e tij për qëndrimin kontraverz, joserioz e aq më pak të sinqertë të Thaçit.

Sipas Ahmetit, Thaçi duhet të sillet si President i vendit, e jo ta luajë rolin e një manipulatori në raport me opinionin e gjerë publik.

“Sjellja e Thaçi është  sjellje e një adoleshenti politik e cila në substancë nuk ka kurrfarë mesazhi pozitiv për Kosovën dhe konsolidimin e Republikës në raport ndërkombëtar. Përkundrazi, deklarata të tilla kontraverze  kanë impakt negativ në raport ndërkombëtar, duke dhënë mesazhin e një lideri kontraverz, jo serioz e aq më pak të sinqertë. Ambasadat  e shteteve të cilat janë të përfaqësuara në Republikën e  Kosovës janë urë- lidhëse në mes shtetit të Kosovës dhe shtetëve të cilat përfaqësojnë, zëri i tyre është zëri i shteteve të përfaqësuara. Gjykoj se revolta  e ambasadorit  të Britanisë së madhe  dhe lëshimi i sallës është një shenjë proteste për qendrimin kontraverz, joserioz e aq më pak të sinqertë të Thaçi. Është e rrugës që Thaçi të sillet si President i vendit e jo ta luaj rolin e një manipulatori në raport me opinionin e gjerë publik, pasi që qytetarët janë në dijeni për historikun e e themelimit të Gjykatës Speciale dhe insistimine  vazhdueshëm të zotit Thaçi për themelimin e kësaj Gjykate diskriminuese”, është shprehur Ahmeti.

Sipas Ahmetit, deklaratat e tilla janë tentativë e Thaçit për të aminstuar veten nga instalimi i Gjykatës Speciale.

“Deklarata të tilla kontraverze pa përmbajtje e me mesazhe populiste janë tentative e Thaçit për të amnistuar vetën nga instalimi i kësaj Gjykate diskriminuese. Dyfytyrësia e një lideri i cili përfaqëson një institucion shumë të rëndësishëm për vendin, tregon një imazh të keq për Republikën  e Kosovës, e në veçanti për institucionin e Presidentit të vendit”, ka përfunduar Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat