Akuza për përfshirje në fushatën zgjedhore e shkelje të Kushtetutës, Thaçi mund të shkarkohet? - Bota Sot
Akuza për përfshirje në fushatën zgjedhore e shkelje të Kushtetutës, Thaçi mund të shkarkohet?

Politika

E mërkurë, 22 nëntor 2017

Akuza për përfshirje në fushatën zgjedhore e shkelje të Kushtetutës, Thaçi mund të shkarkohet?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 17 tetor 2017 Në ora: 13:35
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po akuzohet se gjatë fushatës zgjedhore në Klinë ka shkelur Kushtetutën duke përkrahur kandidatin e PDK-së për kryetar. Presidenti Thaçi është parë në shoqëri të Sokol Bashotës, kandidatit të PDK-së për Klinën.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina ka reaguar pas këtij veprimi të Presidentit, duke thënë se ai e ka të ndaluar të anojë nga një subjekt politik apo kandidat në fushatë zgjedhore. Deputetja Pantina ka thënë se ai ka bërë shkelje kushtetuese.

“Sipas Kushtetutës Presidenti I vendit përfaqëson unitetin e popullit dhe ai e ka të ndaluar të anoj kah një subjekt politik e në veçanti të përkrah një kandidat apo tjetër gjatë fushatës zgjedhore. Vizita e Thaçit në Klinë në përkrahje të kandidatit të PDK për kryetar është shkelje e Kushtetutës. Çfarë mund pritet tjetër nga një president kundër kushtetues, por deri kur qytetarët do durojnë të udhëhiqen nga njerëz të tillë varet nga vet ata”, shkruan Pantina në Facebook.

Image
Bajram Gecaj

Thaçi në shërbim të PDK-së

Nga ana tjetër, ish këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj thotë për “Bota sot” se Presidenti Hashim Thaçi çdo ditë po e dëshmon se po i shërben partisë së tij, dhe kur të përfundon mandatin do të kthehet sërish aty.

“Presidenti në këtë mënyrë po e provon dita ditës se është largë të përfaqësimit të unitetit nacional, por se në vazhdimësi po i shërben ish partisë së tij, të cilës sipas gjasave do ti kthehet kur të përfundoj mandatin, nëse do të ketë ku të kthehet, pasi këtë parti ta ketë dërmuar plotësisht Kadri Veseli”, thotë Gecaj.

Gecaj thotë se deputetët do të ishte mirë të shqyrtonin dërgimin e shkeljeve të presidentit për shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese.

Edhe njohësit e çështjeve politike e shohin si një shkelje kushtetuese të Presidentit Thaçi pasi ka përkrahur kandidatit e ish partisë së tij.

Image
Muhamet Kelmendi

Thaçi të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Kështu njohësi i çështjeve politike dhe zyrtari i AAK-së, Muhamet Kelmendi, thotë se çdo veprim nëpërmjet të cilit mund të konstatohet se është shkelur norma kushtetuese mbi paanshmërinë e Presidentit është fakt që tregon animin politik që duhet të ipet përgjegjësi.

“Tash fakti se nje kandidat është përkrahur a është fakt i mjaftueshëm për të kërkuar dorëheqje është temë në vete? Çdo shkelje është fakt i përgjegjësisë juridike dhe politike, duke mos e përjashtuar edhe pergjegjësinë morale”, vlerëson ai.

Kelmendi thotë se dorëheqja e presidentit duhet të kërkohet, por në Kosovë nuk ka përgjegjësi juridike.

Sipas tij, lënda duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo ka kompetenca për të vendosur për të gjitha shkeljet.

“Dorëheqja mund të kërkohet por nuk besoj se do të ketë përfundim juridik, sepse në Kosovë ka shkelje e shkelje, vepra e vepra dhe nuk ka përgjegjësi juridike. E rrugës është që në rastet e tilla të dërgohet lënda në Gjykatën Kushtetuese. Ajo ka kompetenca për të vendosur për të gjitha shkeljet dhe për përgjegjësinë juridike të presidentit”, thotë ai.

Image
Blerim Burjani

Ankesat të diskutohen në Kuvend

Nga ana tjetër, Blerim Burjani thotë se Presidenti Hashim Thaçi duhet të rri i qetë dhe të merret me kompetencat e tij, dhe jo me ato kundërkushtetuese.

“Presidenti duhet të rri i qetë ka mjaftë kompetenca për të ushtruar me kushtetutë është njeri që ruan dhe kujdeset për unitetin dhe funksionimin demokratik të institucioneve dhe nuk duhet të merret me gjëra që cilësohen kundërkushtetuese”, thekson ai.

Ai thotë po ashtu se ankesat duhet të diskutohen në Kuvend, që t’iu bëhet me dije Presidentit të mos bëj gjëra të tilla dhe hapa të gabueshëm.

“Ankesat dhe kërkesat  mund të diskutohen edhe në Kuvend  të Kosovës për të iu tërheq vëmendja se nuk duhet bërë gjëra të tilla, se ka mjaftueshëm punë presidenti pra duhet të ketë kujdes  vet, të mos bëj hapa të gabueshëm  që mund të kërkohet llogaridhënie në kuvend për implikimet e tij nëpër fushata partiake”, thekson ai.

Ndryshe edhe LDK-ja ka paralajmëruar se është duke mbledhur faktet që Thaçin ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

"LDK-ja është duke e përcjell me shqetësim të jashtëzakonshme involvimin e presidentit të Kosovës në fushatën elektorale. Më saktësisht vizitat e tij në Vushtrri dhe Klinë si dhe takimet e tij publike me kandidatët e PDK-së dëshmojnë  mbi paaftësinë e presidentit për të ushtruar rolin e tij kushtetues. Një anim i tillë dëshmon dy gjëra së pari se presidenti i Republikës vazhdon të jetë i lidhur ngushta me interesa partiake të PDK-së. E dyta se PDK është në krizë të thellë elektorale, pra është në panik. Në këtë panik e krizë e njëjta ka mobilizuar, gjitha resurset politike që i ka përfshirë edhe presidencën. LDK është e bindur se krizën e PDK-së s’mund ta ndaloj as presidenti i venit. Sepse rënia e PDK-së në këto zgjedhje është e  pashmangshme. Është tërësisht e qartë se si kapitull kushtetues për kompetencat e presidentit po ashtu dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 në mënyrë strikte ndalojnë involvimin e presidentit në çfarëdo aktiviteti partiak. Kjo në veçanti është e ndaluar gjatë fushatës zgjedhore. Pra presidenti është duke vepruar në kundërshtim me Kushtetutën. LDK është duke i mbledhur të gjitha provat për ta dëshmuar atë në mënyrë që deputetët e LDK-së në pajtim me kushtetutën të kenë mundësin dhe të ngrisin këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese për shkeljet të rëndë të Kushtetutës nga Hashim Thaçi. Prandaj bëjmë thirrje që të ndalojë me veprimet tilla antikushtetuese sepse pavarësisht se sa angazhohet ai është e pashmangshme rënia dhe humbja e PDK-së në të gjitha komunat “, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme deputetja e LDK-së Vjosa Osmani.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test