Qeveria deklarohet pse hoqi dorë nga Brezovica, ja si arsyetohet

Politika

Qeveria deklarohet pse hoqi dorë nga Brezovica, ja si arsyetohet

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 18 tetor 2017 Në ora: 22:50
Foto ilustruese nga "Bota sot"

Javë më parë, në mediat vendor ishte publikuar një dokument në të cilin thuhej se Qeveria e Kosovës ka marr vendim me 22 shtator, që një nga komplekset më të mëdha turistike në Kosovës, Brezovicës, t`ia heq statusin e zonës me interes publik, si pasojë e dështimit të qeverisë së kaluar për të realizuar investime milionëshe, sipas partneritetit publiko-privat.

“Anulohet vendimi përfundimtar Nr. 10/50 datë 23.09.2015 për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Qendrës Turistike Brezovica”, kështu thuhet në vendimin e kryeministrit Ramush Hardinaj në dokument.

Por, nga zyra për media në Qeverinë e Kosovës, në përgjigjen e dhënë për “Bota sot” lidhur me këtë vendim për Brezovicën, thuhet se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte dërguar një shkresë, me në të cilën ishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shfuqizohet vendimi për themelimin e Komitetit Ndërministror për Projektin Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës.

Përgjigja e plotë e zyrës për mediat të Qeverisë së Kosovës për “Bota sot”:

Përmes Vendimit të Qeverisë 09/62 të datës 22 shkurt 2012, është themeluar për të ekzekutuar procedurat Komiteti Drejtues Ndërministror ("KDNM") në lidhje me Projektin për zhvillimin e Qendrës Turistike në Brezovicë. Ky projekt ishte shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës si projekt me "interes kombëtar", duke ofruar mbështetjen e plotë të të gjitha institucioneve publike në Republikë.

Pas ndërmarrjes së një tenderi konkurrues ndërkombëtar (Prokurimi Publik i Kosovës Nr. MT1 204-13- 008-612), me datë 14 prill 2015, Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Komiteti Drejtues Ndërministror, ka formalizuar një Marrëveshje për Partnerit Publiko Privat ("Marrëveshja PPP"0 me Brezovica Resort LLC, për dizajnimin, ndërtimin, financimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Projektit për Zhvillimin e Qendrës Turistike në Brezovicë.

Hyrja e plotë në fuqi e Marrëveshjes së PPP ("Data Efektive"), kushtëzohej me përmbushjen e një sërë kushteve paraprake ("Kushtet paraprake") ndërmjet Palëve në Marrëveshje. Përmes vendimit të KDNM nr. 01 Ref. Nr. 48 të datës 17 dhjetor 2015, Qeveria ka miratuar kërkesën e dorëzuar nga Partneri Privat për të zgjatur afatin e përmbushjes së kushteve paraprake deri më 31 maj 2016.

Partneri Privat ka dorëzuar dokumentet përfundimtare më 20 maj 2016 dhe më 31 maj 2016. Në mbledhjen e datës 16 qershor 2016 pas analizimi të të gjithë dokumenteve dhe dëshmive shtesë të dorëzuara nga Partneri Privat, KDNM ka konstatuar se Partneri Privat qartazi dhe shprehimisht ka pohuar se nuk ka arritur ende përmbylljen financiare, në këtë mënyrë duke pranuar shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në seksionin V11.4.1.b "Përmbyllja Financiare" të KPP si dhe klauzola 3.1.2 e Marrëveshjes PPP.

Ky konstatim është konfirmuar edhe përmes vlerësimit të dorëzuar nga eksperti i pavarur, dorëzuar nga Znj. Jill Jamieson tek Dhënësi më datë 16 qershor 2016, i cili konfirmon dështimin e Partnerit Privat për të përmbushur kushtet paraprake të përcaktuara në Marrëveshjen e PPP dhe KPP. Rrjedhimisht, KDNM më datë 16 qershor 2016 lëshoi Vendimin nr. 01 Ref. Nr. 80, përmes së cilit urdhërohet shkëputja e Marrëveshjes së PPP në tërësi dhe ekzekutimi i sigurimit të tenderit të Partnerit Privat. I njëjti Vendim parasheh njoftimin e Qeverisë së Komiteti Drejtues Ndërministror i ka finalizuar procedurat për të cilat ishte themeluar me vendimin e Qeverisë nr. 09/62.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës nr. 09/62 i datës 22 shkurt 2012 kishte themeluar KDNM me qëllim të udhëheqjes së projektit për zhvillimin e Brezovicës si dhe për zbatimin e procedurave për zhvillimin e projektit në fjale. Pika dy e këtij Vendimi parasheh se në përputhje me procedurat e PPP, KDNM merr vendime lidhur me aprovimin e projektit dhe çdo vendim tjetër.

Në Vendimin nr. 01 Ref. Nr. 80 të datës 16 qershor 2016, KDNM kishte konkluduar shkëputjen në tërësi të Marrëveshjes PPP të lidhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Brezovica Resort LLC .Për sa më sipër, duke qenë se Marrëveshja PPP është shkëputur në tërësi dhe me datë 23 qershor 2016 është ekzekutuar plotësisht sigurimi i tenderit në favor të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe hyrja e plotë në fuqi e Marrëveshjes së PPP ("Data Efektive"), kushtëzohej me përmbushjen e një sërë kushteve paraprake ("Kushtet paraprake") ndërmjet Palëve në Marrëveshje dhe se nuk do të ketë implikime buxhetore për Republikën e Kosovës dhe nuk kemi ndonjë padi për kontest në ndonjë arbitrazh ndërkombëtar, është propozuar revokimi i vendimit për shpronësimin përfundimtar Nr. 10/50, të datës 23.09.2015.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë më datë 10.02.2017 ka dërguar në MMPH shkresë, me të cilën njofton se ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, shfuqizimin e Vendimit për themelimin e Komitetit Ndërministror për Projektin Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës Nr.09/62 datë 22.02.2012, marrë parasysh se Marrëveshja për Partneritet Publiko -Privat për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës e lidhur me 14 prill 2015, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Partnerit Privat Brezovica Resort LLC është shkëputur në tërësi dhe sigurimi i tenderit të Partnerit Privat është ekzekutuar në dobi të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ministria Tregtisë dhe Industrisë në këtë shkresë ka sugjeruar që ekzekutimi i vendimit përfundimtar të revokohet/anulohet/shfuqizohet duke ju shmangur krijimit të çfarëdo obligimi qoftë ligjor ose financiar kundrejt palëve.

Meqë afati i fundit për realizimin e shpronësimeve ishte data 23.09.2017, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i sugjeroi Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor t’i propozojë Qeverisë së Republikës së Kosovës anulimin e Vendimit Përfundimtar Nr. 10/50 datë 23.09.2015.

Departamenti i Shpronësimit në MMPH, konform nenit 39 dhe nenit 45 të Ligjit nr, 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me Ligjin Nr. 03/L-205 dhe Ligjit Nr. 05/L-031 Për Procedurën e Përgjithshme Administrative, është pajtuar me kërkesën për Anulimin e Vendimit Përfundimtar Nr. 10/50 datë 23.09.2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat