Akuzat ndaj Brukselit, tentim i Thaçit ta shfajësojë vetën

Politika

Akuzat ndaj Brukselit, tentim i Thaçit ta shfajësojë vetën

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 19 tetor 2017 Në ora: 09:31
Hashim Thaçi

Duke kritikuar Bashkimin Evropian Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po mundohet ta pastrojë vetën për marrëveshjet e dëmshme që ai i ka bërë deri më tani me Serbinë në bisedimet e Brukselit. Ky është vlerësimi i njohësve të çështjeve politike në vend.

Kritika e tij e fundit e Thaçit ndaj Bashkimit Evropian vjen pas dështimit të dekretimit të dyzet e dy gjyqtarëve dhe katërmbëdhjetë prokurorëve të komunitetit jo shumicë serb në Kosovë, të cilët nuk shkuan në presidencë për tu akredituar.

Në kritikat e Thaçit, u tha se mos shkuarja e gjyqtarëve serb tek presidenti për akreditim tregon se ata u penguan nga Serbia, kurse për Bashkimin Evropian u tha se kjo shpërfaq edhe një dështim dhe paaftësi tjetër të BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi.

Por, kritikat e Thaçit ndaj BE-së po konsiderohen nga analistët politik si një tentim i tij për të shfajësuar veten.

“Presidenti Thaçi  me dinakërinë e tij politike, po mundohet ta shfajësoj vetën nga përgjegjësia e tij politike, kushtetuese e ligjore, duke manipuluar me opinionin e gjerë publik me deklarata populiste dhe amatoreske”, tha për “Bota sot” politologu Hidajet Ahmeti.

“Gjykoj se veprimet e tilla në raport me BE-në janë veprime të një adoleshenti politik, të cilat në intencë kanë interesat personale dhe shfajësimin e veprimeve të tij për më shumë se një dekadë, për kohën sa ka qenë i pari i qeverisë, por edhe tash në pozitën e të parit të vendit”.

Edhe analisti Nexhmedin Spahiu thotë se Thaçi po e akuzon BE-në për të fshehur dështimet e tij gjatë bisedimeve.

“Natyrisht se Thaçi tash akuzon Serbinë dhe BE-në, përndryshe ai duhet të dal dhe tu thotë qytetarëve të Kosovës. Më falni, por unë nuk kam qenë serioz në bisedimet e Brukselit me Serbinë”, tha Spahiu.

Image
Hidajet Ahmeti

Mos dekretimi i gjyqtarëve tregoi dobësinë e shtetit të Kosovës

Për analistin Hidajet Ahmeti, sjellja e  prokurorëve dhe gjyqtarëve të komunitetit serb është mesazh i qartë për ndikimin e Serbisë brenda rregullimit të brendshëm juridik të Republikës së Kosovës. 

“Pafuqia e institucioneve të Republikës së Kosovës e në këtë rast institucionit të presidentit, tregon  se Kosova  është në rrugën e  nënshtrimit dhe servilizimit ndaj shtetit serb, por jo duke jetësuar fuqinë e dorës së shtetit”, tha ai.

“Dora e shtetit të Kosovës  po simbolizon pafuqinë e jetësimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por njëkohësisht dualizimin institucional, i cili po dëshmohet çdo ditë e  më shumë”, shtoi Ahmeti.

Image
Adlum Ramadani

Dështimi i dekretimit të gjyqtarëve çon në dështim të marrëveshjes së Brukselit

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Adlum Ramadani thotë se dështimi i dekretimit të këtyre gjyqtarëve dëmton reputacionin e shtetit të Kosovës.

“Dështimi i dekretimit të gjyqtarëve serb dhe të komunitetit pakicë, siç të paraparë me marrëveshjen e 31 Gushtit në mes të Vuçiçit dhe Thaçit do të thotë edhe dështim i marrëveshjes së arritur mes palëve në kuadër të kornizës së dialogut për normalizimin e raporteve, duke dëmtuar rëndë reputacionin dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, si një shtet i dobët, i cili përkundër mbështetjes ndërkombëtare, nuk mund të bëhet faktorë përcaktues për të ardhmen e negociatave por përkundrazi, të bëhet shërbëtor i agjendës së BE-së, e cila përkundër mos zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, vazhdon të qëndroj e heshtur duke mos e penalizuar këtë të fundit”, tha Ramadani për “Bota sot”.

Sipas tij, dështime të tilla rrezikojnë edhe të ardhmen e dialogut në mes të dyja vendeve.

“Dështimi i Bashkësisë Evropiane për të siguruar implementimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi rrezikon edhe vet të ardhmen e dialogut, i cili që nga fillimi i tij ka dëshmuar se triumfues është pala serbe përmes kushtëzimit të marrëveshjeve. Barra mbi këto dështime të njëpasnjëshme dhe mos zbatim të marrëveshjeve bie fillimisht mbi vet BE-në, duke e humbur kredibilitetin si mekanizëm ndërmjetësues e pastaj për Kosovën, e cila po dëshmon se është faktorë i varur nga agjenda evropiane, duke mos guxuar të marrë hapa për ndryshimin e kursit dhe agjendës së bisedimeve”, shtoi Ramadani.

Image
Nexhmedin Spahiu

Thaçi nuk duhet të udhëheq bisedimet e ardhshme me Serbinë

Analisti Nexhmedin Spahiu thotë se presidenti nuk duhet kurrsesi të përfshihet në bisedimet e ardhshme mes Serbisë dhe Kosovës.

“Unë mendoj se bisedimet e ardhshme duhet të jenë më të besueshme, dhe njeriu që i udhëheq ato bisedimet duhet të jetë serioz. Por, jo presidenti Thaçi që është treguar i dobët në bisedimet e mëparshme. Personi që duhet t’i udhëheq këto bisedime duhet t’i kuptoj interesat e Kosovës, dhe të di se çfarë dëshiron nga bisedimet, ku po dëshiron të arrij, dhe me qenë në gjendje që t’ia shpjegoj parlamentit dhe opinionit publik, pse ka vepruar ashtu, edhe pse ka qenë interesi i Kosovës për të bërë ashtu”, tha Spahiu.

Image
Ali Lajçi

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ali Lajçi thotë se krejt marrëveshjet që i bëri Thaçi në Bruksel, u dëshmuan se ishin të dobëta dhe së Kosova nuk përfitoi asgjë nga to.

“Është një dialog i cili në fillim nuk ka qenë i projektuar mirë dhe ky model dialogu ka rezultuar të jetë jashtëzakonisht i dëmshëm për vendin. Pra përmes këtij dialogu Kosova nuk ka përfituar asgjë, përveç stagnimeve”, tha për “Bota sot” deputeti Lajçi.

Pra, nuk është integruar Mitrovica, nuk janë integruar gjykata veriore si duhet në sistemin e drejtësisë, ashtu siç thoshte dikur ish-kryeministri tash president, Hashim Thaçi.

Lajçi shtoi se duhet të ndryshoj tërësisht modeli aktuale i bisedimeve me Serbinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat