Komisioni ka fakte të reja për Demarkacionin, Bulliqi tregon kur mund të publikohet raporti final

Politika

Komisioni ka fakte të reja për Demarkacionin, Bulliqi tregon kur mund të publikohet raporti final

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 tetor 2017 Në ora: 16:11
Shpejtim Bulliqi

Qeveria ka shkarkuar Komision e mëparshëm shtetëror për matjen e kufirit, duke themeluar komisionin e ri në krye me Shpejtim Bulliqin.

Edhe pse nuk dihet ende se kur do të jetë raporti final për Demarkacionin me Malin e Zi, kjo gjë duket se do të ndodh shumë shpejt.

Kështu ka bërë të ditur për gazetën “Bota sot” vet kryetari i komisionit, Shpejtim Bulliqi, i cili ka treguar se si po shkon puna e komisionit.

“Po besoj që shpejt por nuk ka data. Matje nuk ka, është keqkuptuar çështja e matjeve pasi nuk mund të matet kur nuk dihet çka po mat. Ato që janë bërë kanë qenë lapsus. I kanë bërë akademikët Isa Mustafa dhe Hivzi Islami, kanë matur territor që nuk e kanë ditur çka po matin. Sepse nuk janë të caktuara vijat e territorit të Kosovës. Për Demarkacionin me Malin e zi jemi duke punuar intensivisht që të nxjerrim rezultate, që ta nxjerrim të vërtetën që do të dalë shpejt. Cilado qoftë ajo e vërtetë do të dalë në shesh. Unë nuk kam ardhur që punoj kundër atij versioni, kam ardhur që ta nxjerr një realitet dhe ta bëj një punë profesionale, që do të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ta shohim, në qoftë se jem gabim ne, do të dalë gabimi jonë, në qoftë se është bërë gabim do të tregohet se ku është bërë gabim”, ka deklaruar Bulliqi.

Profesori ka treguar për fazat nëpër të cilat po kalon puna e komisionit, derisa ka thënë se kanë fakte të reja.

“Ne jemi duke punuar në tri drejtime, e para drejtimi i analizës materiale që e kemi në dispozicion, e dyta jemi duke mbledhur fakte të reja të kontrollit efektiv që ka kontrolluar Kosova në periudha të caktuara kohore edhe e treta  faza për konsultime në terren. Çdo gjë që s’mund ta kuptojmë do të dalim  në terren. Në fund do ta sjellim rezultatin e saktë. Nuk guxojmë të lidhemi me datë sepse nganjëherë puna e nxjerr punën, gjejmë një dokument dhe ai na jep një tjetër dokument të cilin duhet analizuar. Jemi duke punuar, me një numër të madh të institucioneve, kemi marrë fakte të reja, jemi duke i sistemuar dhe do t’i dëshmojmë dhe do t’i vendosim në raport. njerëzit po na ndihmojnë, po na sjellin fakte, kanë bashkëpunim shumë të mirë qytetarët me neve, sidomos pjesa e zonës që është e prekur dhe besoj që do të jetë mirë për të gjitha palët, edhe për ish komisionin, edhe për komisionin aktual edhe për qeverinë e Kosovës”, ka vazhduar më tej Bulliqi.

Ai thotë se detyra e tyre është që ta publikojnë raportin final dhe më pas politika vendos se çka të bëjë, nuk është punë e komisionit.

“Do t’i shihni rezultatet së shpejti por çka më tutje, nuk varet nga ne sepse ne do t’i ofrojmë faktet dhe argumentet në tavolinë, politika le ta sheh se ku dëshiron ta dërgojë më tutje. Ne as nuk e vendosim në Çakorr as nuk e heqim nga Çakorri, vetëm ua japim faktet. Duhet të kemi bashkëpunim me të gjithë edhe agjencinë kadastrale pa e përjashtuar edhe nivelin lokal të Pejës”, është shprehur Shpejtim Bulliqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat