Beteja e nxehtë, LDK dhe VV “nisin” negociatat për balotazhin e Prizrenit?

Politika

Beteja e nxehtë, LDK dhe VV “nisin” negociatat për balotazhin e Prizrenit?

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 25 tetor 2017 Në ora: 09:08
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Tashmë kur është bërë e ditur se në garën për kryetar të komunës së Prizrenit, në balotazh do të përballën Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe Mytaher Haskukaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka vendosur se kënd do ta mbështesë në balotazh.

Gazeta “Bota sot” nga një burim i brendshëm i Lëvizjes Vetëvendosje mëson se zyrtarë të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren kanë ndërmend të ndihmojnë kandidatin e VV-së, Mytaher Haskuka në zgjedhjet e balotazhit.

“Zyrtarë të LDK-së në Prizren kanë vendosur që ta përkrahin kandidatin e Vetëvendosjes, por asgjë zyrtare s’ka”, ka thënë ky burim i brendshëm i VV-së, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Po ashtu, edhe kandidati për kryetar të Komunës nga LDK, Hatim Bahxaku, publikisht ka deklaruar se personalisht do ta përkrahë kandidatin e VV-së, por që për një gjë të tillë i mbetet të vendosë partia.

“Kemi pasur ecuri të mirë të zgjedhjeve. Jemi në pritje të rezultateve përfundimtare dhe më pas kryesia e partisë do të vendos rreth koalicioneve. Por, unë haptas i kam thënë bashkëpartiakëve se do ta mbështes kandidatin e VV-së”, ka theksuar Baxhaku.

Mohojnë negociatat

Por zyrtarisht përfaqësuesit e LDK-së dhe ata të Vetëvendosjes e kanë mohuar një fillim të bisedave në mes tyre.

Image
Driton Selmanaj

“S’ka asnjë negociatë. Janë spekulime”, ka thënë shkurt për gazetën “Bota sot”, shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj dhe njëherit deputet në Kuvendin e Kosovës.

Edhe zëdhënësi i Vetëvendosjes, Shkodran Hoti e ka mohuar një gjë të tillë.

Image
Shkodran Hoti

“Jemi duke pritur rezultatet përfundimtare. Nuk kemi asnjë diskutim me askënd për çështjen e koalicioneve”, i ka thënë gazetës “Bota sot” zëdhënësi i VV-së, Shkodran Hoti kur është pyetur se a është e vërtet se LDK dhe VV kanë filluar bisedimet në nivel lokal për balotazhin e Prizrenit.

Edhe PDK dhe AAK thonë se nuk kanë bërë marrëveshje mes tyre për zgjedhjet e balotazhit në Prizren.

Image
Basri Musmurati

“Ende nuk i kemi rezultatet përfundimtare dhe fjalët tjera janë krejt supozime. Ende është herët të flasim për bashkëpunim për zgjedhjet e balotazhit”, ka thënë shkurt për “Bota sot” zyrtari i PDK-së, Basri Musmurati, kur është pyetur se a ka filluar PDK-ja negociatat me ndonjë parti për të përkrahur kandidatin e tyre, Shaqir Totaj.

Ndërsa, anëtari i AAK-së, Anton Berisha ka thënë se për këtë çështje duhet vendosur anëtarët e Kryesisë së AAK-së.

Image
Anton Berisha

“Për çdo vendime është Kryesia e AAK-së ajo që mblidhet dhe vendos për hapa të mëtejmë. Pak a shumë balotazhet kanë treguar se është futur ky termi koalicioni me qytetarë dhe këtu funksionon bindja e qytetarit më shumë se sa ndikimi i partisë. Unë mendoj që votuesit më shumë kanë për tu orientuar kah kandidati se sa kah koalicioni që deklarohet për media se kënd duhet votuar”, është shprehur Berisha.

Haskuka i VV-së shihet si kandidati më favorit në balotazh

Nga ana tjetër, analistët politik thonë se kandidati i VV-së, Mytaher Haskuka i ka gjasat më të mëdha që të dal i pari në balotazh.

Image
Faton Mehmeti

“Ka shume mundësi që Haskuka të jetë i pari i Prizrenit pas balotazhit. Kjo për faktin se ai pritet të mbështetet nga NISMA dhe LDK, dhe nëse kjo ndodh me shumë gjasa PDK s’do të fitoj Prizrenin”, tha për “Bota sot” analisti Faton Mehmeti.

“Është interes strategjik i LDK-së që të bëj koalicion me VV-në që të mbështesin njëra tjetrën në komunat në të cilat këto të dyja nuk janë në balotazh me njëra tjetrën. Kjo do iu mundësonte që të thyenin PDK-në përfundimisht”, tha më tej Mehmeti.

Edhe analisti Jeton Kelmendi thotë se pret se LDK dhe Nisma do të ndihmojnë kandidatin e VV-së, Mytaher Haskuka.

Image
Jeton Kelmendi

“Unë pres që kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka  të mbështetet nga partitë politike shqiptare. Pra, unë pres që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe NISMA për Kosovën të mbështesin Haskukën”, tha Kelmendi.

Sipas tij, nëse këto dy parti politike e përkrahin e VV-në, PDK s’ka shanse të fitoj Prizrenin.

Ndryshe, në zgjedhjet e së dielës kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj ka marrë mbi 18 mijë vota, kurse ai i Vetëvendosjes Mytaher Haskuka ka marrë mbi 13 mijë vota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat