Eksperti i ekonomisë tregon ku qëndron problemi me pagat e veteranëve

Politika

Eksperti i ekonomisë tregon ku qëndron problemi me pagat e veteranëve

Nga: Arbnore Zhushi Më: 28 tetor 2017 Në ora: 15:55
Llogo e UÇK

Komisioni Parlamentar i Financave, në një mbledhje të mbajtur gjatë ditës së djeshme, ka marrë vendim që të rikthehen 11 milionë euro që ishin hequr nga fondi i Sigurimeve Shëndetësore e destinuar për pagat e veteranëve.

Kryetari i këtij Komisioni dhe deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku, është shprehur i lumtur që Komisioni ka kthyer këto mjete, të cilat sipas tij, do të shërbejnë për barna falas ndaj pacientëve dhe shërim jashtë vendit.

Ky vendim u mor, pasi vendimi i Qeverisë që 17 milionë euro të alokuara për fondin e Sigurimeve Shëndetësore të kalonin për pagesat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u kundërshtuar ashpër, sidomos nga deputetët e LDK-së.

Ndërkaq, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve ekonomike Lekë Musa, ka thënë se problemi tek pagat e veteranëve, qëndron tek përpilimi i listave dhe tek përcaktimi i shumës së kompenzimit.

Image
Lekë Musa

Ai e ka quajtur gabim vendimin për kalimin e fondeve të sigurimeve për ata veteranë, të cilët nuk kanë qenë fare në luftë.

“Problemi qëndron fillimisht te përpilimi i listave dhe së dyti tek përcaktimi i shumës së kompenzimit. Kalimi i sigurimeve është gabim dhe një precedan i gabueshëm. Do të ishte gabim kompenzimi i njerëzve, të cilët nuk kanë qenë në luftë, sepse këto janë fonde publike dhe një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte”, është shprehur Musa për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat