“Sherr” mes Thaçit dhe Haradinajt për Demarkacionin

Politika

“Sherr” mes Thaçit dhe Haradinajt për Demarkacionin

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 28 tetor 2017 Në ora: 17:31
Haradinaj dhe Thaçi

Analistët politikë në vend thonë se deklarata tallëse e presidentit, Hashim Thaçi me komisionin e ri për demarkacionin që udhëhiqet nga ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi tregon për luftën e hapur në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Mund të formohen dhjetëra komisione të tilla, çka do të gjejnë ata, letra të reja, hije përronjësh, disa lugina të reja. Kjo nuk është çështje mes profesorëve të katedrave, por është çështje me përgjegjësi më të lartë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se beson se kryeministri Haradinaj, bashkë me partnerët e koalicionit mund të gjejë një zgjidhje sa i përket demarkacionit.

Kurse, në Zyrën e Kryeministrisë nuk i kanë komentuar faret deklaratat e presidentit Thaçi lidhur me komisionin e ri për demarkacionin, pas dërgimit të pyetjeve nga ana e gazetës “Bota sot”.

Por, analistët deklaratën e Thaçit, e lexojnë si një betejë personale të tij kundër Haradinajt.

“Padyshim se deklaratat e presidentit Thaçi, janë haptazi sulm verbal ndaj përpjekjes së Haradinajt për korrigjim të versionit aktual të demarkacionit, dhe realisht mund të prodhojnë polarizime në bashkëqeverisjen AAK-PDK”, ka thënë për “Bota sot”, politologu Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas tij, këto lojëra politike të presidentit Thaçi nuk janë të sinqerta, serioze e aq më pak në dobi të konsolidimit dhe shtetndërtimit, pasi që siç ka thënë ai, “gjuha e sulmit, injorimit, linqimit nuk prodhon rezultate të pritura, dhe njëkohësisht nuk prodhon bashkëpunim të mirë ndërinstitucional”.

Haradinaj, një kryeministër kukull në dorën e PDK-së

Ahmeti ka thënë se Haradinaj është një kryeministër kukull në dorën e PDK-së.

“Padyshim që Haradinaj është një kukull kryeministër, i cili jashtë tutelës së PDK-së nuk mund të lëvizë kurrsesi. Vendimi i Haradinajt për komisionin e ri më shumë ka tendencë konsumimin e brendshëm të opinionit publik se sa realisht mund të prodhojë një gjendje më ndryshe për rastin e Demarkacionit”, ka thënë ai.

Sipas tij, Thaçi do të bëjë gjithçka që të mbetet versioni aktual i demarkacionit.

“Haradinaj është i vetëdijshëm për procesin e demarkimit, por bashkëqeverisja me PDK-në do t’ia pamundësoi një korrigjim të këtij versioni, pasi që Thaçi ka qenë personi i cili ka nënshkruar një version të tillë. Thaçi ka në duar të tij gjithë këtë proces dhe do të përdorë të gjitha mekanizmat jashtëligjor e jashtë institucional për të konfirmuar edhe një herë këtë version, pasi që çdo korrigjim në versionin aktual sanksionohet me Kodin e procedurës penale si tradhti kombëtare”, ka shtuar Ahmeti.

Mehmeti: Thaçi dëshiron degradimin e Haradinajt

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, ka thënë se përmes komisionit të ri për demarkacion, kreu i shtetit ka për qëllim degradimin e kryeministrit Haradinaj.

Image
Faton Mehmeti

“Ekziston një luftë në distancë në mes të Thaçit dhe Haradinajt, kjo kuptohet edhe nga deklarata e fundit e Thaçit, për çështjen e demarkacionit, respektivisht komisionin e formuar nga Haradinaj. Ironizimi i Thaçit me këtë komision është direkt thumbim për kryeministrin Haradinaj, e të cilin Thaçi dëshiron ta degradojë”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, Thaçi ka një sëmundje patologjike të të qenit gjithnjë i pari.

Sa i përket çështjes së demarkacionit, Mehmeti ka thënë se presidenti ka të drejtë më së paku që të flas për këtë çështje.

“Edhe për çështjen e demarkacionit, Thaçi s’ka të drejtë morale të flas fare pasi është po ky njeriu që e ka bërë gjithë këtë lëmsh të madh, duke nënshkruar marrëveshje në dëm të vendit dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Prandaj, është ironike kur njeriu që ka shkaktuar gjithë këtë rrëmujë flet me ironi për të tjerët, të cilët s’janë fare fajtorë”, ka shtuar Mehmeti.

Demarkacioni me kosto të lartë

Nga ana tjetër, politologu Mentor Tahiri, ka thënë se çështja e demarkacionit është shndërruar në një komedi.

“Demarkacioni ka nisur si një kauzë e rrejshme dhe vazhdon të jetë e tillë. Fillimisht me “Demarkacionin” u bënë manipulime me opinionin publik, kurse me kalimin e kohës, respektivisht me pamundësinë e bartësve të kësaj kauze për të argumentuar pretendimet e tyre, kjo tani po shndërrohet në temë komediane”, ka thënë Tahiri.

Image
Mentor Tahiri

Sipas tij, presidenti ka plotësisht të drejtë në deklaratat e tij lidhur me demarkacionin.

“Siç po shihet kreu i komisionit të emëruar nga Qeveria, po merret vetëm me deklarata pa përmbajtje dhe vazhdon me opinionet e tij hamendëse, të paartikuluara qartë dhe pa asnjë përgjegjësi profesionale. Konsideroj që Presidenti i Kosovës duhet të jetë edhe më i ashpër në këtë drejtim, ngase loja të cilën po e bën Qeveria e Kosovës me demarkacionin, duhet të marrë fund. Komedia e quajtur “Demarkacion” ka kosto të lartë për qytetarin e Kosovës në kuptimin e lëvizjes së lirë, por kostoja që kjo komedi ka krijuar lidhur me shtetësinë e Kosovës është edhe më e lartë”, ka shtuar Tahiri për “Bota sot”.

Kujtojmë se vendimin e parë që Haradinaj mori me ardhjen e tij në krye të Qeverisë, ishte ndërrimi i anëtarëve të komisionit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Tash këtë komision e udhëheq ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi dhe njëherësh profesor në katedrën e gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, i cili pretendon se me versionin aktual për demarkacionin, Kosova humb rreth 8 mijë hektar tokë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat