Mllefi i Thaçit, Kosova rrezikon marrëdhëniet me BE-në

Politika

Mllefi i Thaçit, Kosova rrezikon marrëdhëniet me BE-në

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 2 nëntor 2017 Në ora: 08:52
Hashim Thaçi

Deklaratat kritike të presidentit, Hashim Thaçi ndaj Brukselit ndikojnë në raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, thonë analistët politik.

Ditë më parë, edhe ish-Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek ka thënë se i pari i shtetit nuk duhet të kritikojë Bashkimin Evropian për marrëveshjet e Demarkacionit që ai e ka nënshkruar vet.

 “Me presidentin isha shumë e sinqertë sepse ai ka ngritur zërin, ku ka deklaruar se BE-ja i ka vënë në kurth me marrëveshjen. Unë i thash që ju z. Thaçi ishit ministër i Punëve të Jashtëm, kur e nënshkruat atë, dhe i kam thënë se kjo nuk është mënyra për të ecur përpara. Kosova e ka ditur nga 2013-ta, kurse fajësim i BE-së, është në kundërshtim të plotë, ai nuk ka të drejtë”, ka theksuar Lunaçek në vizitën e saj lamtumirës në Kosovë.

Gazeta i ka dërguar pyetje me shkrim Zyrës së Presidencës për të marrë një qëndrim lidhur me deklaratat e ish-raportueses Lunaçek, por deri më tani askush nuk është përgjigjur.

Image
Nexhat Haziri

Thaçi po dëmton raportet me BE-në

Ndërsa, sipas analistit Nexhat Haziri, Thaçi me deklarata të tilla ndikon në përkeqësimin e marrëdhënieve BE-Kosovë.

“Natyrisht se deklaratat e tilla duke kritikuar Brukselin siç bëri presidenti Thaçi në kohën e fundit, për gabimet e veta dhe mos punën e institucioneve të shtetit, dëmtojnë rëndë raportet në mes Kosovës dhe BE-së, dhe nga ky dëmtim dihet se kush humbë më së shumti”, ka thënë për “Bota sot” analisti Nexhat Haziri.

Sipas tij, kreu i shtetit po shprehë mllefin e tij ndaj BE-së, edhe për izolimin që i është bërë.

“Ajo që fshehët pas kritikave të presidentit Thaçi, shohë frustrimin e tij së pari me izolimin e tij si president i vendit, dhe kjo tregohet se ai ka pak apo fare vizita dhe takime me homologët e tij, qoftë brenda apo jashtë, si dhe dështimet e Kosovës në procese të rëndësishme për shkak të politikës së gabuar të tij, në veçanti sa ishte kryeministër i Kosovës për dy mandate”, është shprehur  Haziri.

Të kritikohet BE-ja për marrëveshjet që nënshkroi vet Thaçi është non sens

Haziri ka thënë se është absurde nga ana e kreut të shtetit të kritikojë BE-në për dështimet e tij.

“Deklarata e ish-Raportueses për Kosovën, Ulrike Lunacek për kritikat e presidentit Thaçi në adresë të BE-së, konfirmuan edhe një herë realitetin e një politikbërje të dobët që ka Kosova, sidomos në diplomacinë e jashtme, ku një rol të rëndësishëm në këtë sferë duhet të ketë presidenti Thaçi. Të kritikosh të tjerët për marrëveshjet që i ke nënshkruar vetë, është nonsens”, tha Haziri.

Ai thotë se Lunaçek i tregoi Thaçit se nuk ka qenë i përgatitur për marrëveshjet që ai i ka bërë deri më tani.

“Për më teje unë shohë , edhe atë që vetë e deklaroi Lunaçek, se këto marrëveshje janë bërë pa një përgatitje, pa një konsensus të gjerë politik dhe pa një platformë të detajuar nga institucionet e Kosovës, se çfarë mund të përfitoj Kosova, apo cili është rezultati i tyre”, shtoi Haziri.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Thaçi çoi Serbinë drejt integrimeve në BE

Edhe analisti tjetër, Jeton Kelmendi thekson se këto deklarata po e dëmtojnë rëndë Kosovën karshi Bashkimit Evropian.

“Gjithsesi që deklaratat e tij ndikojnë në raport me Bashkimin Evropian sepse ai është në krye të shtetit, pavarësisht që tashmë BE e ka të qartë së Thaçi është zhveshur nga fuqia e tij politike në Kosovë”, tha për “Bota sot”, analisti Jeton Kelmendi.

Sipas Kelmendit, nga marrëveshjet që i ka bërë Thaçi në Bruksel, ka përfituar vetëm Serbia.

“Ky njeri është i paditur, ky njeri është i papërgjegjshëm. Pra Thaçi me përkushtim shumë të madh e ka çuar Serbinë drejt integrimeve në BE, dhe në anën tjetër tash thotë se Bashkimi Evropian ka treguar papërgjegjësi kundrejt Kosovës. Ky njeri i papërgjegjshëm mundohet të justifikohet para popullit për të bëmat e tij që ishin kundër shqiptarëve të Kosovës”, ka përfunduar Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat