Kush po e “ngulfate” perspektivën evropiane të Kosovës drejt BE-së?

Politika

Kush po e “ngulfate” perspektivën evropiane të Kosovës drejt BE-së?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 nëntor 2017 Në ora: 16:03
ilustrim

Ndonëse lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një ndër shkaqet që qytetarët e Kosovës nuk mund të kenë liberalizimin e vizave, megjithatë një dukuri e tillë do duhej luftuar pa kompromis jo për dëshirën e BE-së.

Kështu vlerësojnë njohës të kësaj fushe, duke thënë se lufta kundër korrupsionit duhet luftuar për interesin e Kosovës dhe perspektives së saj, e jo vetëm për të hyrë në BE.

Duke folur rreth asaj se kush duhet të jep përgjegjësi për mbyllje të qytetarëve të Kosovës brenda kufijve të shtetit të saj, dhe duke i lënë ata pa liberalizim të vizave Sami Blakaj njohës i integrimeve Evropiane  ka thënë për “Bota sot” se përgjegjës kryesor për izolimin e qytetarëve të Kosovës janë vet të zgjedhurit e tyre nga taborët e ndryshme politike.

Image
Sami Blakaj

"Janë pikërisht të zgjedhurit e tyre nga dy taborët politike si pozita ashtu edhe opozita të cilët për përfitime personale dhe politike kanë zgjedhur ngulfatjen e perspektives evropiane për të rinjtë e vendit tonë. Kriteret e përcaktuara nga BE për liberalizimin e vizave për Kosovën, siç janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit si dhe miratimi i demarkacionit nuk janë kritere kundër shtetësisë së Kosovës, përkundrazi fuqizojnë atë dhe si të tilla do duhej të ishin prioritete shtetërore”, ka thënë Blakaj.

Sipas tij, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi  po ashtu është një çështje e rëndësishme jo vetëm për procesin e liberalizimit të vizave por edhe për shkak të interesave rajonale, interesave nacionale të shqiptarëve, interesave të procesit të avancimit të shtet formimit të Kosovës dhe për interes të stabilizimit politik brenda.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një dukuri e cila do duhej luftuar pa kompromis jo për dëshirën e BE-së, por për interesin e Kosovës dhe perspektives së saj. Megjithatë një gjë e tillë nuk po ndodhë dhe nuk do të ndodhë përderisa interesat politike dhe personale dominojn ato nacionale dhe mbi-nacionale”, është shprehur Blakaj.

Image
Emrush Ujkani

Ndryshe Emrush Ujkani ligjërues i të drejtës së BE-së ka thënë për “Bota sot” se përgjegjësia bie tek i gjithë lidershipi i Kosovës.

Sipas tij, kjo për shkak të mos arritjes së një konsensusi të brendshëm nacional lidhur me këtë çështje shumë të ndjeshme.

“Shtyrja e votimit nga Parlamenti Evropian lidhur me liberalizimin e vizave ka qenë i pritur nga ana jonë, përderisa institucionet  e Kosovës me liderët e saj, nuk po arrijnë ende të përmbushin kriterin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Po ashtu të tillët mendoj se nuk punojnë edhe aq sa duhet, në mënyrë që fillimisht të luftohet krimin dhe korrupsioni, një ndër dukuritë më negative që ka kapluar Kosovën”, është shprehur Ujkani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat